1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Nga torturat në liri - Peisazhi i ri mediatik në Tunizi

Për dekada të tëra, ata u censuruan, u shtypën, u përndoqën dhe u torturuan. Ose thjesht iu përshtatën propagandës shtetërore. Tani në Tunizi ka liri shtypi. Si mund të durohen krejt papritur kaq mendime të ndryshme?

Pamje ilustruese

Pamje ilustruese

Fjala dhe fotografia ishte arma e tyre në luftë kundër diktatorit

Foto simbolike

Foto simbolike

Fahem Boukadous po shijon dritën e diellit. Ende nuk i besohet. Ai ndodhet me të vërtetë i ulur në Avenue Bourguiba, në bulevardin më të njohur të Tunisit - dhe mbush mushkëritë me liri. Përballë, ende e fshehur pas telave me gjemba, ndodhet Ministria e Brendshme: aty, në dhomat e marrjes në pyetje në bodrumet e ndërtesës kishte marrë hak ndaj shumë gazetarëve regjimi i Ben Alisë. Sepse fjala, sepse fotografia ishte arma e tyre në luftë kundër diktatorit ndërkohë të rrëzuar. Mbi 20 vjet punoi Fahem Boukadous kundër Ben Alisë. Këtë atij iu desh ta paguajë shtrenjtë, me tortura dhe me burgim. Sytë e Fahemit tregojnë se ai duhet të ketë përjetuar mundime të papërfytyrueshme. Për to ai nuk dëshiron të flasë më.

"Regjimi më ka damkosur gjithnjë si aktivist, si terrorist. Kurse tani mund të jem më në fund, ai që jam prej kohësh, dhe kjo është një ndjesi madhështore: Fahem Boukadous është tani fare zyrtarisht gazetar në Tunizi!"

Disa qindra metra më tej- në godinën e gazetës së përditshme La Presse Tunisie. Fouzia Mezzi është e lodhur - shumë orë gjumë kryeredaktorja e re nuk arrin të flejë. Ajo duhet të vendosë kokëposhtë një sistem të vjetër prej dekadash, të krijojë besim. Ajo duhet të vendosë rregull në një gazetë, e cila ishte e dënuar të bënte propagandë dhe vetëcensurë, ashtu si i gjithë shtypi i diktaturës represive të Ben-Alisë. Nuk është punë e lehtë.

Peisazhi mediatik ndryshon me një shpejtësi thuajse marramendëse

Gazetarët bëjnë jetë të rrezikshme

Gazetarët bëjnë jetë të rrezikshme

"Ne kemi një etos profesional gazetaresk, të cilin nuk na lejohej kurrë ta përdornim- kurse tani gjithçka është ndryshe. Tani duhet të konfirmojmë se cili është qëndrimi ynë ndaj vlerave të profesionit tonë. Po si veprohet me këtë liri? Ne duhet të mësojmë nga e para, që të jemi të lirë, që të durojmë mendimet e të tjerëve, të përballojmë debatet. Ne duhet të gjejmë veten në një shoqëri pluraliste. Për më shumë se 20 vjet këto kanë qenë fjalë boshe për ne!"

Tani, këto fjalë duhet të mbushen më në fund me përmbajtje. Dhe kjo, në një kohë kur peizazhi mediatik i Tunizisë ndryshon me një shpejtësi thuajse marramendëse. INRIC, komisioni i pavarur për reformën e medieve dhe të komunikimit punon tani në një ligj të ri për mediet - ai do të jetë baza për lirinë e vërtetë të medieve. Ndërkohë, po rritet shumëllojshmëria e medieve: interneti është i lirë, autoritetet shtetërore të medieve japin licensa të reja: deri tani, në të gjithë vendin është lejuar dalja e 120 gazetave, dhjetë stacioneve radiofonike dhe pesë stacioneve televizive.

 

Autor: Alexander Göbel / Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti