1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ndihmat nuk duhet të ndërpriten as në kohërat e kursimeve dhe gjendjes së vështirë ekonomike.

Takimi jozyrtar i ministrave evropianë të zhvillimit në Pragë

default

Ndihmat për zhvillim nuk janë ndonjë luks, paralajmëron Komisioneri Evropian për Zhvillim, Louis Michel, duke shtuar se ndihmat nuk duhet të ndërpriten as në kohërat e kursimeve dhe gjendjes së vështirë ekonomike. Komisioneri belg shpreson se në BE do të respektohet apeli i minsitrave për zhvillim për të ndihmuar vendet tjera, i dërguar nga takimi i mbajtur në Pragë.

„Argumenti im i vetëm është fuqia e zërit tim. Por besoj se ekziston një gatishmëri e gjërë për zhvillimin, si pjesë të zgjidhjes së problemeve. Rimëkëmbja ekonomike në Evropë nuk mund të planifikohet, në qoftë se nuk jemi të bashkuar.“

EU Kommissar Louis Michel

Komisioneri evropian për çështjet e zhvillimit, Louis Michel

Louis Michel pohon se çmimi i zvogëlimit të ndihmave nga vendet perëndimore mund të jetë shumë i lartë: Rritja e varfërisë, dëshpërimi, valët e reja të emigrimeve e madje edhe terrorizmi.

Në takimin joformal të ministrave për zhvillim të vendeve anëtare të BE, të zhvilluar në Pragë, Komisioneri Louis Michel kërkoi zbatimin e planeve të parashikuara. Ministren gjermane, Heidemarie Wieczorek-Zeul, nuk ka nevojë ta bindë askush. Ajo angazhohet për rritjen e ndihmave deri në vitin 2015 në 0,7 të prodhimit bruto. Për Deutschen Wellen ajo shpjegon:

„Nëse është e mundur ndarja e miliarda eurove për ndihmën e bankave dhe sistemit financiar, duhet të jetë e mundur edhe mbrojtja e botës prej urisë, varfërisë, papunësisë dhe ndryshimit të klimës."

Shtetet tjera të BE-së, në veçanti ato të Lindjes dhe Jugut, hezitojnë më shumë. Vetë Presidenti i radhës i BE-së, çeku Jan Kohout, ishte i paqartë. Shumë ministra e kanë të vështirë, që zgjedhësve në vendet e tyre t'ua shpjegojnë domosdoshmërinë e ndihmave për të tjerët, në kohën e recesionit. BE-ja deri tani nuk i ka realizuar qëllimet e parashtruara. Në prill të vitit të kaluar Komisioneri Michel ka paralajmëruar se nuk mund të plotësohen kërkesat për rritjen e ndihmave në vlerë prej 0,7 % të prodhimit bruto.

16.05.2008 DW-TV Projekt Zukunft Wieczorek-Zeul 1

Ministrja gjermane për politikat e zhvillimit, Wieczorek-Zeul

Heidemarie Wieczorek-Zeul mendon se duhet evituar mundësia, që recesioni të ndikojë tek vendet në zhvillim. Zvogëlimi i ndihmave dhe investimeve do të ishte i gabuar.


„Në vitet e kaluara krizat gjithmonë kanë ndikuar, por kriza globale ka nevojë edhe për përgjegjësi globale. Kjo është në interesin tonë, prandaj vendet e industrializuara duhet ta marrin këtë përgjegjësi.“

Ministrat evropianë për zhvillimin kanë frikë se kriza më së shumti do të godasë vendet e pazhvilluara. Në fund të vitit të kaluar, pas shumë kërcënimeve, u arrit marrëveshja për ndarjen e një miliardë eurove shtesë për të luftuar krizën akute me ushqime në vendet në zhvillim.

Por një miliardë nuk është gati asgjë, po ta krahasosh me paketat e ndihmave për bankat, industrinë e automjeteve, apo ruajtjen e ekonomisë. Eurodeputeti, Glenys Kinnock, mendon se ka nevojë për më shumë presione ndaj shteteve anëtare të BE-së.

„Kriza financiare është një jusfitikim i mirë për ata, që nuk duan të kujdesen për vendet në zhvillim. Mirëpo mendoj se ky është një gabim i madh.“

Në fillim të dhjetorit BE-ja ka marrë përsipër të ndihmojë vendet në zhvillim. Komisioneri Louis Michel në tetor ka paraqitur iniciativën për financimin mbarëbotëror. Në takimin e Pragës janë të bindur se vendet do të bashkëveprojnë.

„Mendoj se kemi shkuar më larg, sepse tani të gjitha qeveritë janë të mendimit se duhet ndryshuar arkitektura e sistemit financiar. Gjendja po ndryshon e kjo nuk është aspak e thjeshtë. Prandaj mendoj se ka lëvizje, madje edhe të fuqishme."

  • Data 30.01.2009
  • Autor Bernd Riegert
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Gk5X
  • Data 30.01.2009
  • Autor Bernd Riegert
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Gk5X