1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Nils Muiznieks Komisar i të drejtave të njeriut të KE

Lufta për të drejtat e njeriut është detyra e tij që prej 20 vjetësh. Më 1 prill Nils Muižnieks bëhet Komisar i të drejtave të njeriut të Këshillit të Evropës.

Nils Muiznieks Komisar i të drejtave të njeriut të KE Copyright: Council of Europe

Nils Muiznieks Komisar i të drejtave të njeriut të KE

Gjashtë vjet kohë ka Nils Muižnieks, për t`i dhënë një vulë të re postit të Komisarit për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, një post që njihet pak në nivel ndërkombëtar. Lufta kundër racizmit dhe vendosja e barazisë, janë prioritetet e 48 vjeçarit. Një vëmendje e veçantë do t`i kushtohet grupeve për të cilat nuk ka mekanizma të veçanta vëzhgimi dhe mbrojtjeje, si për shembull fëmijët, gratë dhe të moshuarit. Të drejtat e grupeve të shoqërisë si përshembull pakicave të njohura nga shteti, ose imigrantëve që jetojnë ilegalisht, janë po ashtu çështje me të cilat do të merret ai: "Çështja e romëve do të jetë sigurisht pjesë e axhendës sime," thotë ai.

Por studiuesi i shkencave politike do të vendosë edhe thekse të reja: "Në fushën e të drejtave të njeriut ka ndryshime të mëdha, që ndikohen nga teknologjitë dhe format e reja të komunikimit. Në këtë fushë duhet vepruar." Edhe gjendja politike në shumë vende anëtare ka ndryshuar dhe kjo ka sjellë domosdoshmërinë për të vepruar, thotë Muižnieks.

"Njohje e konteksteve postkomuniste"

Parlamenti Evropian, Strazburg

Parlamenti Evropian, Strazburg

Muižnieks është komisari i tretë i të drejtave të njeriut të Këshillit të Evropës, pas spanjollit Alvaro Gil-Robles dhe suedezit, Thomas Hammarberg. Kështu letonezi është mbajtësi i parë i postit që vjen nga një vend ish-komunist: "Për mua është e rëndësishme që ka njerëz që merren me të drejtat e njeriut dhe që njohin vendet e Lindjes dhe kontekstet postkomuniste. Sepse për një kohë të gjatë ka pasur komisarë, vizitorë, komisione dhe oficerë të tjerë të lartë që vinin nga Perëndimi dhe donin të na mësonin si duhet të jetojmë."

Zgjedhja e tij si Komisar për të drejtat e njeriut të Këshillit të Evropës ka rëndësi edhe për një arsye tjetër. Një pjesë e madhe e shkeljeve të të drejtave të njeriut, që trajton Këshilli i Evropës dhe Gjykata për të drejtat e njeriut në Strazburg, ndodhin në vendet e Evropës Lindore. Rusia, me më shumë se 1200 shkelje të të drejtave të njeriut ndodhet pas Turqisë dhe Italisë në vendin e tretë të listës së gjykatës.

Gjykata për të drejtat e njeriut në Strazburg

Gjykata për të drejtat e njeriut në Strazburg

Komisari për të drejtat e njeriut të Këshillit të Evropës duhet të punojë për respektimin e të drejtave të njeriut në vendet anëtare. Si instrumenta ai ka në dispozicion ekspertizat dhe konferencat, por ai mund të japë sinjale edhe nëpërmjet vizitave ose duke ndihmuar institucione dhe persona që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Të drejtat e njeriut si profesion

Nils Muižnieks e ka kthyer në profesion luftën për të drejtat e njeriut, fillimisht si shef i Institutit letonez për studimet sociale dhe politike, më vonë si kryetar i Komisionit Evropian kundër racizmit dhe intolerancës, ose si ministër për intergrimin social, antidiskriminimin, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e shoqërisë.

Salla plenare e Këshillit të Evropës

Salla plenare e Këshillit të Evropës

Këshilli i Evropës nuk është terren i huaj për Muižnieks-in. Prej vitesh ai ka vizituar në kuadër të punëve të tij Strazburgun. Ai e njeh institucionin dhe punonjësit e tij: "Deri tani unë kam qenë aktiv kryesisht në fushën e luftës kundër racizmit. Por unë kam përvojë në të gjitha fushat, sepse unë kam qenë shef i një shoqate për të drejtat e njeriut dhe kam qenë edhe ministër. Shpresoj që kjo të më ndihmojë në punën time si Komisar i të Drejtave të Njeriut."

Letonez me njohje ndërkombëtare

Drejtimi i një organizate ndërkombëtare është për Muižnieks vazhdimi i karrierës së tij të deritanishme, e cila e ka çuar herë pas here jashtë vendit. Ndikim të veçantë ka tek ai SHBA-ja. Atje ai ka studiuar në universitetet elitare të Berkeley-t dhe Princeton-it. "Ka njerëz që nuk e pëlqejnë theksin tim amerikan kur flas anglisht," thotë ai duke qeshur. Por ai flet edhe letonisht, rusisht dhe frëngjisht: "Unë kam studiuar në Francë. Ime shoqe është gjysmë gjermane gjysmë letoneze dhe unë kam punuar për "Radio Liberty" në Mynih." Muižnieks shpreson që këto përvoja ta ndihmojnë në bashkëpunimin me 47 vendet anëtare të Këshillit të Evropës.

Áutor: Daphne Grathwohl/ Aida Cama

Redaktoi: Vilma Filaj- Ballvora