1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Nga politika në ekonominë private - Kritika në Gjermani

Në Gjermani nuk ka rregullim ligjor për kalimin e politikanëve nga politika në poste me rroga milionëshe në ekonominë private.

Edhe pse Ronald Pofalla me sa duket nuk do të kalojë nga posti i ministrit pranë zyrës së Kancelares në atë të kryetarit të bordit të Hekurudhave Gjermane, ku do të merrte një rrogë 1,3 deri 1,8 milionë në vit, diskutimet në lidhje me të ashtuquajturën respektim të një periudhe kalimtare në rastin e kalimeve nga bartës funksionesh politike në poste lobimi po shtohen dhe vështirë se kalon një ditë që ndonjë politikan të mos shprehet për këtë. Eurodeputeti Elmar Brok (CDU) mendon se sipas rastit kjo periudhë kalimtare duhet të jetë një deri një vit e gjysëm. Eva Högl (SPD), juriste dhe nënkryetare e parlamentit gjerman, tha për Westdeutsche Allgemeine Zeitung se qeveria gjermane do të vetëangazhohet vullnetarisht për një gjë të tillë në tremujorin e parë të vitit 2014, dhe se nuk e quan me vend një rregullim ligjor për raste të tilla, sepse i konsideron si "ndalim të ushtrimit të profesioneve".

Organizata Lobbycontrol

"Lobbycontrol" kërkon periudhë kalimtare prej tre vjetësh për kalimin nga poste publike në ekonominë private

Politologu Timo Lange nga organizata "Lobbycontroll" thotë se ky argument është shumë i njohur dhe se sa herë bëhet fjalë për rregullim ligjor në këtë fushë të gjithë fillojnë e flasin për ndalim të ushtrimit të profesionit. "Në këtë rast nuk është fjala për ndalim ushtrimi profesioni per politikanët, sikurse e paraqesin," - thotë Timo Lange. Sipas Lange zërat që po dëgjohen lidhen edhe me faktin se ndryshe nga politikanë të tjerë që kanë kaluar nga politika në ekonominë private Pofalla do të kalonte në një sipërmarrje shtetërore, ku si të thuash do të shpërblehej me një rrogë milionëshe për meritat e tij si politikan.

Fenomen ndërkombëtar

Në Francë kalimi i politikanëve nga postet politike në poste me rroga mjaft të larta drejtuese në ndërmarrjet shtetërore njihet si "pantouflage", pra si këmbim patoflash të mëdha. Në SHBA ky fenomen njihet si "revolving door", pra si derë rrotulluese, kurse në Japoni quhet "amakudari" që do të thotë "zbritje nga qielli". Por në këto vende kalimi i politikanëve në poste të tilla lejohet vetëm pas një periudhe kalimtare prej dy vjetësh dhe kjo periudhë është e përcaktuar në ligj.

Shumëkush në Gjermani është i bindur se politika gjermane nuk do t'ia dalë që t'i shmanget për një perudhë afatgjatë rregullimit me ligj të rasteve të tilla. Por kërkesa të tilla si ajo e Hans Herbert von Arnim që periudha kalimtare të jetë pesë vjet, nuk duket se janë realiste. Organizata "Lobbycontroll" rekomandon një periudhë prej tre vjetësh.

Ronald Pofalla hesht sot për të gjithë këtë histori. Por para nëntë vjetësh kur ish-kancelari Gerhard Schrëder kaloi në krye të koncernit rus Gazprom Ronald Pofalla, që asokohe qe zgjedhur sekretar i përgjithshëm i partisë CDU, e kishte kritikuar fort në media këtë kalim duke thënë se Gerhard Schrëder e ka mendjen tek paratë.