1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nimetz në Athinë - Eviton afatet

8 Korrik 2009

“Optimist dhe më afër zgjidhjes së çështjes së emrit në krahasim me të kaluarën” u shpreh Matthew Nimetz sot në Athinë pas bisedimeve një orëshe që pati me ministren e jashtme greke Dora Bakojani.

https://p.dw.com/p/Ijsj
Kufiri greko - maqedonas
Kufiri greko - maqedonasFotografi: picture-alliance/ dpa

Në deklaratat e tij për shtyp, në prezencë të negociatorit grek Adhamantios Vasillaqis, Matthew Nimetz bëri të qartë se ndryshimet e propozuara prej tij “janë të pakta dhe të një rëndësie dytësore”. Ato nuk ndryshojnë thelbin e propozimit të muajit tetor, që nga Athina ishte pranuar si “bazë për diskutim” kurse nga qeveria e Shkupit ishte hedhur poshtë.

Ndërmjetësi ndërkombëtar mbajti konspiracion të plotë, përsa i përket përmbajtjes së ndryshimeve të propozuara prej tij dhe evitoi dhënien e përgjigjes për pyetjen nëse do të arrihet një kompromis brenda vitit, siç ishte përfolur në media. Niemitz tha shprehimisht se “nuk më pëlqejnë afatet as tu them palëve të bëjnë këtë ose atë gjë”.

Ndërkohë në mënyrë të përsëritur ai foli për “dëshirën e përbashkët të të dyja palëve për të vazhduar proçesin dhe për të gjetur zgjidhjen”, duke e cilësuar atë si emëruesin e përbashkët. “Çështja që diskutojmë gjithë këto vite është vetëm emri i shtetit,” tha Nimetz, i cili e cilësoi ndërkohë si realitet të pamohueshëm “ekzistencën e gjuhës dhe të etnitetit maqedonas brenda një shteti të njohur nga OKB-ja si FYROM”.

Synimi i Nimetz në këtë vizitë gjatë të cilës, u takua sot edhe me kryetarin e opozitës socialiste Jorgos Papandreu, është që të afrojë më shumë Athinën në rrugën e një kompromisi për emrin, i cili në variantin e përfolur plotëson një nga kushtet bazë të kërkesave të saj për një emërtim me karakter gjeografik. “Republika e Maqedonisë së Veriut”, që Nimetz konfirmoi se mbetet në tryezën e bisedimeve, në fakt do të përmbushte plotësisht kërkesën e Athinës në qoftë se do të ishte erga omnes, për të githa përdorimet dhe jo vetëm për përdorim ndërkombëtar.

Në një kompromis nuk mund t'i fitosh të gjitha. Kështu lëshimi i kërkuar prej Athinës, që vendi fqinj në planin e brendshëm të emërtohet me emrin e tij të plotë kushtetues “Republika e Maqedonisë”, do të mund të kompesohej me tërheqjen e palës tjetër nga insistimi i saj fillestar për kushtëzimin e një kompromisi për emrin me pranimin e “etnitetit dhe gjuhës maqedonase”.

Një insistim i tillë, sipas analistëve grekë, do të ishte pengesa më e madhe për kapërcimin e konfliktit dhe Athina kurrsesi nuk do të legjitimonte një “uzurpim” të historisë, që deri më tani përbën edhe themelin e kundërshtimit të saj për eksluzivitetin nga fqinjët e saj të emrit Maqedoni. Kursi i ndjekur nga ndërmjetësi ndërkombëtar Nimetz, “diskutojmë vetëm për emrin”, ishte edhe trajtim më realist për një konflikt, që për gati 15 vjet mban peng marrëdhëniet midis dy fqinjëve dhe aktualisht frenon proceset integruese euroatlantike në rajon.

Optimizmi i shprehur nga Nimetz ka sigurisht prapaskenën e vet. Është e qartë se po punohet intensivisht për daljen nga qorrsokaku. Nuk ka dyshim se Athina do të dëshironte që t'i jepej fund sa më parë një konflikti që i konsumoi kapital të madh diplomatik gjithë këto vite. “Siç konstatova dhe nga fjalët e vetë ministres Bakojani, Greqia dëshiron marrëdhënie të mira me fqinjin e saj verior,” tha Nimetz. Jo rastësisht u lejua që në pistën e aeroportit të Korfuzit, ditët e takimit të OSBE-së më 29 qershor, të ulej avioni i kryeministrit Gruevski me siglën “Republika e Maqedonisë”, që ministria Bakojani e serviri si nismë të saj personale, duke marrë përsipër koston politike.

Reagimet e opozitës, veçanërisht asaj nacionaliste të Alarmit Ortodoks Popullor, tregojnë se arritja e një kompromisi për emrin nuk do të jetë çështje e lehtë për kabinetin Karamanlis. Me “shuplakën” e zgjedhjeve europarlamentare të 7 qershorit për kabinetin Karamanlis dhe opcionin e zgjedhjeve të parakohshme të hapur, një gjë është e sigurt: konjuktura politike nuk favorizon arritjen e kompromisit të shumëpritur. Me të drejtë Nimetz eviton afatet.

Autor : Niko Anagnosti

Redaktoi : Aida Cama