1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ndryshim i vështirë kursi - një vit pas zgjedhjes së Barack Obamas

Zgjedhja në nëntor të 2008-ës e Barack Obamës president i 44-të i SHBA ishte një ngjarje historike. Shpresat ishin shumë të mëdha mes afro-amerikanëve të pafavorizuar sa i përket arsimit, punësimit dhe karrierës.

1 vit në post për presidentin e SHBA, Barak Obama. Ne foto: presidenti Obama duke pare i menduar ne lartesi

1 vit në post për presidentin e SHBA, Barak Obama

Obama: amerikanët më gjykojnë jo për ngjyrën, por për ekonominë dhe mbrojtjen

Barack Obama është shumë i rezervuar kur flitet për ngjyrën e tij të lëkurës. Që gjatë fushatës së zgjedhjeve aai u përball me temën e diskriminimit racor, kur i desh të distancohej nga ish pastori i tij me ngjyrë Jeremiah Wright. Lajmet për predikimet diskriminuese të pastorit e dëmtuan imazhin e Obamës. Duke qenë President, ai u përgjegj në muajin mars në një konferencë shtypi për pyetjen nëse ngjyra e lëkurës luan ndonjë rol në postin e tij:

"Kur mora detyrën vendi ishte krenar që arritëm të bëjmë një hap në ndarjen nga e kaluara e dhimbshme e diskriminimit racor. Por kjo zgjati pothuajse një ditë. Tani amerikanët më gjykojnë siç duhet, më gjykojnë nëse e kemi përmirësuar likuiditetin e sektorit financiar, nëse kemi hapur vende pune dhe kemi ndihmuar ekonominë, nëse kemi mbrojtur vendin nga sulmet. Dhe këto janë temat me të cilat unë merrem përditë."

Afro - amerikanët e SHBA mendojnë pak më ndryshe. Ata janë krenarë, që njëri prej tyre ishte në gjendje të arrinte deri në postin më të lartë të shtetit. Nolan Rollins, është president i Urban League në Nju Orlins, një organizatë të drejtash njeriu që ndihmon njerëzit me ngjyrë. Nju Orlins e ka pjesën më të madhe të popullsisë me ngjyrë dhe Rollins thotë:

"Kur kaloj nëpër Nju Orlins shoh adoleshentë afro - amerikanë që mbajnë bluza të stampuara me presidentin amerikan. Kur ka ndodhur kjo herë tjetër? Ata nuk mbajnë vetëm figurën e Barack Obamës, por figurën e Shteteve të Bashkuara. Kjo tregon krejt qartë për krenarinë që ndjejnë afro - amerikanët, që njëri prej tyre është ulur në Shtëpinë e Bardhë."

Pamje nga fjalimi në Kairo i Obamas më 4 qershor 2009, ku ai kërkoi fillim të ri në raportet midis SHBA dhe myslimanëve

Pamje nga fjalimi në Kairo i Obamas më 4 qershor 2009, ku ai kërkoi fillim të ri në raportet midis SHBA dhe myslimanëve

Njerëzit me ngjyrë do të përfitonin automatikisht nga çdo lloj politike e drejtë sociale

Jo vetëm në bluza, por edhe në faqet e para të shumë revistave shihet që prej një viti herë pas here Barack Obama. Në këtë mënyrë ka ndryshuar pozitivisht imazhi negativ që publiku amerikan ka për burrat me ngjyrë, thotë Andre Perry, Dekan i Institutit të Arsimit në Universtitetin e Nju Orlins-it. Nuk është fare e nevojshme që presidenti të ndjekë një politikë që ndihmon në mënyrë të veçantë njerëzit me ngjyrë. Ata do të përfitonin automatikisht nga çdo lloj politike e drejtë sociale, thotë afro - amerikani. "Njerëzit me ngjyrë përfitojnë nga reforma e sistemit publik të shkollave, nga reforma e sistemit të shëndetësisë, nga reforma e sistemit të drejtësisë. Përpjekjet për reforma të Obamës nuk duhen parë me tabelën "për njerëzit me ngjyrë". Unë dua që Presidenti Obama të reformojë politikës sociale të shtetit dhe këtë është duke bërë ai."

Edhe Presidenti Obama duket se mendon kështu. Në fjalimin e tij para NAACP-it, një organizate që lufton për të drejtat e njërezve me ngjyrë në SHBA, foli këtë verë jo vetëm për diskriminimin ekzistues të racave në SHBA. Ai theksoi se reformat e tij sjellin të mira për të gjitha pakicat. Ai e sheh veten si president të të gjithë amerikanëve, dhe për këtë ka marrë këshilla të mira, mendon Edward Frantz, profesor historie në Universitetin e Indianapolis-it.

Ndikimin e Obamës në raportet e racave në SHBA do ta tregojë vetëm koha

Megjithatë nuk duhet harruar që shumë amerikanë e zgjodhën Obamën pikërisht sepse ai nuk bën politikë vetëm për të zinjtë. Çfarë ndikimi ka presidenca e Obamës në diskriminimin e racave në SHBA do ta tregojë vetëm koha, thotë Frantz. "Problemi i racave nuk zhduket kollaj, vetëm se presidenti është afro - amerikan. Kjo ishte e qartë edhe më parë, megjthëse disa të zinj dhe disa të bardhë mbanin shpresa. Incidenti me profesorin Henry Louis Gates tregoi qartë se problemi nuk mund të zhduket lehtë."

Autor: Christina Bergmann/ Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 04.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KOEe
  • Data 04.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KOEe