1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Nevoja e miratimit të ligjeve antikorrupsion në Kosovë

Zyrtarë të parlamentit të Kosovës pranojnë se ky ligj i mungon Kosovës, por ata premtojnë së paketa ligjore antikorrupsion së shpejti do të jetë e kompletuar, sepse kështu kërkohet edhe nga Komisioni Evropian.

default

Parlamenti i Kosovës

Në Kosovë përfaqësues të shoqërisë civile thonë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk mund të jetë efektive, nëse nuk ka një ligj, që mundëson konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë ekzekutivi i vendit qëllimisht po vonon kompletimin e paketës ligjore antikorrupsion. Autoritetet në Kosovë ka kohë, që i kanë shpallur luftë korrupsionit dhe krimit të organizuar, mirëpo kjo luftë nuk mund të jetë efektive, nëse nuk përcillet edhe me akte ligjore.

Nuk ekziston ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme

Nëse një zyrtar i lartë i institucioneve të Kosovës është pasuruar për një periudhë të shkurtër kohore dhe në mënyrë të paligjshme, pasuria nuk mund t'i konfiskohet, sepse nuk ekziston ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Përfaqësues të shoqërisë civile mendojnë se fillimisht duhet të ketë një vullnet institucional për luftimin e korrupsionit dhe ky vullnet sipas tyre duhet pasuar edhe me miratimin e ligjeve, që lidhen drejtpërdrejt me këtë luftë. Armend Zemaj, nga komisioni parlamentar për legjislacion, thotë për programin tonë se miratimi i këtij ligji është më se i domosdoshëm.

Illustration zur Korruption

Duhet të ketë një vullnet institucional për luftimin e korrupsionit

“E gjithë kjo infrastrukturë ligjore, që lidhet më këtë temë, pa ligjin për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, apo me kriminalitet nuk do të jetë e dobishme në të ardhmën”, thotë Armend Zemaj.

Zoti Zemaj, thotë se parlamenti ka themeluar një agjenci për administrimin e pasurisë së sekuestruar, por ajo nuk mund të jetë plotësisht funksionale nëse nuk ka ligj për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

"Ne e kemi paramanduar ligjin për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar, ndërsa nuk e kemi ligjin, që e konfiskon pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme dhe kjo natyrisht se do të jetë në hendikep i madh, derisa ky ligj të jetë në fuqi”, thotë Armend Zemaj.

Ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme duhet hartuar fillimisht nga qeveria e Kosovës dhe më pas të miratohet në parlament. Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thonë se ata janë duke e hartuar ligjin dhe së shpejti ai do të procedohet për miratim në kuvendin e Kosovës.

Zogjiani: Mosmiratimi i ligjeve është i qëllimshëm

Avni Zogjiani COHU Kosovo

Avni Zogjiani, përfaqësuesi i Organizatës joqeveritare për Demokraci, Anti-Korrupsion “Çohu”

Mirëpo, përfaqësuesi i Organizatës joqeveritare për Demokraci, Anti-Korrupsion “Çohu”, Avni Zogjiani, thotë për programin tonë se mosmiratimi i ligjeve, që do të ndihmonte luftën kundër korrupsionit, është i qëllimshëm.

“ Për shembull. Nëse një zyrtar i lartë nuk e deklaron pasurinë, ai gjobitet me 500 euro. Pra kjo tregon se paketa ligjore antikorrupsion është krijuar në atë formë, që më me interes është që të thyhet ligji dhe të paguhet sanksioni, sesa të respektohet ligji”, thotë Avni Zogjani.

Avni Zogjiani merr edhe një shembull tjetër.

“Nëse kemi një aksion të organeve të rendit në një kompani, në Kosovë konflikt interesi cilësohet vetëm nga 20 përqind e më tepër, ndërsa në të gjitha vendet e rajonit e kanë zero përqind. Pra në vendet e rajonit në momentin që një zyrtar i lartë ka çfarëdo aksionesh në një kompani ajo cilësohet konflikt interesi”, thotë Avni Zogjiani.

Agjencia antikorruspion nuk ka kompetencë të zhvillojë hetime të gjithëmbarshme

Verifikimi i pasurisë dhe konfiskimi i saj, nëse është e paligjshme, mund të bëhet vetëm përmes hetimeve të gjithëmbarshme, të cilat përfshijnë edhe hetimet, që bien në kompetencë të prokurorisë dhe policisë. Këtë kompetencë nuk e ka agjencia antikorruspion, e cila mund të bëjë vetëm raport me të dhënat e saj dhe ato të dhëna t'i dorëzojë në prokurorinë speciale të Kosovës. Sidoqoftë lufta kundër korrupsionit dhe miratimi i ligjeve, që e bëjnë efektive këtë luftë në Kosovë, është edhe kërkesë e Komisionit Evropian. Vlerësimet për efektshërinë e institucioneve kosovare në luftën kundër korrupsionit do të përfshihen në raportin e progresit për Kosovën, i cili në nëntor do të bëhet publik.

Autor: Bekim Shehu.

Redaktor: Angjelina Verbica

  • Data 30.09.2010
  • Autor Angelina Verbica
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PQhg
  • Data 30.09.2010
  • Autor Angelina Verbica
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PQhg