1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Nga fuqi rajonale në superfuqi globale

Turqia do që të marrë një rol më të madh në rajon dhe në mbarë botën duke rritur ndikimin politik. Por problemet nacionale e krizat rajonale e venë këtë vend para sfidash të mëdha politike.

Erdogan i adreshohet Forumit Ekonomik Botëror më 5 Qershor 2012

Erdogan i adreshohet Forumit Ekonomik Botëror më 5 Qershor 2012

"Turqia është kthyer në një nga pesë-gjashtë vendet më të rëndësishme në botë", tha para pak kohësh ish-këshilltari amerikan për sigurinë Stephan J. Hadley gjatë një fjalimi para komisionit të ekspertëve të Këshillit për marrëdhënie me jashtë. Dhe shtoi: "Është e lidhur me njëfarë ironie, por kur sheh kapacitetin ekonomik, atëherë duhet shtruar pyetja nëse duhet të aderojë Turqia në BE apo mos është më shumë e kundërta, që BE-ja të aderojë në Turqi." Vërejtjet e Hadleyt theksojnë transformimin mbresëlënës politik në Turqi dhe ato bëjnë të qartë perceptimin e ndryshuar të vendit në nivel ndërkombëtar.

Nga vend i prapambetur në shembullor

Dhjetë vjet më parë Turqia shihej ende si një vend i prapambetur dhe jodemokratik, i varur nga ndihma e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe në përpjekje të dëshpëruara për t'u pranuar në Bashkimin Evropian. Mirëpo tani, pas një rritjeje ekonomike rekord që vazhdon prej dhjetë vjetësh, Turqia quhet "Kina e Evropës". Si vend me shumicë myslimane dhe me një sistem politik laik e demokratik si dhe me një ekonomi funksionuese liberale Turqia konsiderohet si shembull i mundshëm për Lindjen e Afërme dhe për Afrikën.

Në BE nuk e mohon askush rëndësinë ekonomike dhe politike në rritje të Turqisë për Bashkimin Evropian, por procesi i anëtarësimit të vendit është ndalur. Nga njëra anë për arsye të grindjes dhjetëra vjeçare me Qipron , nga ana tjetër për arsye të qëndrimit të disa vendeve udhëheqëse të BE-së, të cilat në vend të anëtarësimit të plotë të Turqisë do të parapëlqenin një "partneritet të privilegjuar". Megjithatë, kjo gjendje vend-numëro prej gjashtë vjetësh në marrëdhëniet midis Turqisë dhe BE-së nuk e ka ndaluar vendin që të zgjerojë pandërprerë ndikimin e vet politik. Përkundrazi: Qeveria turke ka në këtë kohë marrëdhënie më të ngushta politike dhe ekonomike me organizatat rajonale në në gjithë botën.

Ahmet Davotoglu, ministri i Jashtëm plot influencë i Turqisë e quan këtë strategji "politikë të jashtme 360 gradë". Turqia ka hapur me duzina ambasada dhe konsullata të reja, veçanërisht në Afrikë dhe në Lindjen e Afërme. Ajo e ka shtrirë praninë e saj në pothuajse të gjitha organizatat, nga "Organizata e shteteve amerikane" deri te "Lidhja Ekonomike e Azi-Paqësorit". Në vitin 2005 Turqia mori "status vëzhguesi" në Bashkimin Afrikan dhe nisi po atë vit me organizimin e takimeve ndërministrore me Ligën Arabe.

Ministri i Jashtëm, Ahmet Davutoglu

Ministri i Jashtëm, Ahmet Davutoglu

Pushteti i butë

Kjo strategji aktive në politikën e jashtme e ndihmoi Turqinë që në vitet 2009 dhe 2010 të merrte një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Si sekretar i përgjithshëm shkencëtari turk Ekmeleddin Ihsanoglu drejton prej vitit 2005 me një rend dite ambicioz Organizatën për Bashkëpunim Islamik (OIC). Ajo ndjek synimin e forcimit të pozicionit të OIC-së në nivelin ndërkombëtar.

Sipas mendimit të kritikuesve faktori i pushtetit të butë është njëra prej kartave më me vlerë në politikën e jashtme të Turqisë: Aftësia që me diplomaci të bashkërenduar deri në hollësi të ushtrojë ndikim pozitiv mbi vendet e rajonit. Mirëpo me vendimet e fundit të Partisë AKP ky reputacion dhe kjo aftësi janë dëmtuar rëndë. Duke hequr dorë nga qëndrimi asnjanës ndaj Sirisë pas shpërthimit të dhunës atje dhe duke ndjekur një vijë të ashpër ndaj regjimit të Assadit janë vështirësuar edhe marrëdhëniet me Iranin. Ndryshimi në politikën e jashtme nisi me largimin e kryeministrit turk Recep Tayyip Erdogan nga tribuna e Davosit në vitin 2009 pas një debati të ashpër me presidentin izraelit Shimon Peres.

Autor: Ayhan Simsek / Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 22.06.2012
  • Fjalët kyç turqi, bota
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/15JkD
  • Data 22.06.2012
  • Fjalët kyç turqi, bota
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/15JkD