1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Negociatat e paqes për Sirinë në rrugë pa krye

Pas një fillimi shpresëdhënës, negociatat e paqes për Sirinë ndodhen në një rrugë pa krye. Shkaku: regjimi i Assadit nuk pranon të flasë për ndërrim pushteti.

Ndërmjetësi i OKB-së, Lakhdar Brahimi u ka kërkuar ndihmë Rusisë dhe SHBA, sepse në bisedimet e paqes për Sirinë nuk ka përparime. Në vendin e negociatave në Gjenevë, ai takoi të mërkurën zëvendësministrin e jashtëm rus, Gennadi Gatilov. Siç bëri të ditur një zëdhënëse e SHBA, për këtë të enjte është planifikuar një takim tjetër me Gatilovin, në të cilin do të marrë pjesë edhe sekretarja amerikane e shtetit, Wendy Sherman.

Delegacioni i regjimit të presidenti Bashar al-Assad nuk pranoi gjatë një takimi të përbashkët me Brahimin dhe me delegatët e opozitës që të flasë për krijimin e një qeverie tranzitore. Në vend të kësaj, ai paraqiti një dokument për luftimin e terrorizmit. Përpara se të flitet për krijimin e një qeverie të re, duhet të zgjidhet problemi i terrorizmit, tha drejtuesi i negociatave të regjimit, Bashar al-Xhafari.

Kurse opozita propozoi që më parë të ndërtohet një qeveri tranzitore, e cila do të garantonte me ndihmën e autoriteteve të sigurisë "tërheqjen e të gjitha fuqive të huaja ushtarake dhe luftëtarëve" nga Siria. Në Siri luftojnë milicë shiitë nga Libani dhe Iraku në anën e trupave qeveritare. Veç kësaj, kanë depërtuar islamistë radikalë islamikë nga shtete të ndryshme arabe.

Gatilovi u tha gazetarëve rusë në Gjenevë se Rusia do të vërë veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kundër një rezolute për gjendjen humanitare në Siri. Kjo projektrezolutë mbështetet nga shtete arabe dhe disa shtete perëndimore. Nga ana e saj, Rusia ka planifikuar një rezolutë të saj për "rrezikun terrorist" në Siri. Që prej fillimit të kryengritjes kundër presidentit Bashar al-Assad, në Siri janë vrarë më shumë se 130000 vetë.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme gjermane konfirmoi faktin se Berlini po shqyrton mundësinë që marina gjermane të marrë pjesë në asgjësimin e armëve kimike siriane në një anije të SHBA në Mesdhe. Bundeswehri mund të merrte përsipër këtu sigurimin e amerikanëve.

Regjimi i Assadit duhet t'i ketë asgjësuar deri në mes të vitit të gjitha lëndët kimike luftarake. Por transporti i këtyre lëndëve, midis tyre zarinës, avancon ngadalë.