1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Nga Serbia pritet të tregojë "frymë evropiane"

Edhe pse në mes të shteteve anëtare të BE-së nuk ka ende konsensus rreth kandidaturës së Serbisë, të gjithë janë dakord se nga vendet që aspirojnë anëtarësimin pritet "frymë evropiane", e cila nënkupton bashkëpunimin.

Komisioneri për zgjerimin Stefan Füle.

Komisioneri për zgjerimin Stefan Füle.

Bashkimi Evropian shpreson se shpejt do të fillojë raundi i ardhshëm i dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës. Po ashtu shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, thotë se beson në aftësitë drejtuese të kryetarit të Serbisë, Boris Tadiq, dhe beson që ai sinqerisht dëshiron ta shohë Serbinë në Bashkimin Evropian:

"Nuk është e lehtë të jesh në krye të shtetit, dhe udhëheqje në këto kushte do të thotë se ai duhet të caktojë si prioritet interesat afatgjata të popullit të tij dhe mendoj se interesi afatgjatë është BE-ja. Nëse ai mund ta bëjë këtë atëherë edhe BE do ta ndihmojë në realizimin e tij."

Rikthimi i dialogut dhe përparimet konkrete

Edhe pse çështja e miratimit të statusit të kandidatit për anëtarësim në BE, për Serbinë do të duhej të jetë në axhendën e Këshillit në dhjetor, si ministrat e Jashtëm ashtu dhe liderët e vendeve të BE-së, në Bruksel jozyrtarisht mund t'i dëgjosh të flasin vetëm, për "prioritetin kyç"- ripërtëritjen e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës dhe se BE-ja dëshiron të shohë përparim konkret në drejtim të heqjes së barrikadave dhe mundësimit të lëvizjes së lirë në veri në Kosovës.

Ministri i Jashtëm francez, Alain Juppe, vlerëson se për të marrë "dritën jeshile" Beogradi duhet të bëjë përparim në dialogun me Prishtinën. Duke theksuar se në çështjen e kandidaturës së Serbisë nuk ka ende konsensus në mes të vendeve anëtare, Juppe shton se Serbia duhet të gjejë zgjidhje për çështjet që lidhen me Kosovën.

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle.

Westerwelle - Integriteti territorial i Kosovës për Gjermaninë "nuk vihet në diskutim"

Bashkëpunim e jo konfrontim

Edhe ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle nënvizon se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një nga kriteret evropiane të cilat duhet t`i përmbushë Serbia. Westerwelle thotë, se Gjermania mbështet zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, por nuk do të bëjë asnjë lëshim në këtë rrugë:

"Dua ta them qartë se prej atyre që pretendojnë të hyjnë në BE, presim që të tregojnë frymë evropiane. Kjo nënkupton bashkëpunimin e jo konfrontimin. Nga kjo varet edhe mbështetja jonë dhe përparimi i tyre".

Shefi i diplomacisë gjermane thekson se integriteti territorial i Kosovës për Gjermaninë "nuk vihet në diskutim", kështu që edhe kjo do të mirret në konsideratë kur të merret vendimi në dhjetor:

"Integriteti territorial nuk vihet në dyshim, bile as nga vendet që nuk e kanë pranuar Kosovën. Bile edhe ato shtete që nuk e kanë njohur Kosovën pajtohen me ne, se konflikti duhet të zgjidhet përmes bashkëpunimit dhe bisedimeve e jo konfrontimeve."

Guido Westerwelle po ashtu këshilloi që dhuna nuk mund të mbështetet apo tolerohet nga ana e atyre vendeve që duan të futen në Bashkimin Evropian. 

Autor: Marina Maksimoviq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama