1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Niebeli në mision ndërmjetësimi

Të enjten (4.8.) dhe të premten ministri gjerman për Zhvillimin, Dirk Niebel viziton Shqipërinë. Ai ndër të tjera do të ndërmjetësojë në një konflikt të vazhdueshëm mes dy kampeve të mëdha politike.

Ministri Niebel do të ndërmjetësojë

Ministri Niebel do të ndërmjetësojë

Shpesh herë me zë të ngjirur, thuajse si duke u përbetuar kryeministri robust 66 vjeçar deklaron: „Shumica është e vendosur, që të respektojë votën e çdo qytetari shqiptar."

Por jo kushdo i beson kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Qysh prej dy vjetësh - kaq kohë kanë kaluar nga zgjedhjet e fundit parlamentare - në Shqipëri praktikisht nuk bëhet politikë për qytetarët, sepse politikanët janë tërësisht të preokupuar me akuzuat ndaj njëri-tjetrit për manipulim në zgjedhje. Grindja e kampeve të mëdha politike arriti kulmin në fillim të vitit me trazira të përgjakshme me katër viktima. Ata që shpresuan se tashmë është tejkaluar turbullia e zgjedhjeve lokale të majit, u zhgënjyen. Shqipëria është larg kushteve normale politike.

Një ring boksi

Kryeqyteti Tirana të le përshtypjen e një ringu boksi, në të cilin dy gjaknxehtë karizmatikë thuajse me të njëjtën ritëm e bllokojnë njëri-tjetrin, sepse ata nuk mund të fitojnë dhe as nuk mund të humbin. Nga njëra anë qëndron Sali Berisha, dikur një kardiolog dhe mjeku i diktatorit të fundit Enver Hoxha, i cili e mbajti Shqipërinë për disa dhjketëvjeçarë të izoluar. Berisha është sot në krye të partisë demokratike në pushtet. Nga ana tjetër Edi Rama, 47 vjeçar, pofesor arti dhe ish-basketbollist, për vite me radhë kryebashkiak i Tiranës dhe kryetar i socialistëve. Ai nuk do të jetë humbës:

„Shqipëria ka nevojë për shembullin dhe fuqinë e jashtëzakonshme të Tiranës. Eshtë dita të flisni me votë për papunësinë, çmimet, padrejtësinë dhe rrenat e pafundme që i dëgjoni për vite me rradhë.“

Të gjithë duan të fitojnë

Kushdo do të fitojë, askush nuk do të jetë i humbur. Ky është në të vërtetë problemi i Shqipërisë. Vetëdija se duhet pranuar rezultati i zgjedhjeve, edhe kur ai është me diferencë të ngushtë mungon. Pasojë kjo e manipulimeve për vite me radhë të zgjedhjeve në vitet 90-të dhe një trashëgimi e diktaturës më të ashpër në Evropë, që sundoi në Shqipëri deri në kohën e kthesës në 1990/91.

Ministri gjerman i zhvillimit Niebel në një konferencë shtypi

Ministri gjerman i zhvillimit Niebel në një konferencë shtypi

Një studente në Tiranë mendon: "Politikanët duhet të mendojnë më shumë për studentët, për punësimin, për trajnime, pra kërkojmë diçka të re, që të ofrohen në rradhë të parë vende pune, sepse mbarojmë shkollën dhe s'kemi ku të punojmë. Shpresojmë tek një ndryshim që të jetë për mirë. Rinia mbahet si leva e një shoqërie. Ne duam të jetojmë këtu dhe prandaj mendojmë për një jetë më të mirë."

Por për këtë shanset janë tani më keq se kurrë. Nga Brukseli vazhdimisht bëhet thirrje, që më në fund t'i vihet gishti kokës dhe të çohet përpara ekonomia. Një inxhiniere e re që kërkon punë prej disa muajsh thotë: „Politikanët duhet të ndryshojnë, sepse ështe shumë keq këtu në Shqipëri. Ne kërkojmë punë, shkolla dhe rrugë të mira."

Për këtë pret më kot edhe miku i saj: "Eshtë shumë e vështirë në Shqipëri, shkollë, punë, tani ne kemi shumë të papunë."

Deri tani politika e bllokuar ka bërë pak përpjekje për ta ndryshuar këtë. Përkundrazi: pas trazirave të ashpra në fillim të vitit investitorët e huaj u tërhoqën. Dhe padurimi i të rinjvë shqiptarë po shtohet gjithnjë e më shumë: "Ne duam që Shqipëria të bëhet si gjithë Europa. Tani ne jemi më të fundit në Europë, jemi më të varfërit", thotë një i ri.

Dirk Niebel do të përpiqet të arrijë atë, që nuk e kanë arritur deri tani nëpunës të lartë nga Brukseli - uljen e të dyja kampeve të armiqësuara në një tryezë. Bashkëpunimi në vend të armiqësive. Të rinj shqiptarë nëse i pyet, se ku do të preferonin të ishin tani:

„Në Gjermani, sepse Gjermania është vendi më i mirë në Evropë, atje ka më shumë rend. E kështu është më mirë. “

Një fjali kjo, që Dirk Niebel do ta dëgjojë shpesh - por me këtë nuk mund mund t'u ndihmohet shqiptarëve.

Autor: Andreas Meyer Feist/ Mimoza Cika Kelmendi

Redaktoi: Auron Dodi

DW.COM