1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nikoliq: zgjedhjet në Kosovë sfidë e madhe

Bahri Cani3 Qershor 2014

Serbia ende nuk ka marrë qëndrim përfundimtar për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e Kosovës. Presidenti i Serbisë Nikoliq thotë se vendimi do të merret së shpejti.

https://p.dw.com/p/1CAwh
Tomislav Nikolic Presidenti i Serbisë
Fotografi: REUTERS

Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq deklaroi pas takimit në Beograd me ministrin britanik për Evropën David Lidington se "Serbia me hapa të mëdhenj po shkon drejt Bashkimit Evropian" dhe se ajo "po punon për normalizimin e raporteve me Prishtinën". Por Beogradi, sipas tij, tani po përballet me probleme dhe sfida të mëdha, që kanë të bëjnë me zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.

"Udhëheqësia e Serbisë së shpejti do të marrë një qëndrim të përbashkët për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. Është shumë me rëndësi të dihet se në çfarë kushtesh do të votojnë qytetarët atje dhe cilat janë dobitë nga këto zgjedhje", theksoi Nikoliq.

Serbët duhet të legjitimojnë përfaqësuesit e tyre

Ndërsa Lidington nënvizoi në një kumtesë se "Serbia ka bërë përparime të mëdha drejt BE, por edhe në dialogun me Prishtinën". Ai u bëri thirrje serbëve, që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, sepse "vetëm në këtë mënyrë mund të legjitimohen, për të mundur të bisedojnë me bashkësinë ndërkombëtare".

Lidington është takuar edhe me kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, të cilit i ka premtuar mbështetje për tejkalimin e pasojave të rënda të përmbytjeve të fundit. Lidington ka kërkuar nga Vuçiq që serbët të mos bojkotojnë zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Edhe ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq ka deklaruar se këto ditë do të merret vendimi përfundimtar për pjesëmarrjen apo jo të serbëve në zgjedhje. Serbët e veriut kanë kërkuar që nga fletvotimet të hiqen stema dhe simbolet e tjera të shtetit të Kosovës.