1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Nga konvertitë në terroristë?

Pas sulmeve të fundit në Volgograd dyshohet se atentatorët janë me prejardhje sllave. Në të ardhmen në Rusi mund të kryhen më shumë sulme vetëvrasëse nga njerëz me origjinë sllave.

Kush e hodhi veten në erë në 29 dhjetor 2013 në sallën e hyrjes së stacionit hekurudhor të Volgogradit? Autoritetet nuk kanë paraqitur ende rezultatet e hetimit. Por nga supozimet e para, që qarkulluan në mediat ruse menjëherë pas sulmit, atentatori vetëvrasës duhet të ketë qenë me origjinë sllave.

"Shpërthimet në Volgograd na detyrojnë të flasim për problemin e atentatorëve vetëvrasës, që janë sllavë", thotë Ahmet Jarlykapov nga Instituti i Etnologjisë dhe Antropologjisë i Akademisë së Shkencave të Rusisë në një intervistë me DW. Ai beson se terroristët islamikë rekrutojnë gjithnjë e më shumë sllavë duke patur parasysh “islamofobinë dhe kaukazofobinë”, mbizorëruese në pjesë të tëra të Rusisë. "Terroristët e dinë, që njerëzit me pamje jo sllave kontrollohen kudo", thotë Jarlykapov. Ndërsa njerëzit me prejardhje sllave nuk bëjnë pjesë në imazhin dominues të të dyshuarvit.

Forcohen kontrollet e muslimanëve

Kontrolle të rrepta në qendrat tregtare të Volgogradit

Kontrolle në qendrat tregtare të Volgogradit

Sipas Jarlykapovit kontrollet e njerëzve me prejardhje nga Kaukazi janë forcuar më shumë pas sulmeve në Volgograd. Është krijuar një "histeri e vërtetë", si në opinionin publik, ashtu si dhe në mesin e atyre, që janë në vendimmarrje, thotë eksperti rus për Kaukazin. "Një reagim ndaj sulmit ishte kontroll i të gjithë muslimanëve rusë në rajonin Nishni Novgorod. Ata u morën në pyetje dhe u detyruan të japin shenjat e gishtërinjve", thotë Jarlykapov.

Këto veprime shkaktuan diskutime të nxehta në rrjetet sociale. "Njerëzit pyesin veten, se nga i ka shërbimi sekret rus FSB listat e muslimanëve rusë, që jetojnë në vend. Kontrollet janë një goditje për strukturat zyrtare muslimane, sidomos për administratën klerikale të muslimanëve të Nishni Novgorodit" thotë Jarlykapov. Masa të tilla nuk kontribuojnë për integrimin, por forcojnë distancimin.

Një reagim tjetër ndaj sulmeve është shtimi i kontrolleve të trenave nga Makhachkala, kryeqyteti i republikës ruse të Dagestanit. "Në stacionin Kazan në Moskë, pasagjerët e këtyre trenave kontrollohen një nga një. Por ata shohin, se si pasagjerët nga trenat e tjerë zbresin pa u penguar", thotë Jarlykapoç. Ai kritikon këtë lloj kontrolli, për shkak se terroristët mund të udhëtojnë për shembull fillimisht në Pskov në veriperëndim të Rusisë dhe që andej për në Moskë.

Terroristët rekrutojnë edhe sllavë

Ekspertët vlerësojnë se në vitet e fundit është rritur numri i sulmeve, në të cilat kanë qenë të përfshirë njerëz, që janë konvertuar në fenë islame. Një nga vrasjet më të bujshme ka qenë vrasja e sheikut dagestanez Said Afandi Çirkej dhe shtatë pasuesve të tij në gusht 2012, kujton Jekaterina Sokirjanskaja, drejtuese e përfaqësisë ruse të Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Sulmin e kreu atentatorja vetëvrasëse ruse Alla Saprykina, një ish-aktore në teatrin rus në Mahatshkala.

Përforcime të policisë pas sulmit në një autobus në Volgograd

Përforcime policore pas sulmit në një autobus në Volgograd

Sokirjanskaja thotë në bisedë me DW, se ka disa arsye që ilegaliteti terrorist rekruton atentatorë vetëvrasës me pamje sllave. Në radhë të parë me to është e mundur, të mos biesh në sy në mesin e një turme. Për këtë arsye konvertitët me prejardhje sllave janë aq të rëndësishëm për grupet terroriste. "Ato mund të përdoren më mirë në operacione në vendet, ku ka grumbullime të mëdha njerëzish. Përveç kësaj, përfshirja e tyre në sulme ka një efekt më të madh tmerrues", thotë Sokirjanskaja. Në këtë mënyrë demonstrohet më fort fuqia e ideologjisë xhihadiste.

Islami si "fe e protestës"

Studjuesi i fesë islame Rais Sulejmanov nga Instituti rus për Studime Strategjike thekson se njerëzit, që janë konvertuar në fenë islame, kanë një prirje më të madhe për ekstremizëm se sa përfaqësuesit e etnive myslimane. Ai vlerëson se ka rreth 7000 muslimanë me origjinë ruse. "Numri i muslimanëve rusë është i pakët, por prej tyre kanë dalë relativisht më shumë terroristë se për shembull nga pesë milionë tatarët ruse, që janë tradicionalisht muslimanë", thotë eksperti.

Ahmet Jarlykapov i Akademisë së Shkencave të Rusisë nga ana tjetër mendon se në Rusi ka ndërkohë dhjetëra mijëra të konvertuar me origjinë sllave. Për ata, që kanë kaluar në fenë islame, besimi i tyre i ri është një lloj "feje proteste", mendon eksperti. Janë para së gjithash rusët e zhgënjyer ata, që radikolizohen gjithnjë e më shumë si muslimanë.

Gazetarja Marina Akhmedova, që ka shkruar disa libra mbi problemin e atentatorëve vetëvrasës, thotë në bisedë me DW, se "xhihadistët rusë" janë produkt i propagandës së terroristëve. "Janë njerëz, që nuk shohin kuptim në jetë dhe terroristët i japin një kuptim për jetën", thotë Akhmedova. Edhe njerëz të arsimuar nga familje të mira mund të bëhen atentatorë vetëvrasës, thekson ajo. Arsyet për radikalizimin e myslimanëve, thotë ajo, nuk duhen përgjithësuar.