1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ndryshime në qeverinë e kryeministrit Berisha

Emra të rinj në krye të Ministrisë së Brendshme, asaj të Jashtme dhe Shëndetësisë.

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha

Zgjedhja e presidentit të ri të Republikës, por dhe propozimet që kanë bërë të premten në mbrëmje Lëvizja Socialiste për Integrim, aleatja kryesore në qeverisje, e kanë detyruar kryeminstrin Sali Berisha që të shtunën pasdite të shpallë publiksht ndryshime në kabinetin e tij. Në bazë të kushtetutës ai ka dorëzuar në Presidencë propozimet për dekretimet e reja në postet ministrore. Bujar Nishani, i cili la detyrën e ministrit të Brendshëm ngase u zgjodh në postin e Presidentit të ri të Republikës, do të zëvendësohet në këtë post nga deputeti i PD-së, Flamur Noka. Noka me një eksperiencë të gjatë në strukturat e demokratëve, është aktualisht dhe sekretar organizativ në Partinë Demokratike (PD) dhe njihet si një ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të kryeministrit Sali Berisha.

Ministria e Mbrojtjes në Tiranë

Ministria e Mbrojtjes në Tiranë

Ministrinë e Jashtme do ta drejtojë prof. dr. Edmond Panariti, një ekspert i njohur në fushën e veterinarisë dhe mbrojtjes të të drejtave të konsumatorit. Panariti, përfaqësues i LSI-së, zëvëndëson në këtë detyrë Edmond Haxhinaston, po nga kjo parti, i cili ka marrë portofolin e ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, por duke ruajtur pozicionin e zëvendëskryeministrit. Pas dorëheqjes së ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili, zëvendësuesi i tij është nënkryetari i parlamentit, Vangjel Tavo, Sipas argumentimeve që ka bërë kryetari i LSI-së Ilir Meta, Vasili do të angazhohet me probleme organizative në këtë parti, në një kohë që ish ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Nasip Naço pritet të marrë postin e nënkryetarit të parlamentit.

Sipas një zëdhënësi të qeverisë, kryeministri pasi ka bërë propozimet për ndryshime tek Presidenti në detyrë Bamir Topi, ka shprehur falenderime për dy ministrat që u larguan nga kabineti, Vasili dhe Naço, “për bashkëpunimin e ngushtë dhe luajal që kanë pasur gjatë qëndrimit në detyrë”, si dhe për “kontributin e tyre të rëndësishëm në promovimin e këtyre fushave si dhe në realizimin e reformave të rëndësishme në këto fusha jetike të vendit”.