1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Nietan: „Sa kohë që gishti ngrihet vetëm kundër tjetrit e nuk sqarohen të gjitha akuzat, nuk ka sukses!“

Zëvendëskryetari i komisionit parlamentar gjerman për çështjet europiane dhe anëtari i komisionit të jashtëm, Dietmar Nietan mbi zhvillimet aktuale dhe nevojën urgjente të ndryshimit të kulturës politike në Shqipëri.

Dietmar Nietan SPD

Politikani socialdemokrat gjerman, Dietmar Nietan

DW: Politika shqiptare ka prodhuar shpesh skandale këto vite, këtë herë skandali i akuzave të një deputeti ka tronditur rëndë vendin. Si tingëllojnë ato për ju si politikan gjerman akuza kaq të rënda ?

Dietmar Nietan: Sigurisht jam shumë i shqetësuar kur i dëgjoj akuza të tilla dhe nuk mund të gjykoj që nga Gjermania sa të vërteta, inskenime apo sa propagandë kanë brenda ato. Por ajo që më bie në sy është, e nëse më lejohet ta them kështu, se të gjitha argumentat që sjell opozita e sotme kundër disa politikanëve e lidhjeve të tyre me krimin e organizuar apo injorancën e qeveritarëve –pra të njëjtat argumenta para disa vitesh i bënte pala tjetër socialistët, kur të këqinjtë ishin tek qeveria Berisha. Tani dëgjoj të njëjtat argumenta me kah të ndryshuar, por mua më duket se pavarësisht nga zhvillimet aktuale në Shqipëri ajo që duhet të ndryshojë është kultura politike, konkurrenti politik nuk është armik që duhet eliminuar. Ai është një bashkëkonkurrues, le ta quajmë edhe kundërshtar, por duhet të ekzistojnë mundësitë që për çështje themelore mes një opozite dhe qeverie të ketë një lloj konsesusi dhe gadishmërie nga të dyja palët. Kjo i mungon në Shqipëri të dyja palëve.

Në xhunglën e akuzave e kundërakuzave të këtyre ditëve, saqë kur i dëgjon këto mund të pyesësh a kemi të bëjmë ende me politikanë, prokuroria është vënë dukshëm në veprim, por si mund të arrihet transparenca e vërtetë?

Nietan: Sigurisht që këto zhvillime janë shqetësuese ajo që do të dëshiroja unë që të gjitha institucionet të bëjnë çdo gjë që është e mundur për të sqaruar akuzat dhe të mos krijohet përshtypja se gjërat po fshihen. Edhe në Shqipëri kemi të bëjmë me një vend ku pushtetet janë të ndara. Pyetja nëse dikush jep vrasje me porosi ose jo nuk e merr përgjigjen në media, as në parlament, por nga prokuroria, e cila i trajton ato dhe në rast nevoje sqarohen para gjyqit. Këtë duhet ta kuptojnë më në fund elitat politike në Shqipëri dhe në fund të fundit ato nuk i sjellin asnjë të mirë vendit me këtë nxitje urrejtje nga të dyja palët si qeveria edhe opozita, por ajo që duhet bërë është forcimi i institucioneve, duhet të kemi gjykata të pavarura, prokurori të pavarur, media të pavarura etj, duhet thyer ky rreth vicioz, ndryshe kështu Shqipëria nuk do të përmbyllë dot me sukses rrugën në BE.

Opozita ka kërkuar këto ditë dorëheqjen e Ilir Metës, me të cilën u lidhën akuzat. Kur duhet të një president parlamenti të japë dorëheqjen?

Nietan: Duhet thënë se është në fuqi pafajësia sa kohë nuk janë provuar akuzat dhe nuk mundet që një akuzë e strukturuar aq mirë të bëjë që një politikan të dorëzojë postin. Nuk duhet bërë fjalë për dorëheqje, por për zbardhje të së vërtetës. Prandaj dua ta them në këtë pikë shumë qartë: Mua më habit fakti që përfaqësues të partisë demokratike tani arrijnë të dallojnë se me gjasë ka gjëra të dyshimta që lidhen me Metën, por kur partia e Ilir Metës u ndihmoi të vinin në pushtet këto gjëra nuk ju interesonin. Prandaj mund të pyesësh se sa e besueshme është një parti demokratike që thotë tani sa i keq është Meta, megjithëse ajo për vite të tëra bashkëpunoi me të. Tani nuk është koha për kërkesa dorëheqjeje por pëmes ndarjes së pushteteve duhet të bëhet hetimi i të gjitha akuzave. Kjo është detyrë për secilën palë, pavarësisht nëse është në qeveri apo opozitë.

Në vitin 1991 parlamenti shqiptar kishte deputetë pa përvojë demokratike, por sot 25 vjet më pas të dyja palët politike flasin për dekriminalizimin. Pra brenda parlamentit do të thotë kjo që ka elementë me të shkuar kriminale. Çfarë ka ndodhur në Shqipëri që punët të vijnë deri në këtë pikë?

Nietan: Kjo natyrisht është shumë shqetësuese, por unë dua të shoh fakte, dua që prokurorë të pavarur të kryejnë hetime që të bëjnë publike rezultatet e tyre dhe të ketë transparencë. Cilat akuza qëndrojnë, cilat janë thjesht të paqëndrueshme? Të gjithë ata që e kanë në zemër të ardhmen e popullit shqiptar duhet të lenë mënjanë ndezjen e baterive të bejetës retorike, por duhet të kujdesen që të ketë zbardhje tësë vërtetës dhe transparencë. Por më lejoni edhe diçka për opozitën, sigurisht ajo ka detyrë të kontrollojë qeverinë e të ngrejë akuza, por dua ta them qartë se hetimet nëse ka elementë kriminalë nuk duhet të shtrihen vetëm tek partitë qeverisësë të tanishme, por partia demokatike duhet të jetë e gatshme dhe të thotë, po, ne do të jemi të gatshëm të hetojmë nëse ka pasur afera kriminale edhe në kohën e qeverië Berisha. Përshtypja ime është se për këtë partitë nuk janë të gatshme. Socialistët më thonë se sa kriminelë janë ata të Berishës, demokratët se sa kriminelë janë socialistët apo partia e Metës. Sa kohë që gishti ngrihet vetëm kundër tjetrit, dhe nuk sqarohen të gjitha akuzat, nuk do të ketë sukses.

Mund të çuditesh tani kur dëgjon si munden elementë me të shkuar kriminale të hyjnë në parlament, por po të kujtosh janë vetë krerët e partive që i bëjnë listat e kandidatëve për deputetë. A nuk duhet ndryshuar diçka këtu që në krye të herës?

Nietan: Unë jam socialdemokrat gjerman dhe nuk dua të flas nga lart e t'u them si t‘i bëjnë gjërat miqtë shqiptarë, por mund të them përvojën tonë: Ne në Gjermani kemi përvojë shumë të mirë me at që listat nuk i bën një kryetar partie, por partia vetë në terren dhe një kongres partie në përballje demokratike bën listat për parlamentin. Ndoshta mund të mendohet edhe për këtë në Shqipëri.

Shqipëria është vend kandidat për në BE me perspektivë hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Si ndikojnë skandale të tilla, apo gjendja aktuale në këtë proces?

Nietan: Ato kanë ndikim jo të drejtpërdrejtë, sigurisht integrimi shihet nga bisedimet konkrete, vlerësimet e vazhdueshme për objektivat e vëna, ky është një proces politik,por edhe teknik ku shikohet çfarë është arritur dhe çfarë jo. Por kemi një ndikim jo të drejtpërdrejtë në kuptimin, që në një vend ku opozita dhe qeveria vetëm luftohen, kur një parti që sapo siguron mazhorancën nxjerr në rrugë një numër të madh punonjësish të aparatit politik dhe i zëvendëson me njerëzit e saj, pra një vend ku sundon një kulturë e tillë politike nuk gëzon ndonjë imazh të mirë dhe kjo nuk është nxitëse për integrimin në Bashkimin Europian.