1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Negociata të vështira për të drejtën e azilit në BE

16 Korrik 2010

Planet për një të drejtë të përbashkët azili në BE, duket se do të shtyhen. Në një takim joformal në Bruksel të ministrave të brendshëm të BE-së, Gjermania, Franca dhe një numër vendesh të tjera anëtare shprehën rezerva.

https://p.dw.com/p/OMme
Pamje simbolike: sistem i njësuar për azilin në BE
Pamje simbolike: sistem i njësuar për azilin në BEFotografi: picture-alliance/ ZB

Sekretari parlamentar i Shtetit në Ministrinë e Brendshme gjermane, Ole Schröder (CDU), lajmëroi në Bruksel qëndresë nga Gjermania kundër planeve të Komisionit për lehtësimin e procedurës së azilit: "Nëse të drejtat e azilkërkuesve do të zgjerohen, kjo mbart rrezikun e një efekti magnet", tha ai. Për qeverinë gjermane halë në sy janë para së gjithash planet për ndryshimin e të ashtuquajturit "rregulli i aeroportit". Sipas rregullave të aprovuara në vitin 1990, azilkërkuesit, kërkesat e të cilëve për azil vlerësohen që në fillim pa shanse, mbahen në zonat e tranzitit në aeroporte dhe dëbohen pa vonesë.

Refugjatë në Lampedusa të Italisë.
Refugjatë në Lampedusa të Italisë.Fotografi: AP

Gjermania me rregulla të rrepta, KE kritikon

Rregulla veçanërisht të rrepta ka Gjermania. Refugjatët shpesh mbahen për javë të tëra në zonat e tranzitit, dhe pastaj dëbohen. Kjo është çnjerëzore argumenton Komisioni i BE-së. Sipas propozimit të Komisionit këta refugjatë tani mund të vënë në përdorim mjetet ligjore dhe të shtyjnë kështu dëbimin e tyre.

Por Gjermania druhet se kështu minohet procedura e saj e rreptë e azilit. Berlini kundërshton çdo ndërhyrje nga Brukseli. "Kjo do të çonte në procedura të gjata, kosto më të larta dhe nuk është në interes të atyre që kanë vërtet nevojë për mbrojtje", u shreh Sekretari i Shtetit Schröder. Sipas tij edhe Franca, Austria, Britania e Madhe dhe Polonia shprehën rezerva ndaj këtyre planeve.

Shtyrje e pikave të mosdakordimit

Sekretari belg i Shtetit për Politikë të Brendshme, Melchior Wathelet, u shpreh pas takimit se ministrat ranë dakord që të mos i trajtojnë këtë vit aspektet më të kontestuara. Këtu bëjnë pjesë ndër të tjera propozime të Komisionit të BE-së për t'i orientuar shërbimet sociale për azilkërkuesit tek ato që përfitojnë qyetarët e BE-së, për t'u dhënë azilkërkuesve më shumë të drejta ankimimi në rast dëbimi dhe për të lehtësuar bashkimin familjar.

Komisionerja e BE-së për politikën e brendshme Cecilia Malmström e kritikoi qëndrimin e shteteve anëtare. "Diferencat mes shteteve anëtare janë shumë të mëdha, dhe kjo është krejt e papranueshme nëse përfaqësojmë të njëjtat vlera", tha Malmström.

Edhe sekretari belg i shtetit Wathelet kërkon të ecet më shpejt: "Objektivi është viti 2012 dhe 2012 është nesër", u shpreh ai për datën e caktuar si afat për sistemin e përbashkët të azilit. Për këtë kryetarët e shteteve dhe qeverive patën rënë dakord në fund të 2004-s.

Azilantë në aeroportin e Frankfurtit.
Azilantë në aeroportin e Frankfurtit.Fotografi: AP

Kontestohet ndarja e refugjatëve për lehtësimin e vendeve mesdhetare

Rreth 20 vende kritikuan edhe propozimin e Komisionit për t'i ndarë në të ardhmen refugjatët në mënyrë të tillë mes shteteve anëtare, që të reduktohet trysnia ndaj vendeve mesdhetare si Greqia, Italia dhe Malta. Edhe Gjermania e refuzon një rishpërndarje të tillë.

Në gjysmën e parë të këtij viti në Gjermani erdhën rreth 15.600 azilkërkues. Kjo përbën një rritje me gati 25% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por shifra megjithatë është e ulët nëse krahasohet me ato të dhjetë viteve më parë, kur numri i azilkërkuesve që vinin në Gjermani ishte rreth 100.000.

Autor: dpa/rtr/Eliana Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi