1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Ne e kemi forcën" - Deklarata qeveritare e Papademosit

Kryeministri i ri grek Lucas Papademos është shprehur optimist se me ndihmën partnerëve të saj Athina do të dalë nga kriza.

Kryeministri i ri grek Lucas Papademos.

Kryeministri grek Lucas Papademos.

Deklarata qeveritare e kryeministrit të ri grek Papademos ishte një fjalim drejtuar kombit: Bëhet fjalë për vendin, për gjithë grekët, për rininë, madje për kohezionin e shoqërisë, thotë ai. Papademos gati u përgjërohet bashkëkombasve që ta kenë këtë të qartë:

"Ne mund të dëshmojmë se jemi në gjendje ta ndryshojmë vendin. Kjo është e rëndësishme për një të ardhme pozitive, edhe për të ardhmen e rinisë. Është në dorën tonë. Ne e kemi forcën për ta bërë këtë."

Kryeministri grek kërkon ndihmë nga gjithë shoqëria

Papademos nuk lë fije dyshimi se nuk është në gjendje ta arrijë këtë i vetëm, që nuk është një lloj shëruesi që bën mrekulli, i cili mund ta shpëtojë Greqinë i vetëm.

"Jam i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë e madhe, por i vetëm nuk e shpie dot këtë mision deri në fund. Kjo bëhet vetëm në qoftë se kombi i përvishet punës i bashkuar."

Me këtë Papademos e ka fjalën për të gjithë (nëpunësit e shtetit sikurse sektorit privat). Gjithsesi konkretisht ai nuk shprehet. Mirëpo Papademos nuk lë dyshime se do t'i përmbushë kushtet e huadhënësve ndërkombëtarë për transhin e ri të ndihmës dhe për paketën e shpëtimit të radhës. Kjo përmban shkurtimin e 30.000 vendeve të punës në sektorin publik dhe privatizimin e shumë sektorëve shtetërorë. Që me gjasa kjo shoqërohet nga ulje të mëtejshme pagash, këtë ai nuk e thotë. Edhe njoftimet e gazetave për ulje herët a vonë të pashmangshme të pensioneve ai nuk i cek, sepse Papademos nuk hyn në detaje, aq më tepër që detajet e programit të kursimeve duhen bashkërenduar me troikën e BE-së, FMN-së dhe ECB-së.

Rrugë pazari në Athinë.

Zgjidhje me apo pa euron? - Grekët para dy rrugëve

Papademos për zgjidhje brenda Eurozonës

Por ai bën të qartë se sheh vetëm dy rrugë për vendin e tij: njërën me euron dhe tjetrën pa të. Papademos do të ndjekë rrugën e parë, dhe këtu ai i bën thirrje nderit të deputetëve në parlament, veçanërisht atyre të qeverisë së tij të re:

„Besoj se askush prej nesh këtu në sallë nuk do që vendi të mundet, që të pësojë një humbje dhe të dalë nga euroja. Besoj se të gjithë që e mbështesin këtë qeveri, nuk duan t'ia ekspozojnë vendin rrezikut për të dalë nga euroja."

Papademos kërkon t'i bëjë për vete deputetët. Me gjasa të mërkurën ata do t'i shprehin atij besimin në një votim. Edhe partia konservatore Nea Demokratia do të votojë me shumicë për të. Megjithatë, kryetari i saj Samaras ka marrë masa kundër. Masa të reja kursimi, thotë, nuk do të pranojë. Se sa divergjojnë vërtet ai dhe Papademos, këtë e bën të qartë një dallim gjuhësor. Papademos e sheh veten si kryetar të një qeverie bashkëpunimi. Samaras nuk e zë me gojë këtë fjalë. Për të ajo është vetëm një qeveri kalimtare. Dhe sikur në mes të shkurtit të votohet vërtet, Papademosit gati nuk i mbetet kohë.

Autor: Uwe Lueb / Elert Ajazaj

Redaktoi: E. Xhani