1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ndjekje përgjatë kufirit të brendshëm - 15 vjet marrëveshje Shengen

Para 15 vitesh kanë hyrë në fuqi rregullat e Marrëveshjes së Shengenit. Marrëveshja është një hap vendimtar në rrugën drejt një Evrope të bashkuar por ka shkaktuar edhe frikë tek gjermanët.

Kontroll i të dhënave - kufijtë e brendshëm të BE-së nën vëzhgim.

Kontroll i të dhënave - kufijtë e brendshëm të BE-së nën vëzhgim.

Veçanërisht në rajonet kufitare qytetarët druhen se me heqjen e kontrolleve do të rritet edhe kriminaliteti. Për të penguar këtë do të vëzhgohen edhe më tutje kufijtë e brendshëm të BE-së.

Andreas Matthis ka ndalur makinën e policisë me ngjyrë të kaltër dhe të bardhë të tipit Volkswagen, pothuajse prapa kufirit gjermano-polak, në jug të Frankfurtit mbi Odër, anës autostradës 12. Oficeri i policisë mban veshur edhe në makinë një jelek të verdhë mbi uniformën e tij. Koha është me mjegull. Jashtë makinat lëvizin në drejtim të Berlinit.

Oficeri i policisë Andreas Matthis.

Oficeri i policisë Andreas Matthis i transmeton qendrës të dhënat për kontroll.

"Detyra jonë kryesore është pengimi i kalimeve ilegale...", - thotë Matthis.

Në anën e majtë në makinë qëndron ulur oficeri i lartë i policisë Rene Hornig. Deri para dy vitesh dy oficerët e policisë gjermane kontrollonin prapa në pikëkalimin kufitar. Me Marrëveshjen e Shengenit janë hequr në atë pikë kontrollet e udhëtarëve. Kështu ata duhet të vazhdojnë ndjekjen e udhëtarëve ilegalë para kufirit. Deri në 30 kilometra thellësi përgjatë kufirit shtetëror shtrihet zona e kontrollit të tyre. Në rast nevoje ata mund të ndjekin personat e dyshuar deri në brendësi të territorit polak. Hornig rregullon me dorë flokët e zinj që kanë filluar t'i thinjen. Gjurmimi dhe ndjekja janë sipas tij një çështje e ndjenjës:

Oficeri i lartë i policisë René Hornig.

Për oficerin e lartë të policisë René Hornig, puna është bërë më interesante se para hapjes së kufijve.

"Duhet thënë se secili nëpunës ka një imazh të caktuar, secili ka testuar se çfarë kontrollon, aty ku ka mbledhur përvojë, aty ku ka patur sukses. Dhe kjo mund të ndryshojë shumë nga një nëpunës tek tjetri".

Makinë e shtrenjtë, shoferi i ri: shihet menjëherë me dyshim; një makinë me familje më pak. Hornig bën me shenjë nga rruga. Një makinë, pesë burra. Pikërisht sapo kaloi një kandidat i mirë për kontroll. Matthis buzëqesh dhe nis transportuesin e policisë. Një rast shumë premtues, thotë ai: "Ishte një Golf i bardhë me targa të Lublinit. Qyteti Lublin nuk ndodhet larg kufirit bjellorus. Aty kohëve të fundit janë kapur disa kalues kufiri të paligjshëm. Pra njerëz që në parim kanë të drejtën e qëndrimit në Poloni por nuk kanë të drejtë të udhëtojnë në Gjermani."

Gjermania praktikisht ka vetëm kufij të brendshëm me BE-në. Rreth 3.800 kilometra me vendet fqinje, prej tyre 258 me Poloninë. Me heqjen e kontrolleve të personave në kufi, është bërë më e lehtë që njerëzit të kalojnë ilegalisht kufirin apo të kontrabandojnë gjëra të ndryshme. Në lindje të Gjermanisë popullata zemërohet për numrin e madh të makinave që vidhen në rajonin kufitar. Tani udhëtarët ilegalë nuk kalojnë më kufirin të fshehur nëpër rimorkiot e kamionëve, por me makina krejt normale, si udhëtarë të zakonshëm. Në një makinë si Golfi i bardhë pas të cilit janë vënë në ndjekje nëpunësitë e policisë Matthis dhe Hornig. Pas disa kilometrave ata arrijnë makinën dhe e ndalojnë në një vendparkim të autostradës.

Patrullë kufitare në kufirin gjermano-polak.

Patrullë kufitare në kufirin gjermano-polak.

Matthis i afrohet makinës dhe merr letërnjoftimet e pesë udhëtarëve të ulur në Golf. "Ne tani kontrollojmë të dhënat personale, nëse gjithçka është në rregull atëherë mund të vazhdoni udhëtimin" - u thotë ai udhëtarëve.

Matthis kthehet në transportuesin e policisë me pesë dokumente identifikimi në dorë. Pastaj fillon t'i kalojë të dhënat në qendër. Shkronjë për shkronjë:

"Anton Ulrich Gustav Ulrich Siegfried Cäsar Ida Ulrich Kaufmann, i lindur më 16.12.1959" - lexon në dokumentet e identifikimit.

Rene Hornig i ka marrë kolegut të tij dy karta identifikimi. Në një kompjuter të vogël ai krahason të dhënat përmes një sistemi informativ të policive të landeve të ndryshme gjermane, regjistrin qendror të zyrës federale për drejtuesit e automjeteve dhe informacionet e sistemit informativ të Shengenit. Kjo bankë e të dhënave, e njohur ndryshe me shkurtesën "SIS" grumbullon dhe ruan informata relevante për aktivitete kriminale nga të gjitha vendet e Shengenit. Por tek pesë polakët është gjithçka në rregull. Matthis u kthen atyre dokumentet e identifikimit. Ndërkaq Hornig sqaron shkurt: "Ata duan të bejnë makina, krejt shik, tani ne kthehemi dhe bëjmë xhiron tonë në autostradë."

A ndiejnë ata zhgënjim? Jo, aspak!

"Ah, zhgënjim? Këtë vit ne kemi pasur sukese kështu që nuk jemi të zhgënjyer. Nga pamja e jashtme përshtatej gjithçka, po ashtu edhe nga përvoja jonë personale. Por këtë vit ne kemi suksese kështu që duhet të vazhdojmë tutje."

Transportuesi lëviz sërish nëpër autostradën A12. Marrëveshja e Shengenit e ka komplikuar punën e policisë në kufi. Por, kështu shprehet zyrtari i policisë Hornig, puna është bërë shumë më interesante.

Autor: Heiner Kiesel / Esat Ahmeti

Redaktoi: Eliana Xhani