1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ndihmat ndalohen - Hungaria kundërshton BE-në dhe FMN-në

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban nuk dëshiron më të kursejë, por synon të hartojë programe në ndihmë të ekonomisë. BE-ja dhe FMN-ja kundërshtojnë. Situata financiare e Hungarisë mund të përkeqësohej rëndë në 2011.

Kryeministri hungarez Viktor Orban nuk pranon më kushtet e BE-së dhe FMN-së.

Kryeministri hungarez Viktor Orban nuk pranon më kushtet e BE-së dhe FMN-së.

Kryeministri i ri konservator i Hungarisë, i zgjedhur në fund të muajit prill, Viktor Orban, ndihet i fortë. Në fund të fundit ai gëzon në parlament një maxhorancë komode prej dy të tretash. Orban ndihet madje aq i fortë sa tani është gati të hyjë në konflikt me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimin Evropian. Kryeministri njoftoi se Hungaria do ta arrijë këtë vit objektivin buxhetor për një deficit prej 3,8% të produktit të brendshëm bruto. Ai nuk do të zbatojë masa të tjera kursimesh, megjithëse për to ishte rënë dakord me BE-në dhe FMN-në, të cilat në këmbim akorduan një kredi emergjente prej 20 miliardë eurosh. Kjo kredi ishte negociuar nga ish qeveria socialiste e Hungarisë dy vjet më parë, kur vendi gjendej në prag të falimentit shtetëror.

Hungaria do ta provojë me forcat e veta

Fitorja e bindshme në zgjedhje i jep kryeministrit Orban mbështetjen e nevojshme në parlament.

Fitorja e bindshme në zgjedhje i jep kryeministrit Orban mbështetjen e nevojshme në parlament.

Vitin e ardhshëm Viktor Orban synon t'ia dalë mbanë pa ndihmë ndërkombëtare dhe heq dorë nga këstet e fundit të kredisë së FMN-së. Borxhet, të cilat duhet të shlyhen vitin e ardhshëm, qeveria konservatore do t'i paguajë nëpërmjet rifinancimit në tregun e lirë të kapitalit. Nëse kjo do të ketë sukses mbetet të shihet. Dy agjenci vlerësimi risku kanë kërcënuar paraprakisht me uljen e notave për obligacionet shtetërore hungareze. Megjithatë, vetëm një javë më parë, Hungaria ia doli mbanë të shiste në treg obligacione shtetërore afatgjata.

Viktor Orban nuk dëshiron t'u vendosë hungarezëve masa të tjera kursimi, përkundrazi. Të martën (3.8.2010) ai njoftoi një program të gjerë në ndihmë të ekonomisë, për të nxitur rritjen. Kështu ai synon të përmirësojë të ardhurat fiskale. Parlamenti hungarez, kundër vullnetit të FMN-së, vendosi një taksë speciale për bankat, e cila gjithashtu pritet të kontribuojë në mbushjen e arkave të shtetit. FMN dhe BE kritikojnë se taksa mund të destabilizojë më tej sektorin bankar në Hungari të goditur nga kriza, dhe të çojë në uljen kreditimit të ekonomisë.

Banka Qendrore në shënjestër të qeverisë

Qeveria e re hungareze përpiqet tani të zëvendësojë edhe guvernatorin e Bankës Qendrore, Andras Simor, i cili nuk e mbështet kursin e ri në politikën financiare. Orban ka reduktuar me 75% rrogën e Simorit, për ta detyruar të japë dorëheqjen. Por Simor bëri të ditur se do të qëndrojë në postin e guvernatorit deri në përfundim të mandatit në vitin 2013. Ai mbështetet nga Banka Qendrore Evropiane në Frankfurt mbi Main, e cila e konsideron sjelljen e Orbanit një ndërhyrje të rëndë në pavarësinë e guvernatorit. Konflikti me Bankën Qendrore mund të ketë efekt negativ edhe në negociatat e Hungarisë me BE-në.

Orban kërkon më shumë kohë nga BE-ja

Komisioneri Olli Rehn paralajmëron ndaj një krize të rëndë në Hungari nëse nuk ndiqet kursi i kursimeve.

Komisioneri Olli Rehn paralajmëron ndaj një krize të rëndë në Hungari nëse nuk ndiqet kursi i kursimeve.

Bashkimi Evropian kërkon nga Viktor Orbani që vitin e ardhshëm të arrijë një nivel deficit buxhetor prej 3% të produktit të brendshëm bruto, dhe pas gjashtë vjetësh të përmbushë kriterin e BE-së për nivelin e borxhit publik. Orban kërkon tani më shumë kohë nga BE-ja për uljen e deficitit. Komisioneri i BE-së për politikën monetare Olli Rehn para pushimit të verës deklaroi se masat e kursimeve të qeverisë hungareze nuk janë të mjaftueshme. Shefi i Bankës së Evropës Lindore, Thomas Mirow, në një intervistë për gazetën "Handelsblatt", paralajmëroi se një Hungari e paqëndrueshme mund të rrezikojë edhe vende të tjera evropianolindore.

Fushatë elektorale?

Bashkimi Evropian shpreson që problemet me Hungarinë të zgjidhen në tetor. Në 3 tetor në Hungari do të zgjidhen parlamentet rajonale. Planet që paraqet aktualisht Viktor Orbani mund të jenë edhe pjesë e fushatës së tij elektorale. Pas zgjedhjeve, më 15 tetor, kryeministri Orban do të paraqesë projekt-buxhetin për vitin 2011 në Komisionin e BE-së. Ndoshta, shpresojnë diplomatët e BE-së, atëherë qeveria në Budapest do të jetë më e gatshme për kompromis.

Gjatë vizitës së Orbanit në Berlin në muajin korrik kancelarja gjermane Angela Merkel lëvdoi "hapat shumë energjikë" që kryeministri hungarez ka ndërmarrë për të menaxhuar vështirësitë financiare. Zënka me FMN-në dhe BE-në nuk do të cenojë marrëdhëniet ekonomike të sipërmarrjeve gjermane dhe hungareze, tha kancelarja. Në periudhë afatgjatë Hungaria duhet të "konsolidojë politikën e saj financiare", u shpreh Merkel.

Autor: Bernd Riegert / Eliana Xhani
Redakoi:Elert Ajazaj