1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Ne kemi këtu një lloj Guantanamoje" - Situata e refugjatëve në Lampeduza

Situata e refugjatëve në ishullin italian Lampeduza përkeqësohet përditë. Mbrëmë mbërritën sërish në ishullin e vogël mesdhetar pesë anije me 291 refugjatë.

default

Situata e refugjatëve keqësohet përditë në Lampeduza

Kësisoj numri i migrantëve rritet sipas të dhënave zyrtare në gati 6.000 (afërsisht kaq është numri i banorëve të Lampeduzës). Në kampin e pritjes, të planifikuar për 850 refugjatë, janë sistemuar ndërkohë më shumë se 2.200 vetë. Gjendja është katastrofale, por qeveria italiane nuk ka ende ndër mend të ndërhyjë.

Porti i Lampeduzës mbrëmjen e së martës (22.3.): Sapo ka mbërritur një anije tjetër me refugjatë, policët përpiqen t'i zmbrapsin rreth 1.000 migrantët në molin e portit, në mënyrë që të ardhurit të mund të zbresin, disa sanitarë shpërndajnë batanije alumini, ekipet e dy automjeteve të ndihmës së shpejtë kujdesen për ata në gjendje shëndetësore më të keqe. Shumë ndihmës punojnë prej 24 orësh pa ndërprerje, mungon personel. Pesë anije me rreth 500 refugjatë kanë mbërritur vetëm nga ora 19 deri në mesnatë në Lampeduzë. Shifra të sakta nuk ka më, përllogaritja më serioze është e komisariatit të lartë të OKB-së për refugjatët, i cili presupozon shumë më tepër se 5.000 imigrantë të paligjshëm, që qëndrojnë aktualisht në Lampeduzë (kjo megjithëse të martën u larguan me avion rreth 400).

Flash-Galerie Italien Lampedusa Flüchtlinge

Shifra të sakta nuk ka më

Zëdhënësja e UNHCR Laura Boldrini, zakonisht shumë e përmbajtur, reagon e shokuar: "Njerëz që mbulohen me kartonë, që flenë nën kamionë ose në karakatina. Në kodrat mbi port ata ndezin zjarre për t'u ngrohur. Nuk ka mundësi, nuk mund të mbetet kështu, kjo është absolutisht e padurueshme dhe duhet zgjidhur menjëherë. Po të mos ndodhë, këtu shpërthen tensioni."

Kushtet në Lampeduzë shpërfillin çdo përshkrim. Kampi i pritjes është krejtësisht i tejmbushur, situata atje duhet të jetë e rëndë. Refugjatë të tjerë janë sistemuar në famullinë e ishullit dhe në ndërtesa komunale, por pjesës dërrmuese i duhet ta kalojë natën jashtë, në temperatura rreth 7 gradëve (as batanijet nuk mjaftojnë). Isami nga Tunizia është njëri prej tyre: "Shumë njerëz arrijnë këtu me rroba qull dhe është vërtet shumë ftohtë. Përse nuk mund t'iu japin diçka për të veshur? Sikur të vazhdojë kështu, kanë për të vdekur njerëz."

NO FLASH Italien Tunesien Flüchtlinge

Qeveria italiane nuk ka ende ndër mend të ndërhyjë

Nën zë ndihmësit kanë thënë, se disa refugjatë i kanë shkaktuar vetes plagë prerjeje duke shpresuar se do të ndihmohen dhe do të kenë një shtrat të ngrohtë. Ngadalë gjendja po kthehet në problem sigurie, po formohen grupe, dje pati protesta të para dhe greva urie. Kjo edhe për arsye se kushtet higjienike janë çnjerëzore. Për më shumë se njëmijë personat në molin e portit janë në dispozicion vetëm tre nevojtore kimike, herë pas here ka diçka për të ngrënë dhe ujë nga një kamion-cisternë.

Autor: Stefan Troendle/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 23.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10g7P
  • Data 23.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10g7P