1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ndryshimi i nisur do të vazhdojë, derisa Shqipëria të bëhet pjesë e familjes evropiane me të drejta të barabarta

Intervistë me Albana Vokshin, numri dy i listës së PD për Durrësin

default

Albana Vokshi, kandidon për PD në Durrës

DW: Znj. Vokshi kandidimi juaj në këto zgjedhje është një premierë në jetën tuaj, përse vendosët të hyni në politkë?

Vokshi: Në fakt vërtetë kandidoj për herë të parë, por unë jam e lidhur me politikën, natyrisht me Partinë Demokratike qysh prej shumë vitesh. Marrëdhënia me këtë parti është shumëvjeçare, ka qenë konstante, kam qenë gjithmonë shumë pranë politikave të kësaj partie, ndryshimeve të kësaj partie. Në fakt momenti tani koinçidon me atë, që unë i kam lënë vetes kohë, në mënyrë që profesionalisht të isha sa më e aftë që popullit si ligjvënëse t‘ i jepja maksimumin tim. Kam dhjetë vjet eksperiencë në administratën publike në të gjitha nivelet, pesë vjet punë me organizata të tilla si PNUD dhe USID në Kosovën dhe në Afganistanin e pasluftës. Kam kryer studimet master në Columbia Unversity dhe besoj të gjitha këto së bashku më ndihmojnë mua që të ndihem më shumë se e sigurtë, që të jap atë çfarë i duhet këtij populli.

DW: Ju thoni që doni të jepni atë që i duhet këtij populli, ndërkohë që motoja e fushatës është jo vetëm për Partinë Demokratike, por edhe për partitë e tjera me fjalëkyçen ndryshim. Cili është ndryshimi, që ju do të dëshironit të sillnit në politikën e Shqipërisë?

Vokshi: Në fakt ndryshimi, ai që është në moton e Partisë demokratike është ndryshe nga ai, që pretendojnë partitë e tjera, sepse ndryshimi për PD është një ndryshim i vërtetuar, i faktuar. Ky ndryshim shihet çdo ditë, njerëzit e prekin, e shohin. Prekin shkollat e reja, rrugët e reja. Mund të përmend këtu rrugën, që bashkoi kombin shqiptar Durrës-Kukës-Morinë, që është një vepër madhështore dhe simbolike në të njëjtën kohë. Ndryshimi, që unë do të doja të sillja? Së bashku me pjesën tjetër të 139 kandidatëve të PD-së ne do të vazhdojmë ndryshimin e nisur. Pra ndryshimi i nisur do të vazhdojë, derisa Shqipëria të bëhet pjesë e familjes evropiane me të drejta të barabarta. Shqiptari të jetë i barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë të Evropës. Ajo që unë pretendoj, personalisht si Albanë, është që të sjell në parlamentin shqiptar vendosmërinë, dashurinë dhe dhimbshmërinë e një nëne, profesionalizmin e një eskperteje dhe së fundi vendosmërinë e një demokrateje për ta çuar deri në fund ndryshimin.

DW: Cila është rezonanca, që keni pasur në elektorat, ju si e keni gjetur elektoratin dhe ai si ju ka pritur?

Vokshi: Unë jam në listën e kandidatëve të PD-së në qarkun e Durrësit- Në fakt më është bërë një vlerësim i madh, jo vetëm sepse jam në listën e PD-së, por jam edhe e dyta në listën e qarkut të Durrësit. Që për nga rëndësia, jo vetëm turistike, por edhe ekonomike zë vendin e dytë. Po ashtu duke pasur parasysh që vendi i dytë në listë është një vend i sigurtë, unë do të dëshiroja të falenderoja liderin e PD-së z. Berisha, që më ka dhënë këtë vlerësim. Në fakt kjo më bën mua që të ndihem shumë shumë e përgjegjshme, të jem para një përgjegjësie shumë të madhe, jo vetëm sot gjatë fushatës elektorale, por edhe nesër përballë elektoratit dhe përballë liderëve të PD-së. Unë jam e atashuar në zonën e Rashbullit, pavarësisht se sistemi është ndryshe nga ai mazhoritari, ne kemi vendosur që zonat t‘ i ndajmë. Pra që secili prej nesh të mbajë përgjegjësinë për një zonë të caktuar. Unë tani punoj më shumë në Rashbull, pa lënë pasdore edhe zonat e tjera elektorale të Durrësit. Por në Rashbull unë kam një lidhjen time personale: Familja ime ka banuar për një kohë shumë të gjatë atje, mamaja, gjyshërit, tezet etj. Një pjesë e familjes, kushërinjtë e mi akoma banojnë atje, pra ndihem si në familje, për të mos thënë edhe që Rashbulli ka qenë gjithmonë bastion i demokratëve. Mënyra se si më kanë pritur ka qenë shumë e mirë, jam ndierë shumë mirë, më ftojnë çdo ditë, i takoj çdo ditë, shprehin besim shumë të madh, sepse kanë parë ato, që ka bërë qeveria, por kanë edhe shumë besim tek premtimet, që jep PD-ja dhe partia demokratike i mban premtimet.


DW: Duke qenë në një zonë kaq të njohur, kaq të afërt për ju, ku zgjedhësit ju njohin, ato me siguri flasin më hapur për hallet e tyre dhe për atë se çfarë presin. Pra cilat janë hallet konkrete të banorëve të Rashbullit?

Vokshi: Njeriu ka shumë halle edhe brenda një familjeje nuk mund të them që s‘ ka halle. Eshtë e vërtetë që ato flasin shumë hapur, sepse ndihemi si në një familje. Sigurisht ne kemi bërë shumë, por kemi edhe gjëra pa bërë, të cilat do të jenë në prioritet, të parat për t'u financuar dhe për t‘u përfunduar në mandatin e ardhshëm, që është i sigurtë. P.sh. një nga problemet, që përmendet shumë shpesh, është uji. ndonëse gjendja është përmirësuar, furnizimi ende nuk është i garantuar 24 orë. Ky është një nga premtimet, që ka bërë PD-ja. Gjëja e parë, që do të shkojë në Durrës, është uji 24 orë. Në këtë zonë ka edhe probleme me legalizimet, por edhe kjo është vënë në rrugë të drejtë dhe në Durrës brenda një viti, një viti e gjysmë, i gjithë procesi i legalizimit do të mbarojë. Njerëzit kanë edhe halle të tjera personale: si djali, vajza, në punë etj.etj. Po ashtu një çështje është papunësia, që për Durrësin PD-ja ka një program të përcaktuar: Krijimin e zonës industriale dhe energjetike në veri të Durrësit, ku do të punësohen mijëra e mijëra shqiptarë. Sigurisht Durrësit dhe Rashbullit do t‘ i jepet prioriteti. Pra për të gjitha problemet, që lindin, unë mendoj, që ne kemi një plan shumë të qartë, premtimet janë premtime, të cilat do të mbahen, sepse ne i kemi mbajtur, i mbajmë dhe do t' i mbajmë të gjitha premtimet, pra do të vazhdojmë ndryshimin.


DW: Dhe së fundi një pyetje lidhur me situatën e sigurisë: Zgjedhjet në Shqipëri janë zhvilluar gjithmonë me tensione. Aktualisht si e vlerësoni gjendjen e sigurisë gjatë luftës elektorale dhe personalisht a ndiheni e sigurtë?

Vokshi: Personalisht ndihem shumë e sigurtë, pavarësisht se kur shkoj nga një takim në tjetrin shkoj me një eskortë shumë të madhe, por kjo është thjeshtë dëshira e elektoratit, e miqve dhe e familjes sime për të ndjekur zgjedhjet, pra për të ndjekur dhe takuar votuesit, është edhe dëshira për të marrë pjesë në fushatën elektorale të PD-së. Përsa i përket sigurisë, unë mund të them që fushata e tanishme është më e qeta deri më tani, më e sigurta, nuk i ka më ato problemet e konflikteve të mëdha, kur përballeshin kandidatët e zonave të caktuara me njëri-tjetrin, nuk ka atë periudhën e shpifjeve, dmth. Është shumë më e qetë se ajo që ka qenë para katër viteve, para dy viteve, apo edhe më përpara. Unë mendoj që deri tani ka ecur shumë mirë e besoj që edhe java e fundit po ashtu do të eci shumë mirë. Qeveria ka premtuar që do të mbajë zgjedhjet më të lira të mbajtura ndonjëherë dhe besoj që edhe ky premtim do të mbahet.

Autor Vilma filaj-Ballvora

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 25.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ib1T
  • Data 25.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ib1T