1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Nevojat sociale në Evropë shtohen

Raporti për gjendjen sociale në Evropë i Komisionit të EU-së shikon një gjendje të keqe sociale në zonën e euros. Papunësia dhe varfëria ndajnë veriun nga jugu gjithnjë e më shumë.

default

Komisarii BE-së për çështjet sociale, Laszlo Andor

Kriza e vazhdueshme ekonomike ka pasojat e saj në Evropë. Jo vetëm që numri i të papunëve arrin në nivele rekord. Por të papunët do ta kenë gjithnjë e më të vështirë, që të gjejnë një punë të re. Dhe gjithnjë e më shumë njerëz kërcënohen nga varfëria. Në raportin e komisarit të BE-së për çështjet sociale Laszlo Andor thuhet: "Të ardhurat për ekonomi shtëpiake kanë rënë, rreziqet për të rënë në varfëri rriten vazhdimisht." Por, nga kriza nuk preken njësoj të gjitha grupet e shoqërisë. Andor përmend kryesisht të rinjtë, gratë e papuna dhe nënat që rrisin të vetme fëmijë, ndër grupet që rrezikohen më shumë se të tjerat të bien në varfëri të vazhdueshme.

Shtohet varfëria në BE

Shtohet varfëria në BE

Në fillim të krizës Komisioni dhe vendet anëtare patën premtuar përmirësime nëpërmjet të ashtuquajturit stabilizatorë automatikë. Sistemet sociale duhet të mbrojnë njerëzit. Për shkak të uljes së të ardhurave nga taksat dhe rritjes së shpenzimeve për çështjet sociale në shumë shtete mungon mundësia financiare për të mbrojtur ekonomitë shtëpiake nga pasojat e krizës.

Midis Austrisë dhe Spanjës ndodhen botë të tëra

Po fole për vlerat mesatare në Bashkimin Evropian nuk shkon shumë larg. Sepse kjo është shumë shqetësuese: BE dhe zona e euros në veçanti ndahet gjithnjë e më shumë në veriun relativisht stabil dhe jugun që është vazhdimisht në rënie. Për shembull papunësia: Në Austri shifrat flasin për 4,5 përqind të njerëzve të aftë për punë që nuk kanë vend pune, ndërkohë që në Spanjë 26,6 përqind e njerëzve nuk gjejnë punë. Për të rinjtë në Greqi dhe Spanjë gjendja është edhe më e keqe. Më shumë se një në dy vetë është pa punë. Pra midis shteteve të BE-së ka botë të tëra. Problemi, sipas Andorit, ka të bëjë me kualifikimet e gabuara dhe me mungesën e kualifikimeve: "Në Evropën jugore dhe lindore kualifikimet dhe vendet e punës nuk përputhen me njëra tjetrën dhe kjo gjë është keqësuar madje". Shumë shtete ndodhen në një rreth vicioz papunësie, rënieje të të ardhurave nga taksat, uljes së investimeve, recesionit dhe shtimit të papunësisë. Kurse të ardhurat e ekonomive shtëpiake në Gjermani, Francë dhe Poloni janë rritur në vitin e krizës, 2012.

Sindikatat duan të pengojnë "modelin kinez"

Brüssel Gewerkschaften Demonstration für Arbeit soziale Gerechtigkeit

Sindikatat protestojnë në BE për më shumë drejtësi sociale

Komisioni shikon në zhvillimin e Evropës një "model të ri". Si zgjidhje ai propozon krah një ofensive kualifikimi dhe një reforme të tregut të punës edhe përshtatjen e sistemeve sociale. Edhe fondet sociale janë të pashmangshme duke patur parasysh papunësinë e madhe. Rrogat minimale mund të ndihmojnë sa kohë që një vend nuk rrezikon të dalë nga konkurenca. Patrick Itschert, zëvendës i Sekretarit të Përgjithshëm të Sindikatave Evropiane ETUC, nuk ka asgjë kundër rrogave minimale dhe marrjes së masave për kualifikimin. Por, ai ndëshkon "politikën qorre të kursimit" të Komisionit. "Reformat e tregut të punës nuk krijojnë vende të reja pune. Konkurenca vetëm në rrogat minimale do sillte në Evropë modelin kinez. Kjo nuk është ajo që duam ne." Liga e Sindikatave gjermane reagoi ndaj raportit të Komisionit me kërkesën për një "plan marrshall për Evropën". Gjendja e keqe sociale ka qenë deri tani "njollë e politikës së BE-së".