1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Nikoliq po përgatit një dokumet të ri për Kosovën

Krerët e politikës dhe të fesë në Serbi vazhdojnë ta mohojnë pavarësinë e Kosovës. Presidenti Tomisllav Nikoliq është duke përgatitur edhe një dokument të ri për "zgjidhjen" e çështjes së Kosovës.

Në dokumentin e fundit që është duke përgatitur presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq, çështja e Kosovës "duhet të zgjidhet sipas modelit të Tirolit të Jugut apo Republikës Serpska", njoftojnë burimet serbe. Presidenti Nikoliq ka përsëritur këto ditë se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe nëse ky shtrohet si kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Begradi do të hiqte dorë nga ky anëtarësim. Ndërsa kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq theksoi se "ende është tepër herët të flitet për zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës".

"Ne duhet të shohim se si do të veprojmë dhe çfarë duhet ndërmarrë, në qoftë se hapet kjo çështje", deklaroi Vuçiq për mediat serbe. Sipas tij, bisedimet në dialogun e Brukselit për Kosovën gjithmonë janë të vështira. "Nuk është me rëndësi që qytetarët të dijnë çdo detaj të ri. Me rëndësi është që këtë ta dinë ministrat dhe deputetët. Gjërat në Kosovë ndërkohë janë përkeqësuar", theksoi Vuçiq duke shtuar se për këtë "përkeqësim" ai ka njoftuar edhe perfaqësuesit e Bashkimit Evropian. Krerët e Serbisë kanë përsëritur kërkesën që bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë të ketë edhe të drejta ekzekutive.

Përgatitje për "heqjen e strukturave të Serbisë"

Kandidati për kryetar bashkie në Graçanicë në zgjedhjet që do të mbahen më 18 janar, Nenad Rashiq, pohon se deklaratat e Nikoliqit dhe Vuçiqit për të drejta ekzekutive të bashkësisë së komunave me shumicë serbe nënkuptojnë përgatitjen e opinoinit për heqjen e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë. Deputeti në parlamentin e Kosovës mendon se kuvendi i Serbisë duhet të miratojë një ligj, i cili do të garantonte sigurinë sociale të serbëve në Kosovë. "Nëse vërtetë arrihet deri tek shpërbërja e institucioneve të Serbisë në Kosovë në prill të këtij viti, siç po flitet, atëherë duhet gjetur ndonjë mekanizëm për mbrojtjen e serbëve në Kosovë", pohon Rashiq duke shtuar se "Nikoliq dhe Vuçiq nuk duhet të harrojnë jo vetëm serbët në veri, por edhe ata në jug të lumit Ibër". Rashiq është i brengosur "për faktin që asgjë nuk dihet për dokumentin që po përgatit Nikoliqi, sepse ky dokument ende po mbahet sekret".

Kosova si kusht

Ministrja e Serbisë për Integrime Evropiane, Jadranka Joksimoviq, thotë se Marrëveshja e Brukselit është një realitet dhe një kornizë sipas së ciliës duhet vepruar, kur bëhet fjalë për integrimet evropiane të Serbisë. "Marrëveshja e Brukselit nënkupton që BE-ja e ka kuputar se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Por edhe ne duhet ta kuptojmë realitetin se një numër i madh i shteteve e ka njohur këtë pavarësi", theksoi Joksimoviq. Sipas saj, Marrëveshja e Brukselit është zgjidhja më e mirë e mundshme.

"Nuk është zgjidhje ideale, nuk është e mirë, por me këtë marrëveshje është hapur mundësia që bashkësia e komunave me shumicë serbe mund të krijojë një kornizë për mbetjen dhe përparimin e serbëve në veri të Kosovës", theksoi ajo. Normalizimi i plotë i raporteve mes Serbisë dhe Kosovës është përmendur shpesh si parakushti kryesor për anëtarësimin e Serbisë në BE. Ndërkohë që negociatat mes BE-së dhe Serbisë do të duhej të fillojnë me hapjen e kapitullit 35, i cili nënkupton normalizimin e raporteve Prishtinë - Beograd. Në shkurt do të duhej të vazhdonte edhe dialogu mes kryeminsitrave të rinj të Kosovës dhe Serbisë: Isa Mustafa- Aleksandar Vuçiq.