1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ngadalësohet ardhja e refugjatëve në Gjermani

Regjistrimi i refugjatëve të rinj në Gjermani u ngadalësua me një të tretën në shkurt, krahasuar me janarin. Por megjithë shtimin e punonjësve, mbeten rreth 400.000 kërkesa për azil ende pa u përpunuar.

Regjistrimi i refugjatëve të rinj në Gjermani u ngadalësua me një të tretën në shkurt, krahasuar me janarin. Këtë e bëri të ditur Ministria Federale e Punëve të Brendshme. Megjithë shtimin e punonjësve, mbeten rreth 400.000 kërkesa për azil ende pa u përpunuar.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere, stafi i të cilit është përballur me kërkesa për të përshpejtuar shqyrtimin e kërkesave për azil, publikoi i lehtësuar të martën të dhëna të reja për përpunimin e kërkesave për azil. Ai tha se në muajt janar dhe shkurt janë përpunuar dhe janë vendosur 100.000 kërkesa për azil.

"Kjo është një shifër më e madhe se pesë muajt e parë të 2015-ës së bashku", tha de Maiziere. Ai tha se shtimi "impresionues" i shifrës së përpunimit ka të bëjë me shtimin e numrit të punonjësve, punën jashtë orarit të tyre dhe përmirësimin e rrjedhave të punës.

Ende shumë kërkesa të patrajtuara

Zyra e tij, megjithatë, bëri të ditur se Zyra Federale për Migrimin dhe Refugjatët (BAMF), me seli në Nyrnberg, ende ka 393,155 kërkesa për azil të papërpunuara.

Objektivi që ka shpallur kreu i BAMF, Frank-Jürgen Weise është që BAMF të arrijë të marrë vendime për 1.2 milionë kërkesa për azil në vitin 2017 si dhe që të shkurtojë kohën e shqyrtimit të kërkesave. Koha për përpunimin e një kërkese, në vitin 2015 ishte mesatarisht 5,2 muaj.

Ngadalësimi i ardhjes së refugjatëve dhe përshpejtimi i përpunimit të kërkesave formale për azil në Gjermani vjen pas vendimit të mesit të shkurtit të Austrisë, për të frenuar hyrjet e refugjatëve në vend. Kjo u pasua nga një reagim zinxhir i shteteve ballkanike që mbyllën kufirin, duke i lënë refugjatët të bllokuar në Greqi.

Publikimi i këtyre të dhënave vjen edhe në prag të tri zgjedhjeve për parlamentet rajonale të dielën e ardhshme në Gjermani. Zgjedhje do të mbahen në Landin e Saksoni-Anhaltit, në Baden-Vyrttemberg dhe në Rheinland-Pfalc, ku prej muajsh refugjatët e ardhur kanë qenë në qendër të debatit.

Ngadalësim i ardhjeve të reja

Ministria e Brendshme e Gjermanisë bëri të ditur se që prej vitit të ri, numri i ardhjes së refugjatëve është pakësuar. Në krahasim me janarin, kur u regjistruan 91,671 persona të ardhur, në shkurt u regjistruan 61,428 refugjatë të rinj. Gati gjysma e të ardhurve të regjistruar, ose 24,612 vetë u identifikuan si sirianë, të ndjekur nga irakianët dhe afganët. Numri i personave të ardhur në dhjetor ishte 127,320. Në nëntor qenë regjistruar 206,101 refugjatë të rinj, bëri të ditur Ministria. Krahasuar me marrjen e vendimit të kërkesave për azil vitin e kaluar, ritmi i marrjes së vendimeve është rritur me 132 përqind, u bë e ditur.

Zëvendëskancelari i Austrisë në Berlin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të presë të enjten në Berlin zëvendëskancelarin e Austrisë, Reinhold Mitterlehner. Mitterlehner, i cili është edhe ministër i Ekonomisë i Austrisë dhe kryetar i Partisë Popullore konservatore të Austrisë, e mbrojti javën e kaluar qëndrimin restriktiv të Vjenës ndaj refugjatëve. Ai tha se synim i këtij qëndrimi ishte nxitja e dialogut brenda BE dhe reduktimi i qendrimeve emocionale.