1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Nis nga puna Universiteti i parë turko-gjerman në Stamboll

Prej disa javësh Gjermania dhe Turqia janë më pranë njëra-tjetrës përmes të parit universitet turko-gjerman, i sapo hapur në një lagje periferike të Stambollit.

Rreth 120 studentë kanë nisur në mes të shtatorit studimet për bachelor - në drejtësi, administrim biznes ose në mekatronikë. "Nëse do të jesh inxhinier shumë i kualifikuar, gjermanishtja është shumë e rëndësishme, mendoj unë. Sepse Gjermania është në inxhinieri numri një në botë", thotë 18-vjeçari Murathan Bagci që do të studjojë në degën e mekatronikës.

Por si dhe shumica e studentëve të rinj edhe Murathan thuajse nuk flet gjermanisht. Prandaj ai dhe shokët e tij duhet t'i përvishen vitin e parë gjermanishtes, sepse mësimi zhvillohet pothuajse vetëm në gjuhën gjermane.

Dossierbild 3 deutsch-türkischer Studiengang

Rreth 20 prej studentëve të këtij universiteti që janë rritur në Gjermani, apo kanë kryer gjimnaze të gjuhës gjermane në Turqi dhe e zotërojnë gjermanishten, kanë filluar ndërkohë me studimin e lëndëve, për të cilat janë regjistruar.

Arsyet për zgjedhjen e këtij universiteti

"Unë i vlerësoj standardet gjermane. Në Gjermani çdo gjë ka me të vërtetë sistem dhe gjithçka shkon sipas këtij sistemi, sipas rregullave. Në Turqi nuk është kështu." - thotë Günhan Kücükizsiz, student i juridikut.

"Unë doja të jetoja një herë në vend tjetër, në vendin tim - pra nga e kam prejardhjen. Unë mendoj gjithashtu se këtu në Turqi kam shanse shumë më të mira për karrierë." - shton Samed Yilmaz, student i juridikut.

Bashkëpunim në të gjitha nivelet

Turqi Gjermani, Abdullah Gül flet ne mbledhjen e shoqates

Nëntë profesorë turq dhe nëntë profesorë gjermanë japin mësim në universitetin e ri. Ligjëruesit gjermanë nuk jetojnë këtu por shkojnë e vijnë nga Gjermania në Stamboll. Shpenzimet për ta i merr përsipër Shërbimi Gjerman për Shkëmbim Akademik (DAAD).

Ndërtesa ku bëhet aktualisht mësim, është e përkohshme. Ndërtimi i godinës së universitetit do të fillojë vitin e ardhshëm dhe do të përfundojë deri në vitin 2017, shpresojnë drejtuesit e universitetit. Rreth 35 milionë euro janë investuar deri më sot - shumica nga Turqia. Gjermania dëshiron të marrë pjesë në të ardhmen me rreth 4 milionë euro në vit.

Hap tejet i vonuar

Në ambasadën turke në Berlin universiteti i ri konsiderohet si një hap tejet i vonuar. Sepse Gjermania është për Turqinë, një partner kyç. "Universiteti Amerikan eksziton prej më shumë se njëqind vjetësh në Turqi, ai francez prej gati 50 vjetësh. Dhe fakti që Gjermania ka prej më shumë se njëqind vjetësh, një gjimnaz në Turqi, por asnjë universitet qe e pakuptueshme për ne. Prandaj gëzohem edhe më tepër, që më në fund edhe kjo u bë." - thotë Hüseyin Avni Karslioglu, ambasadori i Turqisë në Berlin.

Eröffnung der türkisch-deutschen Universität in Istanbul (PK)

Rita Süssmuth

Rita Süssmuth, ish-Presidente e Bundestagut, ka luajtur rol domethënës për hapjen e universitetit. Sot ajo drejton nga Gjermania Konsorciumin gjerman të Universitetit Turko-Gjerman dhe sqaraon: "Kjo zgjati kaq shumë, sepse gjithmonë kishte edhe momente politike. Kur Turqia përjetonte: 'Ah, ju nuk na doni në BE', unë përjetoja vonesë."

Sinjal i rëndësishëm për zhvillimin e shoqërisë civile

Me këtë universitet Gjermania shpreson se ky është një sinjal i rëndësishëm për zhvillimin e shoqërisë civile turke - sidomos pas trazirave në Gezi Park në qershor. Në atë kohë policia u tregua shumë e ashpër ndaj demonstruesve në sheshin qendror Taksim. Kjo është temë diskutimesh edhe për studentët e universitetit të ri.

"Ne nuk kemi një demokraci të përsosur e cila funksionon. Por fakti që njerëzit tani dalin në rrugë për të shprehur mendimin e tyre, është një impuls që na duhet." - mendon Hakan Fazlioglu, student i ekonomisë.

Jo mosmarrëveshje në lidhje me përmbajtjen e kurseve

Administrata e universitetit nuk beson se në mes palës gjermane dhe asaj turke do të ketë mosmarrëveshje në lidhje me përmbajtjen e kurseve. Madje as për çështje që lidhen me të kuptuarit e demokracisë në secilin vend. "Pse nuk duhet që në shkencat politike të kemi përballë dhe të diskutojmë për mendime të ndryshme, dhe pastaj të nxjerrim konkluzione të drejta?" - thotë Izet Furgac, koordinator i universitetit.

"Ne nuk e kuptojmë detyrën tonë si misionarë për Turqinë, por para së gjithash për të dëgjuar diskutimet që zhvillohen aty dhe për të pyetur se çfarë ndodh në këtë vend." -mendon Rita Süssmuth.

Për marrëdhëniet gjermano-turke, universiteti i përbashkët është tashmë një moment historik. Për studentët si Murathan Bagci ai do të jetë një trampolinë për një karrierë të suksesshme - qoftë në Gjermani apo në Turqi.