1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndonjëherë është më mirë të heshtësh

28 Janar 2011

Presidenti gjerman Christian Wulff mori pjesë në ceremonitë përkujtimore të viktimave të nacionalsocializmit në ish-kampin e përqëndrimit në Aushvic të Polonisë. Ai mori edhe fjalën në këtë ceremoni.

https://p.dw.com/p/106R3

Për herë të parë në histori një president gjerman mori guximin të flas në Aushvic. Paraardhësi i tij, Roman Hercog, i cili po ashtu ka vizituar ish-kampin e përqëndrimit, pati vendosur të heshtë. Për shkak të përmasave të jashtëzakonshme të krimeve monstruoze, njeriu nuk mund të gjejë fjalë përshkruese, ishte shpjegimi i atëhershëm. Me të drejtë, sepse kur flet në një vend ku në emër të popullit gjerman janë vrarë në mënyrë të planifikuar dhe si në industri më shumë se një milion njerëz, njeriu duhet të gjejë fjalë tepër të fuqishme, ose më mirë të mos flasë fare.

Presidenti me pak përvojë në politikën e jashtme ka gjetur vetëm pjesërisht fjalë të këtilla. Në rastin më të mirë, fjalimi i tij ishte korrekt. Wullff theksoi se krimet e nacionalsocializmit mbi miliona njerëz e "turpërojnë dhe tmerrojnë" popullin gjerman. Gjermanët "mbajnë përgjegjësi historike" dhe ata nuk duhet të lejojnë kurrë përsëritjen e krimeve të tilla. Ai foli edhe për "fatin e madh" të pajtimit me viktimat e atëhershme, në radhë të parë me Izraelin dhe Poloninë.

Të gjitha këto janë pozicionime shumë të rëndësishme, por nuk janë fjalë të cilat do të shkruajnë histori, sikur fjalimi i Rihard fon Vajzsekerit me rastin e 40 vjetorit të përfundimit të luftës. Këto fjalë nuk mund të krahasohen as me fjalimin pajtues të Roman Hercogut, me rastin e 50 vjetorit të kryengritjes së Varshavës, ose fjalët e ish-kancelarit gjerman Gerhard Shrëder dhjetë vite më vonë.

Polen Redaktion Bartosz Dudek
Bartosz DudekFotografi: DW

Fjalimi i Wulffit ishte më shumë një ligjëratë e zbehtë se sa një përballje e fuqishme me krimet më të mëdha në historinë e njerëzimit. Ai me të drejtë përmendi viktimat hebreje, sinte, rome, robërit, kryengritësit, homoseksualët dhe njerëzit me të meta fizike. Por me asnjë fjalë nuk përmendi intelektualët polakë, për të cilët në fillim edhe ishte konceptuar kampi i përqëndrimit në Aushvic.

Wulff nuk ia doli të bëjë as një hark politik mes të kaluarës dhe të sotmes. Ndryshe nga fjalimi i kryetarit të Shoqatës së sintëve dhe romëve në Gjermani. Fjalimi i Wulffit në Aushvic, dëshmon tërë vërtetësinë e shprehjes së moçme: të flasësh është argjendë e të heshtësh ar.

Autor: Bartosz Dudek

Redaktoi: Aida Cama