1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Neoliberalizmi dhe qëndrimi i presidentit Gauck

Fjalët e presidentit gjerman shkaktojnë vazhdimisht debate, ku paragjykimet dhe injoranca luajnë një rol jo të parëndësishëm.

"Dëgjoni Presidentin," kërkon komentatori i gazetës "Welt". Kolegu i tij i "Süddeutsche Zeitung" shkruan se fjalimi i presidentit nuk qe i suksesshëm. Çfarë ka ndodhur? Joachim Gauck, presidenti gjerman, bëri thirrje për më shumë besim tek liria dhe më pak tek besimi tek shteti. Presidenti foli për temën e tij të preferuar dhe kush e ka dëgjuar atë shpesh duke folur, nuk mësoi në thelb ndonjë gjë të re. Reagimet e ndryshme që shkaktoi në opinionin fjala e tij nuk të habisin. Kjo i shërben kulturës së debatit - të paktën në teori.

Në praktikë kjo funksionon vetëm nëse aktorët e përfshirë përqendrohen tek e përgjithshmja dhe jo vetëm tek aspekte apo edhe fjalë të veçanta si "neoliberalizmi" për shembull. Fakti që ky term sot ka ngjyrim negativ presidentit Gauck i duket "i çuditshëm". Habia e tij është e kuptueshme, sepse mendimtarët neoliberalë si ekonomisti Walter Eucken nuk kuptojnë me të kapitalizmin e shfrenuar. Këtë tha presidenti Gauck në fjalimin e tij me rastin e 60-vjetorit të Institutit të Freiburgut që mban emrin Eucken.

Mungesa e kuadrit rregullativ të tregjeve financiare

Reagimet ndaj fjalës së presidentit Gauck ishin kryesisht rezultat i perceptimit selektiv. Sipas atyre që e kritikojnë Gauck me liri këtë kupton vetëm lirinë e tregjeve. Kjo nuk është e vërtetë, sepse gjatë fjalimit Gauck i kritikoi disa herë problemet dhe gabimet e ekonomisë: "Atë që kanë shkaktuar kriza financiare dhe borxhet e dinë të gjithë ata që kërkojnë punë në Spanjë apo Greqi," - tha Gauck duke pëmendur edhe shkakun për këtë: "Kuadri rregullator i tregjeve financiare praktikisht nuk ka siguruar thuajse askund në botë që bankat t'i kufizojnë rreziqet e tyre në një masë të përgjegjëshme dhe të përgjigjen për humbjet e tyre."

Presidenti Gauck vlerësoi institucionet si Zyra Federale për Kartelet dhe Entin e Komisionit Evropian për Konkurrencën. Këtë nuk e bën një njeri që është kundër rregullave. Përkundrazi Gauck shkoi edhe më tej dhe sulmoi pushtetin e kompanive globale të internetit. "Si mund të krijojmë këtu një kornizë që lejon risi, por mbron nga ekseset dhe në këtë mënyrë mbron liritë e qytetarëve?" Pra Gauck apeloi ndaj përgjegjësisë së biznesit dhe të politikës.

Kërkesa edhe ndaj qeverisë gjermane

Fjalimi i presidentit Gauck i drejtohej edhe qeverisë gjermane dhe ishte edhe një kërkesë ndaj saj për të ndëmarrë hapa të tjerë kundër koncerneve të paskrupullta dhe të shërbimeve sekrete të pakontrolluara. Të parat krijojnë profile për konsumatorët, të dytët i mbajnë të gjithë qytetarët për terroristë potencialë. "Unë duhet të jem i përmbajtur në gjykimet për çështjet aktuale politike," tha Gauck në fillim të fjalës së tij për lirinë e shprehjes në Freiburg. "Por, unë mund dhe unë dua ta them mendimin tim." Dhe kështu bëri presidenti edhe gjatë fjalës së tij. Disa nuk e kanë dëgjuar me vëmendje mendimin e Gauck-ut për neoliberalizmin.