1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ndryshimet kushtetuese në Tiranë: Juristët shprehen të përmbajtur

Në Shqipëri pa u mbyllur ende sezoni i pushimeve verore në qarqet politike ka nisur debati për mundësinë e ndryshimeve të Kushtetutës. Opozita pret sezonin e ri parlamentar për të prezantuar një paketë amendimesh.

default

Pamje e parlamentit

Qysh nga 28 nëntori 1998, kur u miratua Kushtetuta e Republikës, asaj i janë bërë një sërë ndryshimesh në pjesë të veçanta. Proceset kanë ardhur pas një akordi mes mazhorancës dhe opozitës, pasi nevojitet dhe arritja e shumicës së cilësuar në votave pro. Më të fundit kanë qenë disa ndërhyrje që u bënë tre vite më parë, pas një kompromisi mes dy partive të mëdha PD dhe PS e ku partitë e vogla kundërshtuan deri dhe me grevë urie në ambientet e parlamentit.

Ndryshimet e mëparshme kushtetuese

Njëri prej ndryshimeve të kushtetutës ishte formula e përzgjedhjes së kreut të shtetit, duke zbutur nevojën e shumicës së cilësuar në votimin e fundit. Me fjalë të tjera, sipas këtij amendimi Presidenti i Republikës mund të zgjidhet edhe me 71 vota ose me shumicë të thjeshtë të votave në parlament.

Por kur ka mbetur më pak se një vit nga përfundimi i mandatit presidencial, opozita duket se ka reflektuar nga qëndrimi i para tre viteve dhe në shenjë pendese po kërkon rikthim tek formula e vjetër.

Sokol Haziza

Sokol Hazizaj, jurist dhe pedagog në Fakultetin e Drejtësisë

Motivimi sipas opozitës: Zgjedhja e kreut të shtetit duhet të kalojë në një proces kompromisi mes mazhorancës dhe opozitës, pasi kreu i shtetit është garanti për shumë institucione të tjera kushtetuese. Ekipi i juristëve të opozitës që punon me paketën e ndryshimeve ka në fokus dhe aspekte të tjera. Pa marrë ende në dorë propozimet konkrete nga mazhoranca ka patur disa prononcime që në thelb janë kundër ndryshimeve në kushtetutë. Por debati në radhët e politikës po ndiqet me interes dhe nga komuniteti i juristëve, të cilët në përgjithësi po tregojnë përmbajtje për faktin nëse është momenti apo jo për të ndërhyrë në ligjin themeltar të shtetit.

Ndryshimi i kushtetutës me proces referendar

Sokol Hazizaj, pedagog në fakultetin e drejtësisë të Universitetit të Tiranës, mendon se kushtetuta duhet të ndryshojë atëherë kur institucionet që janë pjesë e saj, ose nuk funksionojnë sipas qëllimit për të cilat janë ngritur, ose janë në konflikt ose ngërç me njeri tjetrin në ushtrimin e detyrimeve që ato kanë. Nëse do të provokohen ndërhyrje në Kushtetutë duhet që të garantohet pjesëmarrja e qytetarëve në këtë proces, thotë për DW Sokol Hazizaj.

Hazizaj: “E vetmja gjë që duhet bërë në Shqipëri për mendimin tim është që për momentin ndryshimet kushtetuese duhet të mbeten në harresë, sepse duhet të ndryshojë mendësia e zbatimit të kushtetutës ekzistuese. Ne nuk kemi vuajtur nëse kushtetuta e realizon apo jo misionin e saj në përmbajtje dhe në formë. Ne vuajmë nga nga mangësia e moszbatimit jo vetëm të kushtetutës por dhe ligjeve organike."

Në këto kushte, Hazizaj propozon se edhe nëse në ndonjë moment të caktuar do të profilizohej ndonjë ndryshim kushtetues, e vetmja gjë që duhet të ndryshojë - por jo aktualisht sipas tij, - do të ishte vetëm procesi referendar për ndryshimet në kushtetutë”.

Bashkim Çami në intervistë për DW

Juristi Bashkim Çami

Në krye të procesit duhet të jetë elita e juristëve

Për Bashkim Çamin, pedagog i drejtësisë në Universitetin “Justiniani i Parë”, ndryshimet në kushtetutë nuk janë tabu. Por ato, sipas tij, duhet të vijnë në mënyrë të natyrshme dhe si nevojë e zhvillimeve dhe forcimit të institucioneve demokratike. Nuk i shikoj ndërhyrjet në ligjin themeltar të shtetit si rrjedhojë e ndonjë artifice apo ndonjë situate pragmatiste që krijohet nga politika apo grupe të ndryshme të interesit, thotë ai për DW.

“Pra, ndryshimi kushtetutes është i nevojshëm, i domosdoshëm, i qëndrueshëm kur diktohet nga zhvillimi i jetës shoqërore, politike dhe ekonomike, si një nevojë që nuk varet nga faktorë të caktuar. Ne duhet të ndërgjegjësohemi që në momentin që lind nevoja për një ndërhyrje kushtetutese të bëhet një punë më e organizuar, më e hershme, për të mos krijuar probleme dhe për t'i bërë zgjidhjet në ‘minutën e fundit'."

Pedagogu Çami kërkon një diskutim të organizuar për t'i dhënë edhe një hapësirë kohe të mjaftueshme të gjitha palëve të interesuara. Në krye të procesit duhet të jenë në mënyrë të pashmangshme elita e juristëve, kërkon ai, ekspertët më të mirë, ku duhet të ketë konsultime dhe institucionet e specializuara përendimore. Bashkim Çami i referohet si shembull rastit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ose procesit elektoral në tërësi, ku sipas tij, ka dhe ndonjë element që përmbushet duke amenduar ligjin themeltar të shtetit.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi