1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Niediek: Kosova nuk ka bërë hapa përpara

Intervistë e Deutsche Welle-s me analistin gjerman Norbert Mappes Niediek, me rastin e trevjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

default

Norbert Mappes - Niediek, gazetar dhe autor librash- punon për disa gazeta kryesore gjermane dhe austriake

DW: Tre vjet më parë, më 17. shkurt 2008, Kosova u shpall e pavarur. Sa ka ecur ajo sot?

Niediek: Kosova nuk ka ecur fare në këto tre vjet. Është e vërtetë që shpallja e pavarësisë e hoqi një problem. Por kush e ka lidhur atë me shpresën se klasa politike kosovare tani e tutje do të merrej me problemet strukturore të vendit, është zhgënjyer.

DW: Tani ajo ndodhet përpara një koalicioni të ri dhe si president do të ketë një biznesmen nga Zvicra. Pritet tani ndonjë përmirësim?

Niediek: Ky është kombinimi më i keq që ka mundur të bëhej, sepse këtu janë bërë bashkë klientelistët. Unë mendoj se kjo qeveri do të merret vetëm me ndarjen e pjesëve. Ata nuk po bëjnë as përpjekjen më të vogël për të treguar vullnetin e tyre për reforma politike. Pacolli njihet në perëndim si partner i ngushtë i demokraturave të Azisë Qendrore dhe i Boris Jelcinit, pra presidentit më të korruptuar që ka pasur Rusia. Fakti që ky njeri tani do të bëhet president i Kosovës duket si karikaturë.

DW: Cila do të kishte qenë zgjidhje më e mirë?

Niediek: Edhe një i ashtuquajtur koalicion i madh do të kishte qenë më mirë. Po të shohësh se si e ka organizaur Pacolli në vitet e fundit veprimtarinë e tij si opozitar mund të thuhet se e tëra ishte një reklamë për të fituar tenderët. Pra, afria mes dy partive është bërë mbi baza biznesi, e jo politike. Kjo është një parashenjë shumë e keqe për një qeveri të re.

DW: Cila është sfida më e madhe e kësaj qeverie sipas mendimit tuaj?

Niediek: Detyra kryesore e një qeverie kosovare është që të mbledhë donacione për projekte që e çojnë vendin përpara. Donatorët duhet të kenë sigurinë që paratë do të shpërndahen në mënyrë të rregullt, e jo sipas kritereve të përkatësisë partiake. Për këtë nevojitet besueshmëri. Por kjo është thyer tashmë. Ministra, si për shembull Fatmir Limaj, i cili është liruar nga Haga për mungesë provash dhe qëndron sërish përpara një procesi të ri për korrupsion, nuk janë kartëvizitë e mirë për mbledhjen e donacioneve.

DW: Vitin e kaluar qeveria e Kosovës u konfrontua me akuzat e Dick Martyt në Këshillin e Evropës. Sa i besoni ju vetë atyre?

Niediek: Raporti i Dick Marty-t ndahet në dy pjesë: Nga njëra anë është një analizë politikë e asaj që bashkësia ndërkombëtare ka bërë në Kosovë që nga viti 1999, nga ana tjetër është konturi i hetimeve që mund të bëhen në lidhje me trafikimin e organeve. Sa i përket pjesës së parë, duhet thënë se aty ka shumë gjëra që janë të vërteta. Për shembull kur flitet se si Bashkësia Ndërkombëtare mbas vitit 1999 u lidh me njerëzit e gabuar, se si u mjaftua që gjeti dikë që kishte pushtet për të realizuar kërkesat e saj dhe kujtoi se nuk kishte nevojë të ndërtonte demokracinë. Por ajo çka e bën të tërën paksa problematike, është se analiza vjen nga dikush, i cili që në fillim e ka hedhur poshtë politikën e perëndimit e që në konfliktin e viteve 90-të ishte më shumë në anën e Beogradit. Kurse sa i përket historisë së organeve, unë vazhdoj të jem skeptik, sepse ato janë histori që qarkullojnë dhe që tregohen vazhdimisht në të gjitha vendet e botës, por asnjë nuk është konfirmuar. Marty e ka thënë se nuk ka gjetur dëshmi. Kështu që ajo që ka shkruar ai së fundi ka karakter thashethemesh.

DW: Tre vjet mbas shpalljes së pavarësisë, marrëdhëniet me Serbinë gjithashtu kanë mbetur në vend. Çfarë mund të bëjë qeveria e re në këtë drejtim?

Niediek: Qeveria duhet të dalë me një nismë të re ku të surprizojë edhe bashkësinë ndërkombëtare, e cila reagon vetëm kur ka ndonjë gjë akute. Por me sa duket askush nuk është i interesuar që të zgjidhë këto çështje. Këtu nuk e ka fajin vetëm Kosova, por edhe Beogradi. Çuditërisht qeveria e sotme serbe, e cila tani është nën presion, ka ngecur shumë tek çështja e Kosovës. Më pak flet për Kosovën aktualisht opozita radikale e Tomisllav Nikoliçit, se sa ministri i Jashtëm liberal i shkolluar në Amerikë, Vuk Jeremiç. Kjo është një situatë paradoksale dhe deri në vitin 2012, kur në Serbi të ketë zgjedhje, kjo qeveri demokratike nuk do të lëvizë asgjë gur në çështjen e Kosovës.

DW: Si do të vazhdojë politika perëndimore ndaj Kosovës? A do të vazhdojë mbështetja me të njëjtin intensitet si më parë?

Niediek: Gjermania ka interes që Kosova të ketë reputacion të mirë në botë, që ajo të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, prandaj edhe ajo do të vazhdojë të jetë miqësore ndaj Kosovës. Gjermania e ka ditur që më parë se sa e korruptuar është elita politike në vend. Raporti i perëndimit ndaj elitave në Kosovë do të ndryshojë vetëm atëherë, kur njerëzit, që edhe ashtu janë shumë të pakënaqur dhe shumë të inatosur me këtë teatër politik, do të ngrenë zërin. Atëherë ka mundësi që perëndimi të ndërmarrë diçka, si për shembull të ngrijë fondet.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 18.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10IS8
  • Data 18.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10IS8