1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Nga kampi në kamp: Sorollatjet e refugjatëve në Greqi

Kampi i refugjatëve në Idomeni duhet të boshatishet, por a janë gati strehimoret e reja në Greqi? Panagiotis Kouparanis raporton nga Hersos, ku do të ngrihet një kamp i ri refugjatësh.

Ministria e Mbrojtjes së Greqisë dha dritën e gjelbër: Për herë të parë të enjten u lejuan përfaqësues të shtypit të huaj të vizitonin kampin e ri të refugjatëve në fshatin Hersos, në veriun grek. Me sa duket u përhap në kamp shpejt lajmi se do vijnë edhe kolegë të Deutsche Welles e një gazetar finlandez, pasi jo më vonë se gjysmë ore u zhvillua një demonstratë. Rreth 50 të rinj e fëmijë me pankarta “Ne kërkojmë humanizëm” në gjuhën angleze protestuan e krahas thirrjeve në arabisht kuptohej thirrja “Merkel, Merkel” dhe “Gjermani, Gjermani”.

Kancelarja Merkel në fjalimin e saj në Bundestag të mërkurën i këshilloi refugjatët në Greqi të shkonin në kampet e reja të ngritura për refugjatët. Aty është “shumë më mirë” se në Idomeni, tha ajo.

Griechenland Kari Vanamo

Kari Vanamo (majtas) një fëmijë refugjat e mjekë të tjerë në Hersos

Startim me pengesa

Kampi Hersos mban emrin e fshatit pranë. Në greqisht „Hersos“ do të thotë „ e rrënuar”. Vërtet ky territor ish-ushtarak prej 6,5 hektarësh për një kohë të gjatë qëndroi i shkretuar. Në fund të shkurtit koloneli Thomas Gavranopoulos dha urdhrin për ngritjen e një kampi refugjatësh. Në fund të ditës kampi numëronte 1159 refugjatë. Deri të enjten refugjatët në kamp kapnin shifrën e 3815 vetëve. Tre të katërtat e tyre kanë pasaporta siriane, pjesa tjetër irakiane. Gavranopoulos thotë se refugjatët deri tani kanë ardhur nga Athina ose nga qyteti port në veri të vendit, Kavala. Shumë pak vetë nga Idomeni kanë ardhur në këtë kamp, ndërkohë që nga Hersos ka refugjatë që marrin rrugën për në Idomeni.

Griechenland

Thomas Gavranopoulos nga ushtria bashkëpunon pa probleme me organizatat humanitare e banorët

Sapo refugjatët vijnë në Hersos duhet të paraqesin një dokument regjistrimi të marrë në „hot spotin“ grek. Pas regjistrimit të të dhënave ata marrin një paketë me një batanije dhe dyshek. Më pas drejtohen ose në kampet e UNHCR-s ose në 400 çadrat e ngritura ku mund të strehohen tetë vetë njeherësh. Por këto çadra janë pa dysheme, refugjatët duhet të flenë në tokë, herë pas here në baltë. Autoritetet justifikohen me arsyen se çadrat janë sjellë nga autoriteti i mbrojtjes së katastrofave dhe jo nga ushtria. “Nuk jemi kafshë, jemi njerëz”, thotë një sirian i zemëruar.

Një kamp i ri

Por në Hersos gjen edhe anë të mira. Nëse deri të premten për refugjatët gatuante ushtria, nga e shtuna një firmë “catering” ofron ushqim tre herë në ditë për ta. Një firmë tjetër është ngarkuar për pastrimin e 27 banjove dhe ambientit. Elektriçistët po instalojnë drita në tre rrugët kryesore të kampit. Kryqi i Kuq grek është i pranishëm me ndihmë mjekësore, ndërkohë që puna e tij do të kalojë në duart e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe të mjekëve gjermanë e finlandezë. Kari Vanamo është një pediatër finlandez që bashkë me mjekët e tjerë do të fillojnë me trajtimin mjekësor të refugjatëve, sapo të mbërrijnë aparaturat nga Gjermania e Finlanda.

Griechenland freiwilliger Helfer im Flüchtlingslager Stephanos

Stephanos ndihmon refugjatët. Përvojën e refugjatit ai e njeh nga gjyshërit

Krahas kampit Hersos në qarkun e Kilkisit gjendet edhe kampi i Polykastros, dhe po të shtosh edhe Idomenin, atëherë në këtë qark janë stacionuar gati gjysma e refugjatëve që ndodhen në Greqi. Gatishmëria e banorëve të Hersosit për të ndihmuar është e madhe. Një ndihmës vullnetar grek, Stephanos thotë se ata përpiqen të strehojnë sidmos gratë shtatzëna dhe fëmijët. Vetë familja e tij e di se ç'do të thotë të jesh refugjat. Gjyshërit e Stephanos u detyruan në vitin 1920 të largoheshin nga Turqia.

Edhe bashkëpunimi i banorëve me ushtrinë funksionon pa problem, thotë Stephanos. Këtë konfirmon edhe koloneli Thomas Gavranopoulos, i cili po ashtu duket se nuk probleme të kontaktojë ndihmësit vullnetarë dhe punonjësit e organizatave humanitare nga e gjithë bota.