1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

"Nga ndihma për Greqinë përfiton Gjermania"- Bundestagu debaton ndihmën për Greqinë

Pas vendimit të Grupit të Euro-s për mbështetjen e Greqisë, qeveria gjermane kërkon aprovimin e pjesës gjermane të paketës financiare. Por opozita ka kundërshtime

Kancelarja gjermane, Angela Merkel në Bundestag

Kancelarja gjermane, Angela Merkel në Bundestag

Në Berlin tani nuk duan të humbasin më kohë. Paketa e ndihmës për Greqinë duhet të miratohet që këtë javë. Si hap të parë, kabineti federal e miratoi në një mbledhje të jashtëzakonshme ndihmën miliardëshe. Gjithsej, programi i ndihmave kap shumën 110 miliardë euro, të cilat do të vihen në dispozicion në një periudhë tre vjeçare. Nga kjo shumë, FMN merr përsipër 30 miliardë euro dhe eurozona 80 miliardë euro, sqaroi kancelarja federale, Angela Merkel:

"Pjesa gjermane është 28%, kjo do të thotë për tri vjet rreth 22,4 miliardë euro. Nga këto para, vitin e parë do të shpenzohen 8,4 miliardë euro, në vitet 2011 dhe 2012 së bashku do të shpenzohen 14 miliardë euro. Në përputhje me madhësinë e saj, Gjermania përballon pjesën më të madhe të ndihmës. Programi funksionon në një mënyrë të tillë, që kreditë do të jepen nga Organizata Kredituese për Rindërtimin (KfW), për të cilat garancitë i paraqet buxheti federal."

Gjermanët përfitojnë në fund

Merkeli nënvizoi që nga kjo ndihmë në fund të fundit do të përfitojnë edhe qytetarët gjermanë. Këtë e theksoi edhe ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble. Vendimi për ta mbështetur Greqinë me ndihma miliardëshe nuk qe i lehtë për qeverinë federale, tha ai. Por fjala është që të stabilizohet monedha evropiane dhe të garantohet në këtë mënyrë procesi i bashkimit evropian.

"Kjo do të thotë, se nuk kemi të bëjmë me një harxhim të pamenduar parash ose marrje përsipër të rreziqeve të papërgjegjshme, por ky është perceptimi i përgjegjësisë tonë për interesin e së ardhmes sonë në shekullin e 21-të, që për këtë Gjermani në mes të Evropës konsiston edhe më tej në një proces evropian që zhvillohet me sukses."

Opozita mendon se kancelarja ka bërë lojëra taktike

Kritika të ashpra qeverisë federale i erdhën nga radhët e opozitës. Kryetari i Partisë Socialdemokrate Gjermane, Sigmar Gabriel tha pas mbledhjes së presidiumit të partisë së tij se Merkeli qe përpjekur të bënte lojëra taktike, për të mos i paraqitur shifrat në tryezë para zgjedhjeve në Landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë. Me këto taktika zvarritjeje ajo thuajse i pati ftuar spekulantët, që t'i rrisin përqindjet:

"Këto taktika u kushtuan shumë para taksapaguesve gjermanë dhe evropianë. Merkelin e bënë t'i thërriste arsyes vetëm FMN dhe BE. Kancelarëve gjermanë si Helmut Schmidt-it, Helmut Kohl-it dhe Gerhard Schröder-it kjo me të vërtetë nuk do t'u kishte ndodhur."

Partia Socialdemokrate Gjermane është ende e pavendosur, si duhet të sillet në Bundestag. Kryetari i fraksionit socialdemokrat, Frank Walter-Steinmeier kërkoi pjesëmarrjen e sektorit privat në paketën e masave. Edhe Të Gjelbrit kërkojnë që përgjegjësinë ta mbajnë edhe bankat.

Të Majtët nuk do ta miratojnë në asnjë rast projektligjin. Ligji përmban gabime të rënda në konstrukt, u ankua zëvendëskryetarja e Fraksionit, Gesine Lötzsh:

"Unë mendoj se mësimi vendimtar nga kriza bankare 2008 është që gjithmonë duhet të ketë një veprim të harmonizuar të dyanshëm: shpëtimi dhe rregullimi shkojnë së bashku. Po të mos ndodhë kjo, në të ardhmen bankat do ta tërheqin nga hunda në të ardhmen politikën dhe me këtë politikë ne nuk jemi dakord."

Autor: Bettina Marx / Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti

  • Data 04.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NDhA
  • Data 04.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NDhA