1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Neonazistë gjermanë mbajnë armë me leje

Një ekip gazetarësh investigativë gjermanë ka zbuluar se 400 neonazistë gjermanë mundet të mbajnë me leje armë. Këto fakte publikohen në një film të ri dokumentar.

Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, Verfassungsschutz ,ka pranuar se rreth 400 neonazistë kanë pasur leje për armëmbajtje në vitin 2014. Kjo në një kohë kur ligjet për armëmbajtjen në Gjermani thonë se të gjithë atyre që e kanë mbështetur aktivisht ektremizmin e djathtë në pesë vitet e fundt u duhet hequr leja e armës.

Në një dokumentar të titulluar "Terrori nga e djathta - rreziku i ri", televizioni publik SWR fokusohet në historinë e Thomas B, të një neonazisti të arrestuar nga policia në vitin 2009. Thomas B. në momentin e arrestit zotëronte një revolver, një pushkë automatike sulmi dhe 22 kg lëndë kimike, të cilat mund të përdoreshin për të ndërtuar një bombë.

Rezultoi se 22 vjeçari i atëhershëm, anëtar i një dege lokale të organizatës së rinisë së Partisë Nacional Demokrate pati folur me shokët për objektiva të mundshme në qytetin e Freiburgut. Gjyqi i tij, i cili përfundoi në vitin 2012, nxorri gjithashtu në pah se ai kishte një leje për armëmbajtje dhe se ai ishte anëtar i një klubi gjahu në rajonin e tij dhe kjo ia mundësonte mbajtjen e armës.

"Pak i pakujdesshëm"

Si pjesë e raportit, SWR pyeti degët rajonale të Shërbimit të Fshehtë për të marë informacion mbi numrin e ekstremistëve të djathtë, që kanë leje arme. Në landin e Saksonisë, i cili ka fituar emër të keq në Gjermani për shkak të një numri të madh krimesh ekstremiste të djathta dhe ku policinë e akuzuan kohët e fundit hapur se e shikon me simpati këtë qark, në vitin 2015 u rishqyrtua leja e 25 personave për të mbajtur armë dhe vetëm tri leje u anuluan.

Qeveria gjermane i pa me qetësi shifrat e reja. Emily Haber, sekretare shteti në Ministrinë e Brendshme insistoi se "Gjermania ka një nga ligjet më restriktive të armëve në botë". "Nëse shërbimet e fshehta mësojnë se një ekstremist i djathtë i njohur aplikon për një leje arme, kjo raportohet menjëherë", i tha ajo SWR. Megjithë përfundimet e dokumentarit, ajo insistoi se në raste të tilla zyrtarët ose e heqin ose e mohojnë dhënien e lejes për armëmbajtje.

Hans Vorländer, politolog nga Universiteti i Dresdenit dhe ekspert për ekstremizmin e djathtë në Gjermani, tha se filmi atë e shokoi. "Duket se të duhet të konkludosh se (autoritetet) kanë qenë pak të pakujdesshme", i tha ai DW.

"Natyrisht, kur dikush kërkon të gjejë një armë, ai gjithmonë e gjen", shtoi Vorländer. "Por në anën tjetër, derisa sa kemi një proces kaq të rreptë për dhënien e armëve dhe nëse ka elementë që e bëjnë të qartë se një individ njihet në qarqet Nacional Socialiste, ti pret që autoritetet të mos ia japin lejen për armëmbajtje. Po, unë do të thosha se kemi të bëjmë me një dështim."

Në raportin e fundit, për vitin 2014, Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës bëri të ditur se në Gjermani janë 21.000 vetë me"potencial ekstremist të djathtë", prej të cilëve 10.500 "janë të orientuar nga dhuna". Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës vendosi në të njëjtën kategori edhe rreth 1.100 ekstremistë islamikë, dhe 7600 ekstremistë të majtë. Ligji për armët në Gjermani ka qenë në vëmendjen e opinionit publik në Gjermani pas ngjarjeve të vitit të ri në Këln, kur një numër personash sulmuan masivisht seksualisht femrat. Që atëherë janë shtuar kërkesat për "lejen e vogël të armëmbajtjes", e cila lejon mbajtjen e pistoletave frikësuese me gaz dhe pistoletave për të dhënë sinjal edhe jashtë shtëpisë.