1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ngrihet aktakuzë për vrasje terroriste kundër Zschäpe

Beate Zschäpe, akuzohet për vrasje terroriste, për plaçkitje dhe hedhje bombash. Por një vit pas zbulimit të vrasjeve terroriste, ende nuk kanë pushuar kritikat ndaj autoriteteve gjermane të sigurisë.

Neonazistja Beate Zschäpe

Neonazistja Beate Zschäpe

Një ekstremiste e djathtë në Gjermani akuzohet për vrasje. Beate Zschäpe do të përgjigjet për veprat: krijim i një grupi terrorist dhe bashkëveprim në 10 vrasje, 15 plaçkitje bankash dhe një sulm me mjete eksplozive. Këtë vendim e kumtoi Prokurori i Përgjithshëm federal për çështjet e terrorizmit, Harald Range. Zschäpe është personi i vetëm që ka mbijetuar nga grupi terrorist prej tre personash, me emrin "Ilegaliteti nacionalsocialist" (NSU). Dy bashkëpunëtorët e saj kanë bërë vetëvrasje para një viti. Përveç kësaj është nisur edhe një proces gjyqësor kundër katër personave të tjerë, të cilët akuzohen për mbështetjen e terroristëve.

Gjërat duhet të shpjegohen deri në fund

Neonazistja Beate Zschäpe dhe bashkëpunëtorët Uwe Böhnhardt (l-r), Uwe Mundlos

Neonazistja Beate Zschäpe dhe bashkëpunëtorët Uwe Böhnhardt (l-r), Uwe Mundlos

"Aktakuza është ngritur, gjërat janë shpjeguar", deklaroi ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich (CSU) në Parlament, një vit pas zbulimit të serisë së vrasjeve. Ai i falënderoi të gjitha autoritetet për hetimet e bëra në 12 muajt e fundit. "Kemi premtuar se t'i zbulojmë gjërat dhe kjo është bërë", tha ai.

Por opozita mendon ndryshe. "Gjatë këtij viti keni bërë tepër pak", deklaroi politikania socialdemokrate, Eva Högl. Friedrichu "nuk është angazhuar sa duhet" dhe "nuk ka qenë i vendosur sa duhet për të zbardhur të gjitha akuzat ndaj organeve për mbrojtjen kushtetuese, të cilat kanë zhdukur dosjet". Högl pohon se kjo ka dëmtuar shumë rëndë besimin ndaj këtyre autoriteteve.

Para një viti, më 4 nëntor 2011, në Ajzenah u përfshi nga flakët një automjet për kampim, ku u gjetën trupat e djegur të dy personave të cilët më parë kishin bërë vetëvrasje. Ata ishin terroristët e djathtë Uwe Böhnhardt dhe Uwe Mundlos. Më vonë u dorëzua edhe bashkëpuntorja e tyre Beate Zschäpe. Detajet e bëra publike më vonë kanë shokuar Gjermaninë. Me vite të tëra këta tre persona ka vrarë persona me origjinë të huaj në Gjermani, turq apo grekë, si dhe një police, pa u zbuluar. Në një pjesë të banuar me të huaj në Këln kanë hedhur edhe një bombë. Megjithë këto krime ata nuk u zbuluan për më shumë se 10 vite.

Policia nuk ka hetuar në skenën e djathtë terroriste, ndonëse ka pasur të dhëna për përzierjen e saj në këto vrasje. Autoritetet pohonin madje se pas këtyre vrasjeve qëndrojnë të huajt nga qarqe të ndryshme të kriminalitetit. Komisioni për hetime kishte emrin "Bosporus". Këto dyshime u dëshmuan në fund si krejt të pabaza.

Autor: Mathias Bölinger/ Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi