1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Nikoliqi po e dëmton edhe Serbinë

Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq, me deklaratat e tij "të ashpra dhe jodiplomatike" ka dëmtuar raportet fqinjësore dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit. Ai ka dëmtuar edhe rrugën e Serbisë drejt BE-së.

Eurodeputetja Doris Pack

Eurodeputetja Doris Pack

Deklaratat e presidentit të ri të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, po shkaktojnë debate të shumta edhe në Bruksel. Krerët evropianë kanë përsëritur disa herë se nga Serbia presin të vazhdojë rrugën e integrimeve dhe bashkëpunimit me vendet fqinje. Kjo kërkohet edhe nga presidenti dhe qeveria e re, e cila ende nuk është krijuar.

Presidenti i ri i Serbisë Tomisllav Nikoliq pritet për bisedime në Bruksel me 14 qershor, ku do të takohet me krerët e Komisionit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Eurodeputetja Doris Pack thotë se deklaratat e Nikoliqit pas marrjes së postit të presidentit janë të "befasishme dhe të pakuptueshme".

Deklaratat që Serbinë e kthejnë mbrapa

"Shpresoj se kjo është pasojë e mungesës së përvojës së tij në postet e larta të shtetit. Ai duhet të dëshmojë para nesh dhe para të gjithë atyre që i kanë dhënë votën se është i interesuar për përparimin e Serbisë dhe jo për kthim mbrapa. Ajo që ka bërë deri tani Serbinë e kthen mbrama", pohon Doris Pack, në një deklaratë për Deutsche Welle-n.

Në Bruksel deri tani thuhet se kanë besim të plotë tek deklaratat e Nikoliqit, i cili gjatë fushatës elektorale ka premtuar se do të vazhdojë rrugën evropiane të Serbisë. Por ka dhe të tillë që thonë se BE-ja duhet të përgjigjet ndaj Nikoliqit me të njëjtën gjuhë - "të ashpër dhe jodiplomatike".

Doris Pack rikujton se Nikoliqi kaherë është në politikë. Ai ka qenë ndër nacionalistët më të mëdhenj dhe tani po përpiqet të ndryshojë këtë imazh. "Por tani po e shohim se ai nuk ka ndryshuar", thotë Pack dhe shton: "Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në vlerësimet tona. Shpresoj se ai mund të ndryshojë gjërat që i ka bërë Serbisë, sepse Serbisë dhe rajonit i ka shkaktuar shumë viktima, e jo Bashkimit Evropian".

Duhet pasur kujdes në deklaratat për Srebrenicën

Pack pohon se nëse lideri i një vendi shpreh mendime si ato të Nikoliqit për Srebrenicën dhe Vukovarin, atëherë me atë lider duhet pasur shumë kujdes. Ajo u bën thirrje krerëve të BE-së që presidentit të Serbisë t'i thonë hapur se me deklarat e deritanishme nuk ka ndihmuar fare vendin e tij në rrugën drejt BE-së. Evropa duhet të shpreh qartë mendimin e vet ndaj këtyre deklaratave.

"Do të ishte dëm i madh nëse Nikoliqi mbetet në këto pozicione", thekson Doris Pack. Por ajo shpreson se presidenti i ri serb mund të përmirësohet me kalimin e kohës dhe mund të bëhet një partner serioz në rrugën e Serbisë drejt integrimit në BE.