1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ngrohja globale shkaktohet nga aktivitet e njeriut

Këshilli Botëror i Klimës paraqiti të shtunën në Valencia të Spanjës pjesën e katërt dhe të fundit të raportit për klimën.

default

Gati 5000 shkencëtarë dhe ekspertë morën pjesë në publikimin e raportit më të fundit për klimën, ndërsa delegatë nga afro 150 shtete miratuan "Përmbledhjen për vendimmarrësit politikë". Nuk e negociuan, por e miratuan, theksoi shefi i këshillit për klimën globale, Raxhendra Paçauri (Rajendra Pachauri): „Ky është një dokument i shkruar nga shkencëtarët dhe në fund janë autorët e këtij raporti, ata që do të pranojnë ose refuzojnë komentet e qeverive. Meqë raporti do t'u drejtohet personave që marrin vendimet, faktet shkencore duhen paraqitur në mënyrë të tillë që ato të pranohen edhe nga këta persona, që janë përgjegjës për marrjen e vendimeve. Kjo nuk ka të bëjë aspak me negociatat."

Ne po përjetojmë transformim klimaterik të shkaktuar nga njerëzit

Gjë që nuk do të thotë që ky proces votimi nganjëherë të mos kthehet nganjëherë në torturë. Nevojiteshin seanca deri në mbrëmje vonë ose madje deri në orët e mëngjesit për ta bërë gati përmbledhjen 23 faqëshe. Mesazhi i saj është i qartë: ne po përjetojmë një transformim klimaterik të shkaktuar nga njerëzit, ndoshta shumica e të cilit është shkaktuar nga gazrat e efektit serrë. Rritja e temperaturave mund të dobësohet deri në një farë mase, por hë për hë jo.

Pasojat do të varen nga forca me të cilën do të luftohet ngrohja globale

Skenarët e mundshëm të skicuar nga Këshilli i Klimës Botërore dëshmojnë se reduktimi i gazrave të efektit serë përbën një çelës të rëndësishëm për të kufizuar pasojat e tranformimit klimaterik. „Kjo është shumë e rëndësishme. Në se duam të ndërmarrim diçka, atëherë emisioni i gazrave karbonikë do të duhet të ketë një çmim të lartë, dhe kjo na detyron të lëvizim drejt një industrie që prodhon më pak gazra karbonikë", tha më tej Paçauri.

Kjo njëkohësisht do të thotë heqjen dorë nga prodhimi i energjisë me gaz, qymyr dhe naftë, djegja e të cilave ka si efekt një sasi të madhe dioksidi karboni. Një e vërtetë, të cilën jo çdo kush ka dëshirë ta dëgjojë. Prandaj edhe prodhuesi i naftës, Arabia Saudite, ishte një nga frenuesit kryesorë në negociatat për miratimin e raportit.

Gjermania synon ftohjen prej dy gradësh

Delegacioni gjerman do të kishte dëshiruar që të formulohej synimi për ta reduktuar ngrohjen globale në maksimumi 2 gradë. Por tani këtë duhet ta vendosin shtetet në konferencën për Klimën Botërore në Bali, kështu sekretari i shtetit për mjedisin, Mihael Myler (Michael Müller), që drejtonte delegacionin gjerman: „Sot kemi matur një ngrohje globale prej 0,8 gradësh. Kemi një sistem klimatik, fragmenti frenues i të cilit zgjat afro 4 dekada. Pra, ne sot nuk mund të shmangim dot një ngrohje prej 1,4 ose 1,5 gradësh. E vetmja gjë, për të cilën mund të përpiqemi është që të marrim masa për të frenuar 0,5-shin e fundit tek synimi 2 gradësh", thotë Myler.

Bëhu ti ai transformim, që pret nga bota


Vetëm kështu do të mund të kufizohen pasojat e pashmangshme të transformimit klimatik. Përndryshe ka rrezik që të konfrontohemi me ngjarje të paprituara dhe të paparashikuara, të cilat nuk i kthejmë dot mbrapsht. Shefi i Këshillit Botëror për Klimën, Raxhendra Paçauri, vëren se jo vetëm politika, por edhe individët mbajnë përgjegjësi: „Unë dua ta mbyll me një citat nga Mahatma Ghandi", tha ai në përfundim të prezantimit të raportit. "Bëhu ti ai transformim, që pret nga bota" - ne kemi nevojë për një etikë të re, ku çdo individ e njeh rëndësinë e sfidës që kemi përpara, dhe bëhet aktiv për ta përballur atë, duke ndryshuar stilin e jetesës dhe sjelljen e qëndrimin e tij."

  • Data 17.11.2007
  • Autor Reinhard Spiegelhauer
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CIT7
  • Data 17.11.2007
  • Autor Reinhard Spiegelhauer
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CIT7