1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ne nuk do t'ia dalim dot mbanë!

Saktësisht para një viti, ajo shqiptoi fjalinë e famshme: "Do t'ia dalim mbanë!". Angela Merkel hapi dyert dhe mirëpriti qindra mijëra refugjatë në Gjermani. Alexander Kudascheff mendon se nuk do t'ia dalim dot mbanë.

Ne nuk do t'ia dalim mbanë, sepse nuk e dimë atë që duhet të arrijmë. A duam vetëm të kujdesemi për njerëzit apo duam njëkohësisht edhe t'i integrojmë? Sepse nuk e dimë se kur do të mund të themi: ne ia dolëm mbanë. Pas më shumë se 25 vjetësh bashkim të Gjermanisë, ende shumë gjermanë thonë, ne nuk jemi bashkuar vërtet.

Sepse ne e kuptojmë këtë detyrë vetëm teknikisht, në vend të të kuptuarit kulturalisht - d.m.th. do të na duhej të mësonim që t'i pranojmë dallimet. Në vend të kësaj ne besojmë se refugjatët do ta zgjidhin problemin tonë demografik.

Refugjatët ne i kthejmë në imigrantë

Ne nuk do t'ia dalim mbanë, sepse nuk e kuptojmë, se imigrantët janë më konservatorë dhe fetarë se ç'është mesatarisht shoqëria jonë moderne.

Sepse as ia kemi idenë se çfarë përpjekjesh do të nevojiten për t'i bërë që të ndihen si në shtëpinë e tyre njerëz që vijnë nga një kulturë tjetër.

Sepse ne vërtet kemi një fjalë të bukur si atdhe - por ua japim rrallë imigrantëve ndjesinë se ky mund të ishte edhe atdheu i tyre - nga pikëpamja gjuhësore, kulturore dhe politike.

Sepse ne nuk jemi një vend imigrimi, d.m.th. jo në aspektin racional, por shpesh në atë emocional me njerëz, të cilët vijnë te ne dhe me të cilët ne besojmë se duhet të merremi vesh.

Dhe sepse ne nuk i kërkojmë imigrantët, por vetëm i pranojmë

Sepse ne kemi një raport të gjymtuar me vetë kombin tonë - dhe prandaj nuk kemi një imazh të qendrueshëm pozitiv për veten dhe as nuk e përcjellim atë te të tjerët. E thënë ndryshe: ne nuk kemi kulturë orientuese, sepse kemi një atdhe të copëtuar.

Sepse, megjithë fjalët, ne nuk jemi pozicionuar për t'u bërë një republikë shumëngjyrëshe, siç e përshkruan Presidenti ynë Federal nganjëherë me ngrohtësi të madhe.

Sepse integrimi do të jetë një detyrë e shekullit për më shumë se tri breza dhe ne i mbyllim sytë përballë kësaj sfide.

Sepse shumë imigrantë nga Siria ose Afganistani nuk do t'ia dalin mbanë, pasi ata nuk janë të përgatitur për vendin e industrializuar të rendimenteve të larta Gjermani - për kërkesat dhe ritmin e Gjermanisë.

Sepse shumë imigrantë, të matur me standardin tonë, nuk janë të aftë sa duhet dhe nuk dinë sa duhet.

Sepse "do t'ia dalim mbanë" është në rastin më të mirë vetëm një frazë, e cila do të thotë vetëm: unë jam optimist!

Sepse në cilësitë themelore të një qenieje gjermane nuk bën pjesë optimizmi, por më tepër frika gjermane.

Dhe: sepse një ditë ne do të themi, se ia kemi dalë mbanë - edhe kur nuk ia kemi dalë mbanë.