1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Ne duam bashkëpunim maksimal" - Moska e shqetësuar për aktivitetet bërthamore të Iranit

30 Shtator 2009

Moska mbahet aktualisht si forcë frenuese kur vjen puna për sanksionet kundër Iranit. Por pak para raundit të ardhshëm të bisedimeve ndërkombëtare, nga Moska vijnë zëra më të qartë për programin atomik të Iranit

https://p.dw.com/p/JuMo
Flamuri i Rusisë dhe ai i Iranit
Flamuri i Rusisë dhe ai i IranitFotografi: AP GraphicsBank

Kalimi në panik është pa vend, thuhet nga ana e ministrisë së jashtme ruse pas testeve më të fundit të raketave iraniane. Megjithatë, ministri i Jashtëm Sergei Lavrov e quan me vend që t'ia transmetojë kolegut të tij iranian Manucher Mottaki shqetësimin e tij të thellë. Lavrov kërkoi nga Irani një vetëpërmbajtje maksimale në ditët në vijim dhe që të jetë i gatshëm në bashkëpunimin më të madh të mundshëm me Agjencinë Ndërkombëtarë të Energjisë Atomike. Pala ruse shpreson që ditën e enjte (1.10.) gjatë bisedimeve në Zvicër mes përfaqësuesve të Këshillit të Sigurimit, Gjermanisë dhe Iranit të bëhet një hap më tej.

“Takimi do të ketë një rëndësi të veçantë. Kjo ka të bëjë edhe më atë që ne kemi së bashku dijeni mbi ndërtimin e impiantit të dytë për pasurimin e uraniumit. Ne i kemi bërë thirrje Iranit që të bashkëpunojë maksimalisht, me qëllim që Agjencia për Energjinë atomike të mund të sqarojë situatën në impiant”.

Pamje nga Kremlini
Pamje nga KremliniFotografi: Maksim Nelioubin

Në Kremlin sa vjen e pakësohet besimi ndaj Iranit

Lajmi për ndërtimin e një impianti të dytë për pasurimin e uraniumit preku papritur edhe Rusinë. Kremlini ishte shprehur vazhdimisht deri tani kundër impianteve të paisjeve për pasurimin e uraniumit në Iran. Rusia furnizon Iranin, nën mbikqyrjen e Agjencisë Ndërkombtare për Energjinë Bërthamore, me shkopinj katodik dhe mendon se kjo mjafton per një përdorim paqësor të energjisë bërthamore. Siç duket Irani e sheh ndryshe këtë. Teknika e paisjeve atomike përbën një pjesë të madhe të eksporteve ruse në Iran. Një tjetër mall kampion eksporti janë armët.

Por edhe për këto po përvijohet një ndryshim në mendime. Besimi ndaj Iranit ose mundësia për ta kontrolluar atë duket se po pakësohet në Kremlin: Kështu Rusia vazhdon të mos ja livrojë raketat mbrojtëse.

Testimi i fundit i raketave e kanë bërë ushtrinë ruse të mendohet. Ambasadori I Rusisë në NATO, Dimitri Rogosin tha ditën e enjte në Moskë:

Nëndetëse atomike ruse
Nëndetëse atomike ruseFotografi: picture alliance/dpa

Regjimet vijnë e shkojnë ndërsa armët mbeten

“Eshtë e qartë, që Rusia ndodhet më pranë Iranit se shumë vende të tjera. Edhe për këtë arsye ne dëshirojmë t'i dijmë të gjitha ose gati të gjitha rreth programit atomik ranian. Ne jemi të shqetësuar. Sepse pavarësisht nga regjimi që është në pushtet ose vjen në pushtet, armët mbeten”.

Tani duket që presidenti Iranian ka shkuar atje ku s'mban. Ndoshta edhe sepse provokimet aktuale ndodhin në të njëjtën kohë kur po afrohet Rusia me Amerikën. Vetë Presidenti Dimitri Medvedjev nuk i përjashton më sanksionet kundër Iranit:

“Sanksionet çojnë rrallë në një rezultat të mirë. Por në disa raste ato nuk mund të evitohen. Në fund të fundit vendimi duhet marrë për çdo rast në mënyrë të veçantë".

Autor: Christina Nagel / Mimoza Cika-Kelmendi

Redaktoi: Esat Ahmeti