1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Netanjahu përgëzon Barakun - Likudi dhe partia e punës krijojnë koalicion

Me shumicë të ngushtë Partia e Punës në Izrael vendosi të futet në koalicion me partinë Likud, të Benjamin Netanjahut. Kryetari i partisë, Ehud Barak, u angazhua për këtë në një kongres të jashtëzakonshëm të partisë.

default

Barak dhe Netanjahu

Pas shpalljes së rezultatit të votimit i ngarkuari me formimin e qeverisë, Benjamin Netanjahu, mori në telefon partnerin e ardhshëm të tij të koalicionit, Ehud Barak, për ta uruar për votimin e suksesshëm, njoftoi të martën në mbrëmje radioja izraelite. Partia e Punës iu përgjigj pozitivisht thirrjes së kryetarit Barak. Shumica e delegatëve votuan në kongresin e jashtëzakonshëm të partisë për pjesëmarrje në koalicion qeveritar nën drejtimin e shefit të Likud-it, Benjamin Netanjahu. Sekretarja e përgjithshme e Partisë së Punës, Eitan Cabel, e cila më parë në një debat shumë të ashpër dhe emocional u shpreh qartë kundër aleancës me Netanjahun, njoftoi në fund për rezultatin e votimit:

"Votuan 1.191 anëtarë. Për hyrje në qeveri votuan 680 anëtar, kjo do të thotë 57,9 përqind. Kundër ishin 42,9 përqind pra 507 anëtarë. Komiteti i partisë u shpreh qartë. Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur, që këtë rrugë ta ndjekim së bashku dhe të bashkuar".

Më parë Barak u angazhua urgjentisht për një aleancë me Netanjahun. Shumica e njerëzve në Izrael duan që Partia e Punës të futet në qeveri, këtë e dëshirojnë edhe shumica e zgjedhësve tanë, theksoi kryetari i partisë. Ndërkaq duke iu drejtuar kundërshtarëve brenda partisë, të cilët ishin kundër aleancës me Netanjahun, Ehud Barak tha:

"Unë jam i djathtë, unë nuk kam frikë nga Benjamin Netanjahu. Unë nuk do të jem gjethe fiku dhe as varëse zbukurimi. Ne do të jemi një kundërpeshë, e cila do të përkujdeset që të mos kemi një qeveri të djathtë të ngushtë, por një qeveri të duhur, e cila përkujdeset për shtetin e Izraelit".

Barak shtoi se ai nuk është duke vrapuar pas posteve qeveritare. Ai ka qenë deri tani kryeministër, ministër i mbrojtjes, ministër i brendshëm, ministër i jashtëm, si dhe shef i shtabit të përgjithshëm në Izrael. Kundërshtarët e Barakut e akuzojnë ministrin e deritanishëm të mbrojtjes dhe siç duket edhe ministrin e ardhshëm se e ka kthyer partinë në anën e qeverisë Netanjahu për qëllime personale. Njeriu nuk guxon të zgjedhë një 'vdekje të tillë sekëlldisëse në qeverinë e djathtë', u shpreh deputeti i Knesetit Shelly Yacimovich në fjalim e tij shumë emocional:

"Në këtë qeveri futemi si rrota e pestë në makinë, si një bisht që tundet, asgjë më shumë. Kjo është qeveria e Bibit, e Libermanit, e Shasit, me vijat orinetuese të këtyre partive. Jo me vijën tonë partiake".

Marrëveshja për koalicion, për të cilën kanë rënë dakord shefi i partisë Ehud Barak dhe kryetari i Likud-it Benjamin Netanjahu i njohur ndryshe me emrin 'Bibi', është mashtruese, tha deputeti.

Kryeministri Netanjahu pas votimit të Partisë së Punës do të ketë në anën e tij 66 mandate nga 120 vendet, sa ka Kneseti izraelit, pra shumicën e nevojshme për të qeverisur vendin.


Autor: Clemens Verenkotte/Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 25.03.2009
  • Autor Angelina Verbica
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HJKI
  • Data 25.03.2009
  • Autor Angelina Verbica
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HJKI