1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndryshon Serbia qëndrim ndaj Kosovës?

AG/Angelina Verbica15 Gusht 2012

Mediat serbe shkruajnë sot se qeveria në ditët e ardhshme ka të ngjarë të ndryshojë vendimin për mospjesëmarrjen e përfaqësuesve serbë në forumet rajonale, në të cilat marrin pjesë edhe të dërguarit e Kosovës.

https://p.dw.com/p/15pxf
Parlamenti në Beograd
Parlamenti në BeogradFotografi: dapd

Qeveria serbe është duke shqyrtuar një model, që do t'u mundësojë përfaqësuesve të saj, pjesëmarrjen në takimet rajonale, në të cilat Kosova mund të paraqitej edhe pa fusnotë, informon gazeta serbe "Blic".

Duke cituar një burim nga qeveria serbe, "Blic" shkruan sot se qeveria në ditët e ardhshme ka të ngjarë të ndryshojë vendimin për mospjesëmarrjen e përfaqësuesve serbë në forumet rajonale, në të cilat marrin pjesë edhe të dërguarit e Kosovës.

Shenja pajtimi?
Shenja pajtimi?Fotografi: AP

Në këtë model, siç njofton gazeta, punojnë bashkarisht zëvendëskryeministrja e qeverisë së Serbisë e ngarkuar për integrimet evropiane, Suzana Grubjesiç, dhe shefi i zyrës për Integrime Evropiane, Milan Pajević. Gazeta shkruan se ky model praktikisht do t'u mundësojë zyrtarëve serbë të marrin pjesë në konferencat ndërkombëtare pa njohjen e pavarësisë dhe pa marrë parasysh insistimin e palës serbe, që në tavolinë para përfaqësuesve të Prishtinës përveç termit "Kosova" të jetë edhe fusnota.

Konkluzioni i të gjithëve në qeveri është se, duke u larguar nga forumi, ka humbur vetëm Serbia, sepse është dëgjuar zëri i anës tjetër. "Përveç kësaj janë harxhuar pa nevojë para për shpenzimet e udhëtimit dhe njerëzit tanë nuk e kanë patur të lehtë të largoheshin në mënyrë demonstrative. Prandaj propozimi do të jetë i tillë, që prezantimi i përfaqësuesve tanë në forume detyrimisht do të përmbajë "kufizimin" dhe mesazhin, që pjesëmarrja nuk do të thotë njohja e Kosovës", informon gazeta serbe "Blic", duke iu referuar qeverisë së Serbisë.