1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ndihmat shtetërore dhe donacionet për Haitin - Bilanci pas një viti

Një vit më parë tërmetet në Haiti lanë pas pamjet e shkatërrimeve. 60 përqind e godinave u shkatërruan, 1,3 milionë vetë u kthyen të pastrehë dhe 230 mijë vetë humbën jetën.

default

Port-au-Prince, Haiti

Pas tërmetit në Haiti komuniteti ndërkombëtar premtoi 10 miliardë dollarë ndihma, organizatat humanitare morën donacione në nivelin e qindra milionëve.

Çfarë u bë me ndihmat?

Mbi një milionë vetë vazhdojnë të mos kenë çati mbi kokë. Kolera do të vendoset krejtësisht nën kontroll vetëm pas tre ose katër muajve dhe në shumë vende ka patur përmbytje pas reshjeve të mëdha. Por ndërtimi vazhdon megjithëse me ngadalë. Këtë e thonë organizatat humanitare gjermane që operojnë në nivel ndërkombëtar, të cilat ndodhen ende në Haiti, qoftë kjo organizata "Ndihma kundër urisë në botë", "Johanniter", apo aksioni "Gjermania ndihmon", një bashkim i 12 organizatave ndër të cilat edhe Care Gjermani.

Ärzte ohne Grenzen Dr. Frank Dörner

Frank Dörner

Megjithatë Frank Dörner, drejtori ekzekutiv i organizatës "Mjekët pa kufi" ankohet se shumë nisma të nisura një vit më parë në mënyrë spontane kanë hequr ndërkohë dorë: "Dhe këto janë shumë. Duhet thënë qartë. Shumë prej tyre janë të regjistruara në grupet e koordinimit, prej të cilave vetëm pak janë aktive".

Shumë organizata ndihmash, pak koordinim

Numri i organizatave humanitare të mbetura në Haiti nuk dihet me saktësi, për të bëhen vetëm vlerësime. Ato duhet të jenë disa qindra nga e gjithë bota. Ato merren gjatë rindërtimit me çështjet e pazgjidhura të pronës, me normat e paqarta të ndërtimit, me korrupsionin dhe me furnizimin e ndihmave që qëndrojnë të bllokuara midis Republikës Domenikane dhe Haitit. Zgjedhjet presidenciale janë ende pa rezultat përfundimtar dhe marrëdhëniet politike ende të paqarta. Simone Pott nga organizata e ndihmave kundër urisë, thotë për ndihmësit që kanë ngecur: "Kjo ka të bëjë me atë që komuniteti ndërkombëtar, por edhe Kombet e Bashkuara kanë pak partnerë të besueshëm, që do të thotë se për shembull kur duhet folur për ndërtimin e infrastrukturës atëherë duhet folur me ministrinë përkatëse."

Trazirat që lindën sepse haitianët ishin të pakënaqur me përparimet në vendin e tyre janë qetësuar, megjithatë përparime nuk po bëhen. Elmar Frank, drejtues i aksionit „Gjermania ndihmon“ përmend arsyen kryesore: "Arsyeja kryesore është sasia e madhe e rrënojave të cilat janë bërë male e cila është e vështirë të hiqet. Ka rrugë të ngushta, të vogla, pastaj sërish male me rrënoja. Ato duhen larguar, para se të ndërtohet diçka e re. Kjo mund të bëhet vetëm me duar, sepse makinat nuk kanë ku të hyjnë. Në qytete janë krijuar kolonat e njerëzve që heqin me duar materialin e rrënojave."

Organizatat humanitare gjermane të përqendruara në zonat rurale

Ndërkohë organizatat humanitare gjermane janë përqëndruar në zonat rurale, sepse atje janë më të qarta kompetencat. Aty organizohen farërat, sistemi i ujitjes, bëhet ndërtimi dhe riparimi dhe puna propagandistike me higjenën. Në pjesën më të madhe të shkollave mësimi ka filluar sërish.

Ku kanë përfunduar milionat e dhuruara?

Pyetjes se ku kanë mbetur milionat e dhuruara i kthehet përgjigje e sinqertë dhe e menjëhershme. Kushdo mund të shohë në bilance, thotë Frank Dörner, nga "Mjekët pa kufi": "Aktualisht ne kemi 8 mijë punonjës që duhet të marrin rrogën, kemi 3200 krevate për të sëmurët nga kolera, 1000 krevate për trajtimet ambulante. Kemi një qendër të madhe trajtimi ku vitin e kaluar kemi dhënë 100 milionë euro."

Aksioni "Gjermania ndihmon" mori një vit më parë 16 milionë euro donacione. Prej tyre janë shpenzuar më shumë se gjysma. Simone Pott shpjegon ku kanë mbetur 21 milionët e donatorëve: "Nuk është e thjeshtë të shpjegosh se me paratë e mbledhura duhet bërë rindërtimi afatgjatë. Nga 21 milionët ne kemi dhënë deri tani 13 milionë, pra ne kemi planifikuar para për vitet e ardhshme."

Autor: Wolfgang Dick/Aida Cama
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 12.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zwcy
  • Data 12.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zwcy