1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Neumann: Duhet të jetojmë me rrezikun

Studiuesi i islamizmit Peter Neumann shpjegon në intervistë me Deutsche Welle-n, se çfarë fshihet pas sukseseve të "Shtetit Islamik" dhe pse disa xhihadistë i shërbejnë IS edhe për arsye pragmatike.

Peter R. Neumann

Peter Neumann

Në librin tuaj "Xhihadistët e rinj" ju paralajmëroni nga përhapja e panikut e paragjykimet kundër myslimanëve në Gjermani. Nga ana tjetër në shumë intervista ju paralajmëroni se "edhe në Gjermani do të ketë atentate terroriste"...kjo tingëllon kundërthënëse...

Peter Neumann: Argumenti im ka qenë gjithmonë, që ne si në Gjermani apo vende të tjera tentojmë të reagojmë në mënyrë të ekzagjeruar. Kur ndodh një atentat, papritur përhapet paniku- fillon e besohet se pas çdo xhamie fshihet një terrorist. Por kur kalojnë dy muaj dhe nuk ndodh asgjë, atëherë paniku bie e thuhet se nuk duhet të shqetësohemi. Por në të vërtetë ne duhet të mësojmë të jetojmë me rrezikun në mënyrë realiste. Edhe këtë vit ndoshta do të ketë atentate të tjera, ndoshta si në Paris. Duhet të jemi realistë.

Në librin tuaj ju ngrini tezën se sukseset e IS bazohen tek ekspansioni. Ju e quani këtë edhe "ekonomi plaçkitjeje". Por tani mësuam nga mediat se i ashtuquajturi "Shteti Islamik" duhet t'ua gjysmonte rrogat luftëtarëve të tij. Po fillon ndoshta rënia e ngadalshme ekonomike e projektit të Kalifatit?

Kjo bazohet në dokumente, që i kanë rënë në dorë kolegut tim, Aymenn-al-Tamimi, ku vërtetohet se brenda territoreve bazë të IS në

Siri e Irak ka filluar kriza ekonomike. Nga njëra u shkurtuan rrogat e luftëtarëve, gjë që mund të shihet si e dhëna më e fortë për një rënie ekonomike, sepse luftëtarët janë elita shoqërore e të ashtuquajturit "Shteti Islamik". Nga ana tjetër nuk ekziston praktikisht ndonjë kujdes mjekësor, nuk ka mjekë. Edhe shpenzimet për librat e fletoret e shkollave prindërit duhet t'i paguajnë vetë. Më parë nuk ka qenë kështu. Argumenti që kam përmendur unë për "ekonominë e plaçkitjes" do të thotë se IS duhet të vazhdonte me ekspansionin për të mbajtur në këmbë jetën ekonomike në rajonet e tij bazë.

Në librin tuaj ju përmendni se tek IS ka ushtarë që shërbejnë "për arsye pragmatike. Shumë vetë ndjekin një "axhendë konfesioni", të tjerë janë "oportunistët. Por shumica e luftëtarëve lokalë nuk kanë ndonjë qëllim ideologjik, por duan një rrogë dhe një banesë pa para. I ekzagjerojnë mediat "luftëtarët e shenjtë"?

Shikoni Gjermaninë. Kur nazistët erdhën në pushtet nuk besonte i gjithë populli tek ideologjia naziste. Madje edhe anëtarët e NASDAP-së nuk ishin të gjithë në një linjë, por ka pasur shumë oportunistë, që u bashkuan me NSDAP për karrierë. Kështu ndodh edhe me rastin e IS. Nuk duhet të besojmë se të gjithë ata që luftojnë në Siri dhe Irak janë luftëtarë të bindur. Shumë bashkohen sepse gëzojnë privilegje dhe ëndërrojnë për suksesin ekonomik.

A ka arsye të tjera për suksesin e IS?

Një arsye tjetër për suksesin e IS në Irak dhe Siri lidhet me konfliktin fetar sundues atje. IS-i ka ditur të futet me sukses në këtë konflikt. Ai është grupi më goditës që ka luftuar kundër qeverisë së Nuri-Al-Malikit, tjetra kundër varësisë së pakicave në Siri. Këto janë arsye të tjera për suksesin e IS.

Politologu dhe gazetari në profesion të lirë, Peter Neumann është nga viti 2008 drejtor i "Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve dhe Radikalizimit" në King's College në Londër.