1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Nga kryeqytet në qendër të salafistëve

Ish-kryeqyteti i Gjermanisë Boni dëshiron të përmendet për institucionet e OKB-së, romantikën e Rinit, festivalin e Beethovenit dhe karnevalet. Por kohët e fundit Boni përmendet me termat salafizëm, islamizëm e xhihad.

Momentalisht një burri nga Boni, të konvertuar në fenë islame, po i bëhet procesi gjyqësor para gjykatës së Dyseldorfit për një atentat të dështuar në stacionin e trenit në Bon. Frank Vallender, që merret prej vitesh me temen e ekstremizmit islamik në Bon, si redaktor i gazetës Bonner Generalanzeiger, kujton në bisedë me Deutsche Wellen se si para disa vjetësh kjo çshtje nisi me xhihadistin nga Boni, Bekkay Harrach. Harrach u vra në vitin 2010 nën Afganistan. Më parë ai kishte lavdëruar luftën e shenjtë në internet. Vallender kujton edhe vëllezërit Yassin und Mounir Chouka nga Boni. Edhe ata patën bërë thirrje për sulme në Gjermani përmes mesazheve në video nga zona në kufirin mes Pakistanit dhe Afganistanit. Këto thirrje gjetën truall pjellor te atentatori i Bonit.

Frikë nga islamofobia

Që Boni është bërë me sa duket qendër e salafitëve radikalë, e shqetëson të ngarkuarën e qytetit për integrimin. Coletta Manemann shqetësohet për disa arsye. Në rradhë të parë për shkak të radikalizimit, sidomos të të rinjve. Dhe për shkak të rrezikut të islamofobisë. E pyetur se përse ka kaq shumë salafistë ekstremistë në Bon, gruaja e angazhuar me flokë të shkurtër të prera sipas modës, përmend të kaluarën e qytetit si kryeqytet i RFGj-së. Prandaj në Bon ka patur që heret xhami. Ambasadat e vendeve arabe i kanë kushtuar rëndësi të madhe që punonjësit e tyre të luteshin këtu. Disa prej këtyre xhamive u bënë të paktën përkohësisht pika takimit të muslimanëve ekstremistë. Boni u ofron muslimanëve ekstremistë rrjete të mira lidhjesh, citon gazeta Bonner Generalanzeiger qarqet policore të Bonit. Këtu bën pjesë edhe fakti se arabishtja është gjuha e dytë më e folur në Bon. Sidomos në pjesën jugore të qytetit, Bad Godesberg, mund t'ia dalësh për mrekulli, edhe nëse flet vetëm arabisht, shpjegon e ngarkuara për integrimin, Manemann. Prandaj në këtë zonë të Rinit vijnë shumë turistë për t‘u mjekuar, por për fat të keq edhe islamistë radikalë. Pas mbylljes së pikëtakimeve të tyre në Hamburg dhe në Ulm në vitin 2005 grupe të tëra të islamistëve, të njohur nga policia, duhet të kenë ardhur në Bon.

Në qendrët të Bad Godesbergut ka restorante arabe, dyqane që tërheqin klientët me mbishkrime arabe.Gra krejtësisht të mbuluara enden në pedonale. Në verë qëndron i hapur një dyqan, që ofron "veshje islame për gra“.

Pika lidhëse Akademia e Mbretit Fahd

Më tutje në jug të Bad Godesbergut ngrihet ndërtesa e Akademisë së mbretit Fahd. Nga pamja e jashtme të kujton xhaminë, por ajo është shkollë saudite. Vazhdimisht përmendet Akademia e mbretit Fahd, kur shtrohet pyetja se si salafizmi radikal ka mundur të zërë vend në Bon. Drejtori i shkollës, që ka katër vjet që e ushtron këtë detyrë, mundohet t'i largojë këto dyshime. Ibrahim Al-Megren flet në zyrën e tij të madhe për librat shkollorë, që rishikohen çdo vit, për bashkëpunim të ngushtë me autoritetet gjermane, madje dhe me autoritetet e sigurisë të Bonit. Al- Megren është krenar që shkolla e tij krahas maturës së Arabisë Saudite jep edhe një kualifikim të njohur ndërkombëtarisht. Sepse nuk ka qenë gjithmonë kështu. Në 2003 shkolla u vu në shenjestër të mbrojtjes kushtetuese, sepse një mësues kishte bërë thirrje për „luftën e shenjtë“. Papritmas autoriteteve arsimore u ra në sy se në shkollë në disa klasa jepej mësim gjermanisht vetëm një orë në javë. Tekstet saudite iu nënshtruan një testi. Sipas Frankfurter Allgemeine Zeitung në to lavdërohej"lufta kundër të pafeve" dhe martirëve u premtohej "shpërblim" në parajsë. Edhe diçka tjetër u vu re. Nxënësit nuk ishin vetëm fëmijët e diplomatëve, apo nga familje të tjera, që jetonin përkohësisht në Gjermani. Dy të tretat e fëmijëve në Akademinë Fahd kishin shtetësi gjermane. Bordi i shkollës kishte lejuar rregulla të veçanta, që i çlironte nga arsimi i detyruar gjerman. Si rezultat familjet me orientim fetar kishin ardhur nga e gjithë Gjermania në Bon. Në Akademinë Fahd ata duan t'i edukojnë fëmijët në mënyrë rigoroze konservatore, larg nga ndikimet e Perëndimit. Edhe xhihadisti nga Boni Bekkay Harach kishte qenë në Akademinë Fahd.

Ndërkohë shkolla tregohet e hapur dhe transparente. Ka ditë të dyerve të hapura, ajo merr pjesë në festivalet e leximeve, kërkon dialogun me fqinjtë, me shkollat dhe fetë e tjera. Në koridore sheh edhe gra pa shami në kokë. Por sheh edhe se ka mjaft vende të lira. Akademia është ndërtuar për 600 nxënës. Aktualisht aty shkojnë 150. Autoritetet arsimore janë më strikte që nga skandali i vitit 2004.

Shpjegime të thjeshta për një botë të komplikuar

Megjithatë familjet me orientim të fortë fetar dhe fëmijët e tyre janë ende këtu. Fëmijët e tyre tani shkojnë në shkollat e zakonshme gjermane. Në një shkollë në afërsi të Akademisë Fahd përqindja e nxënësve të besimit mysliman është rreth 80%. Në një ditë të dyerve të hapura në fund të tetorit gra krejtësisht të mbuluara rrinin me fëmijët e tyre së bashku në tavolina me kafe dhe ëmbëlsira. Por drejtorja e shkollës thekson se këto gra në bisedë me mësuesit e heqin perçen. Mimika është fundja një pjesë e rëndësishme e komunikimit. Ndikim të predikuesve islamikë drejtorja nuk mund të vërejë te nxënësit e saj. Por ajo sheh një rritje të interesit për çështjet e fesë dhe të politikës, përsa i përket luftës në Siri, në Irak, apo të ashtuquajturit Shtet Islamik. Ka edhe raste, kur bëhen provokime me tezat, që kanë dëgjuar në shoqatat e xhamisë, ose në familje. Ajo konstaton me keqardhje se ekstremizmi e ka të lehtë, sepse ai jep shpjegime të thjeshta për një botë të komplikuar dhe jep orientim të qartë duke thënë qartë, se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar.