1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koncepti i ri i mbrojtjes civile

Heiner Kiesel23 Gusht 2016

Qeveria gjermane u rekomandon qytetarëve të mbajnë për raste katastrofash rezerva ushqimore për të paktën 10 ditë. Por shumë njerëz nuk besojnë se mund të ketë ndonjë rrezik.

https://p.dw.com/p/1JnF0
Fotografi: Colourbox/Kitch

Pas njoftimeve që të mërkurën qeveria federale gjermane do të paraqesë konceptin e ri për mbrojtjen e popullsisë civile, sipas së cilit popullsisë i rekomandohet të mbajë në shtëpi rezerva ushqimore për dhjetë ditë për raste katastrofash, nuk duket se dyqanet e ushqimeve po boshatisen.

37-vjeçarja Laura thotë se sipas saj në Gjermani mbajtja e rezervave ushqimore dhe e ujit në shtëpi nuk ështe absolutisht e nevojshme sa është p.sh. në Kaliforni apo diku tjetër, për shkak të rrezikut të tërmeteve. Kurse një grua e moshuar thotë se ajo ka në shtëpi rezerva ushqimore për dy muaj, sepse ku i dihet.

Deutschland Voller Einkaufswagen
Fotografi: picture alliance

Sa serioze është bërë gjendja?

Pas lajmeve të vazhdueshme për sulme terroriste, tani pas këtij njoftimi shtohet pyetja se sa serioze është bërë gjendja? Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme thotë se ky koncept është vazhdim i konceptit për mbrojtjen e popullsisë civile të përpunuar së fundi në vitin 1995, kur bota dukej më paqësore. Tani kemi të bëjmë me rreziqe të reja, si ai kibernetik sepse terroristët mund të paralizojnë sistemet e kompjuterave dhe të ndërpresin furnizimin me energji elektrike dhe sigurisht rreziqe të tilla si përmbytje, stuhi apo tërmete me përmasa katastrofale.

Partitë e opozitës në palamentin gjerman e konsiderojnë momentin e botimit të kësaj strategjie të re si "bërje paniku në lidhje me gjendjen e sigurisë së brendshme, pikërisht në një kohë, kur duhet ruajtur gjakftohtësia," - sikurse u shpreh kryetari i grupit parlamentar e partisë E Majta, Dietmar Bartsch, për DW-në.

Thrirrje për t'u zgjuar

Eksperti për çështje të sigurisë pranë fondacionit Stiftung Wissenschaft und Politik në Berlin, Markus Kaim, shprehet pozitivisht për konceptin e ri. E rëndësishme është sipas tij që në rast krize të gjithë aktorët të jenë të përgatitur. "Pra jo vetëm zyrat e shtetit, ndërmarrjet e furnizimit me ujë dhe energji elektrike, bankat apo sipërmarrjet e transportit, por edhe popullsia." Sipas tij në rast katastrofe mund të zgjasë deri në 14 deri 20 ditë, deri sa organet shtetërore të kenë riparuar strukturat e dëmtuara.

Markus Kaim
Markus Kaim

Kaim nuk beson se qytetarët do ta ndjekin në masë të madhe këtë rekomandim të shtetit, por sipas tij "kjo thirrje është e nevojshme, për t'i zgjuar njerëzit nga ndjenja e rreme e sigurisë" në të cilën jetojnë.