1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

281011 Sarkozy Eurokrise

28 Tetor 2011

Menjëherë pas samitit të BE-së në Bruksel, presidenti francez, Nicolas Sarkozy u ftua në televizionin francez për të folur mbi samitin e krizës, shpëtimin e euros dhe samitin e ardhshëm të G20-s në Kanë.

https://p.dw.com/p/130wN
Nicolas Sarkozy u ftua në televizionin francez
Nicolas Sarkozy u ftua në televizionin francezFotografi: AP

Lajmi më i rëndësishëm për francezët: Shteti francez duhet të kursejë. 42 minuta iu deshën presidentit francez, Nicolas Sarkozy për të dhënë lajmin. "Që të mbetemi seriozë duhet ashtu si miqtë tanë gjermanë të ulim prognozën e rritjes ekonomike në 1%. Kjo do të thotë që edhe buxheti duhet të përshtatet me këtë prognozë, pra na duhet të kursejmë 6-8 miliardë euro."

Prej ditësh spekulohet nëse qeveria do të rrisë tvsh-n. Por pas rënies në sondazhe, kur u rrit tatimi mbi lëngjet, Sarkozy nuk guxon ta bëjë më këtë. "Nuk do të ketë një rritje të përgjithshme të tvsh-s. Për një arsye të thjeshtë: Ajo do të dobësonte fuqinë blerëse të francezëve, do të ulte konsumin dhe kjo do të ishte e padrejtë."

Krahasim gjermano- francez

Intervista me presidentin ishte njoftuar si një orë mësimi për popullin francez, për të sqaruar gjendjen pas vendimeve për euron. Prandaj presidenti francez u përqëndrua më gjatë në shpjegimin e fondit të shpëtimit, varësinë e mundshme nga Kina që ai nuk e vëren gjëkundi, dhe detyrën e familjes evropiane të shpëtojë Greqinë dhe me këtë Evropën.

Ky inskenim shihet edhe si hapje e siparit të Sarkozisë për fushatën elektorale. Prandaj kishte fjali të tilla si: "A e dini pse Gjermania paguan 2,3% dhe Franca 3% norma interesi në tregje? Sepse francezëve në vitin 1983 iu tha se do ta ulim moshën e pensionit nga 65 në 60 vjeç. Gjermania ka bërë të kundërtën. Në vitin 2001 u fut këtu java 35 orëshe që e ka shkatërruar aftësinë konkurruese të vendit, ndërkohë që socialisti Schröder në Gjermani bëri të kundërtën."

Kritika nga kundërshtarët politikë

Para flamurit francez dhe evropian, në një dhomë me mure të arta në pallatin presidencial, këshilltarët e presidentit kishin përgatitur gjithçka - kohën e intervistës, dy gazetarët, pyetjet e shtruara. Partia e presidentit e kuptoi mesazhin. Nga pesë deklaratat për shtyp të partisë tre titulloheshin: "Fjalimi i presidentit". Kundërshtarët e tij patën kritika, rivalja e së djathtistëve, Marine Le Pen e formuloi më fort:

"Unë sigurisht do të preferoja që ai të zgjidhej kandidat zyrtar. Sepse një fushatë e shpejtë prej shkurtit do të thotë se ai e bën fushatën deri në këtë moment i veshur me rrobat e presidentit. Kjo nuk është shumë luajale."

Sarkozy nuk i tregon vëmendje kritikave të tilla. Ai nuk është këtu për të komentuar rezultatet negative të sondazheve, por për të marrë vendime.

Autor: Johannes Duchrow / Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti