1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ndihmat për Poloninë - një lëvizje e vërtetë popullore

Ka kaluar 30 vjet. Më 12 dhjetor 1981, pushtetin në Poloni e mori një këshill ushtarak, i cil shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Synimi i puçit ushtarak ishte shkatërrimi i sindikatës opozitare „Solidarność“.

Ndihmat për Poloninë

Ndihmat për Poloninë

Për popullsinë gjendja u vështirësua shumë, radhët para dyqaneve u bënë gjithnjë e më të gjata. Ajo që dihet pak është se gjendjen e vështirë populli polak e kapërceu edhe me ndihmën e Gjermanisë. Një film kujton 30 vjetorin e aksionit më të madh të ndihmës të dhënë në historinë e Republikës Federale gjermane.

Festën e krishtlindjeve të vitit 1982 Maria Jarmoszuk nga Varshava nuk do e harrojë kurrë. Ajo ishte atëherë 15 vjeçare. Kur një vit më parë Këshilli Ushtarak mori në duar qeverisjen e Polonisë dhe vendosi gjendjen e luftës, u vranë 50 vetë dhe mbi 5 mijë u internuan. Edhe e ëma e Maria Jarmoszuks-it u arrestua në verë të 1982 -it. Meqenëse i ati ishte jashtë vendit, tre vajzat mbetën vetëm në shtëpi. Më e madhja e tre vajzave kishte arritur moshën e rritur, kështu që fëmijët nuk u dërguan në shtëpinë e fëmijës. Numri i llogarisë bankare të të ëmës ishte bllokuar. Por, edhe po të doje nuk kishe çfarë të bleje në dyqane për Krishtlindje.

Ndihmat për Poloninë - 30 vjet

Ndihmat për Poloninë - 30 vjet

"Mua më kujtohet që tavolina e dhuratave ishte bosh, e vetma gjë që kishim ishte një pemë bredhi. Gjithshka ishte e trishtueshme. Në këtë moment bie zilja e derës dhe dikush solli një paketë. Brenda kishte portokalle dhe arra, aq të mëdhaja sa nuk kisha parë kurrë në jetën time. Unë nuk e harroj kurrë aromën e këtyre portokalleve, e gjithë dhoma mori aromën e tyre,“kujton Maria Jarmoszuk.

Dërgues i paketës ishte familja Mayer nga Mynihu. Nëpërmjet komunitetit fetar ata kishin mësuar se tre vajza në Poloni ndodheshin pa prindër- dhe kështu vendosën të ndihmonin spontanisht. Mayer-ët nuk ishin të vetmit. 30 milionë paketa dërguan në Poloni qytetarët e Gjermanisë Federale në muajt pas vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme. Paketat me ushqime që përmbanin gjërat më të nevojshme si fruta, sapun, ushqime për fëmijë dhe sende të përditshme. Filmi „Paketa të solidaritetit“ i regjizorit berlinez Lew Hohmann kujton 30 vjetorin e puçit ushtarak si dhe valën e madhe të mbledhjes së ndihmave në Gjermaninë perëndimore.

"Ajo që më bëri mua përshtypje ishte një gatishmëri e madhe dhe angazhim i njerëzve që dhanë ndihmë. Sot është bërë zakon që të mblidhen ndihmat duke paguar online, dhe me kaq mbaron. Kurse njerëzit në atë kohë i hipën vetë makinës, kaluan nëpër rreziqe, nuk u dekurajuan nga problemet në kufi dhe nga autoritetet. Ata i dhanë të gjitha për të ndihmuar vendin fqinj, Poloninë dhe njerëzit atje,“ thotë Lew Hohmann.

Maria Jarmoszuk, 30 vjet më parë

Maria Jarmoszuk, 30 vjet më parë

Lew Hohmann shkoi për filmin e tij në gjurmë të njerëzve që dhanë ndihmë. Për shembull të punonjësit të spedicionit Georg Dietrich nga Offenburg-u, i cili mbushi kamionin e firmës së tij me ushqime dhe i dërgoi ato personalisht në Olsztyn, të Polonisë veriore – dhe sot megjithëse ka mbushur ndërkohë 90 vjeç, ai shkon vit për vit në Olsztyn, për të shpërndarë dhurata në shkollën e fëmijëve me aftësi të kufizuara dëgjimi. Edhe mjekja e fëmijëve Krystyna Gräf nga Franfkurti është heroinë në filmin e Hohmann-it. Ajo fut ilegalisht në Poloni letërsi të ndaluar dhe makina shtypi për lëvizjen ilegale, Solidarność. Edhe familja Mayer nga Mynihu kujtohet në film për atë kohë. Me kalimin e muajve ndihma për Poloninë u kthye në lëvizje popullore, sot kërkush nuk flet më për të në Gjermani, thotë Hohmann.

„Unë kam vënë re se kujtimet në Gjermani nuk janë më të gjalla. Vetë njerëz që kanë ndihmuar, kujtohen vetëm po t'i pyesësh disa herë. Ndërkohë në Poloni të gjithë kujtohen për to, aty mund të pyesësh kë të duash, edhe të rinjtë e dinë që prindërit apo gjyshërit kanë marrë paketa“, thotë Lew Hohmann.

Caritasi në Gjermani duke mbledhur ndihma

Caritasi në Gjermani duke mbledhur ndihma

Paketa ndihme erdhën po ashtu nga vendet e tjera evropiane, SHBA dhe Japonia. Koordinimin e paketave të ndihmës e mori përsipër kryesisht kisha katolike, e cila ishte halë në sy për regjimin polak. Megjithatë partia hoqi dorë nga pengesa e aksioneve të ndihmës. Pushtetarët e dinin se nuk mund të ushqenin më popullin.

Autor: Friedel Taube / Aida Cama

Redaktoi: Esat Ahmeti