1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Nikoliqi gozhdës, Jahjaga patkoit

Nikoliq: Ëndrra për pavarësi e presidentes së institucioneve të përkohshme të Kosovës dhe Metohisë nuk do të realizohet. Jahjaga: Fatkeqësisht Nikoliqi ka mbetur ende në opsionet e vjetra radikale nacionaliste.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq kanë tri pika, të cilat i bashkojnë: ata duan që qytetarët e tyre të jetojnë më mirë, që të avancojnë në procesin e integrimit evropian dhe nga e kaluara të kalojnë në të tashmen dhe të ardhmen. Ndërsa ka më shumë se tri pika, që i ndajnë ata. Nikoliqi në takimin e Brukselit, i cili sipas tij është historik vetëm pse është i pari, erdhi me platformën dhe zgjidhjen, nga e cila Serbia nuk do të largohet.

"Serbia nuk ka rrugë tjetër", ka thënë Nikoliq. "Rruga, të cilën Serbia e ka zgjedhur për Kosovën dhe Metohinë, nuk është një rrugë e ngushtë, por e gjerë, ku shqiptarët mund ta gjejnë veten dhe që mund të na ndihmojë për të jetuar më mirë. Nëse institucionet e përkohshme në Prishtinë do të këmbëngulin për pavarësi, siç edhe bëri sonte zonja Jahjaga, pa as edhe një fjalë të vetme, që do të ofronte një zgjidhje tjetër, atëherë ne vështirë se do të jemi në gjendje për të arritur një marrëveshje dhe pa një marrëveshje ne vështirë se do të jetojmë mirë dhe në paqe."

Jahjaga: Ka kaluar koha e hegjemonizmit

Ndërsa presidenti serb propozon një marrëveshje, "që do t'i mundësonte Kosovës të sendërtohet plotësisht dhe të zhvillohet pothuajse si një shtet i pavarur", për presidenten e Kosovës: "Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, statusi i të cilit është çështje e mbyllur dhe e pakthyeshme". "Për fat të keq Nikoliqi ka mbetur në opcionet e vjetra radikale nacionaliste, të cilat kanë shkaktuar shumë dëme jo vetëm në vendin tim, por në të gjithë rajonin. Unë pres nga populli serb, që të pranojë ndryshimet pozitive, frymën e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. Kjo është koha e integrimit, jo e hegjemonisë. "

Jahjaga në Bruksel tha po ashtu, se "nuk ka çështje të veriut" dhe se Kosova është një vend sovran dhe i pavarur, e cila çështjet e saj të brendshme nuk do t'i shqyrtojë me "askend dhe askund", por do të kërkojë zgjidhje në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të saj: "Bisedimet për autonomi janë të papranueshme sepse ato do të nxisnin zhvendosjen e serbëve nga pjesët e tjera të Kosovës", tha Jahjaga.

Nga ana tjetër, BE-ja thotë se është e kënaqur me faktin se ka ardhur deri te mbajtja e takimit të parë të presidentëve të Serbisë dhe Kosovës dhe ky është një hap tjetër drejt normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe. Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, beson se atmosfera e takimit ishte e hapur dhe konstruktive: "Si presidenti Nikoliq, ashtu dhe presidentja Jahjaga më siguruan për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre për dialogun dhe çështjet evropiane. Nga ana ime unë u konfirmova atyre perspektivën evropiane të Serbisë dhe Kosovës dhe u bëra thirrje të dy palëve, që të vazhdojnë të jenë të përkushtuara në përparimet e mëtejshme drejt BE-së, mbi bazën e parimeve të parashtruara në Këshillin e BE-së në dhjetor."

Autor: Marina Maksimoviq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica