1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ndryshimi i klimës në fushatën elektorale në SHBA

Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg ka bërë thirrje që zgjedhësit të rizgjedhin Barack Obaman. Obama do të marrë sipas Bloombergut një rol udhëheqës në luftën kundër ndryshimit të klimës.

Bloomberg mbeshtet Obaman

Bloomberg mbeshtet Obaman

Apeli i kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut ishte i shkurtër dhe nuk linte vend për keqkuptime. "Zgjidhni këtë nëntor një president, i cili merret me ndryshimin e klimës," shkroi ish-republikani Michael Bloomberg në Twitter. Obama ka rol udhëheqës në çështjen e ndryshimit të klimës, shkruan kryetari i bashkisë së Nju Jorkut në faqen e tij në internet "Bloomberg.com". Dhe gazeta "Businessweek", që i përket atij 100 përqind duke pasur parasysh uraganin Sandy doli me titullin: "Natyrisht që këtu kemi të bëjmë me ngrohje të tokës." Televizioni CNN informoi:

"Lajm i minutës së fundit: Obaman e mbështet kryetari i bashkisë së Nju Jorkut. Bloombergu e lëvdon presidentin për qëndrimin e tij ndaj ndryshimit të klimës dhe ngrohjes së tokës."

Ne kemi nevojë për udhëheqje në Shtëpinë e Bardhë, shprehet kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut. Obama ka ndërmarrë në vitet e fundit hapa të rëndësishëm për minimizimin e emetimit të gazrave të dioksidit të karbonit. Ai ka ndërmarrë masa të rrepta konsumi për veturat dhe kamionët, thekson Bloombergu.

Barack Obama në konferencën e klimës në Kopenhagë

Barack Obama në konferencën e klimës në Kopenhagë

Veç kësaj, në fjalimin e tij para kongresit të partisë së demokratëve Obama bëri temë edhe ndryshimin e klimës:

Tallje nga Romney për klimën

"Ndryshimi i klimës nuk është shaka. Periudha më të gjata thatësie, përmbytje dhe djegie shkatërrimtare pyjesh nuk janë shaka."

Me politikën e Obamas ndaj klimës qe tallur rëndshëm më parë sfiduesi Romney në kongresin e Partisë Republikane në Tampa.

"Obama premtoi se do ta ngadalësojë rritjet e nivelit të ujit të detit. Presidenti i SHBA e paraqiti veten si shërues të planeteve. Në dallim nga kjo, premtimi im për ju është thjesht: ndihmë për ju dhe për familjet tuaja."

Vërtet që në periudhën e tij në post si guvernator i Massachusettsit edhe Mit Romney e pati bërë ndryshimin e klimës një temë qendrore. Por për fat të keq Romney u tërhoq nga ky kurs, kritikon kryetari i bashkisë më me influencë dhe më i njohur i Amerikës. Që pikërisht ky biznesmen miliarder dhe ish-republikani Bloomberg mbështet Obaman, kjo është një goditje e rëndë për Mitt Romney-n. Këtij i mbetet tani vetëm mbështetja e dyshimtë e Donald Trumpit. Uragani e bëri ndryshimin e klimës sa hap e mbyll sytë temë të fushatës elektorale. Në asnjë nga tri duelet televizive midis Obamas dhe Romneyt kjo fjalë nuk u përmend. Shpallja tabu e kësaj fjale, që përmendej në çdo debat televiziv presidencial që nga viti 1988, tani ka marrë fund.