1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Netanjahu nuk beson në deklaratat e presidentit iranian

Pas deklaratave të presidentit iranian, Izraeli shpreh dyshime. Presidenti amerikan Barack Obama priti në Uashington kryeministrin izraelit dhe biseduan për këtë çështje.

default

Obama dhe Netanjahu në Uashington, 30.09.2013

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka përfocuar qëndrimin e vendit të tij lidhur me konfliktin atomik me Iranin. Sanksionet do të duhej të mbahen, tha Netanjahu pas një bisede me Barack Obamën në Uashington. Netanjahu i kërkoi presidentit amerikan që pavarësisht nga sinjalet e fundit pozitive nga Teherani, të mos hiqet dorë nga sanksionet e ashpra.

"Programi bërthamor ushtarak i Iranit duhet të shpërbëhet. Irani është i gatshëm të shkatërrojë Izraelin", paralajmëroi Netanjahu. Obama siguroi Netanjahun se ai do të mbajë një "qëndrim të qartë" në negociatat ndërkombëtare për këtë temë. SHBA-ja nuk e përjashton asnjë opcion të mundshëm, pra as opcionin ushtarak, tha presidenti pas takimit me Netanjahun në Shtëpinë e Bardhë. Pas toneve pajtues nga Teherani, Obama tashmë do t'i japë diplomatëve edhe një shans për zgjidhjen e konfliktit.

Presidenti i ri iranian Hassan Rohani pas zgjedhjes së tij në këtë post në qershor ka ofruar një ton më të moderuar ndaj Perëndimit duke siguruar se vendi i tij në asnjë mënyrë nuk po punon për prodhimin e armëve bërthamore. Ky qëndrim i tij dhe biseda me telefon e presidentit Obama me vetë Rohanin u cilësua si një kthesë e rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve. Por Izraeli mendon se Irani gënjen dhe po e përdorë këtë strategji vetëm për t'i hedhur hi syve të ndërkombëtarëve, sepse sipas krerëve të lartë izraelitë, Irani vazhdon të njëjtën rrugë sikurse deri tani me qëllim prodhimin e një bombe atomike. Madje Netanjahu pretendon se ka dhe prova te reja që dëshmojnë për përpjekjet e Republikës islamike që të prodhojë armë bërthamore. Për izraelitët programin bërthamor iranian është një kërcënim serioz jo vetëm i vendit të tyre, por edhe i gjithë botës.