1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ndihma sociale për emigrantët nga vendet e BE-së në Gjermani

Në tre muajt e parë të qëndrimit të një qytetari të BE-së në Gjermani, këtij nuk i paguhen ndihma sociale në rast se nuk ka punë.

Në Gjermani po diskutohet për emigracionin nga Evropa Juglindore dhe debati po merr tani një shtyrje të re. A duhet të kenë emigrantët nga vendet e BE-së që vijnë në Gjermani dhe nuk kanë punë, të drejtë për përfitime sociale, pra për para nga shteti?

Sipas medive Komisioni i BE-së mendon me sa duket se po. Por Komisioni i BE-së i hodhi poshtë lajmet se po e nxit Gjermaninë që t'ua bëjë më të lehtë qytetarëve të BE-së përfitimimin prej sistemit social gjerman.

Brukseli saktëson

Gjermania nuk është e detyruar nga ligjet e BE-së që t'u paguajë gjatë tre muajve të parë të qëndrimit të tyre në vend ndihma sociale qytetarëve të BE-së që nuk janë të punësuar, tha një zëdhënëse e komisionit të premten (10.01). Gjithësesi Brukseli bëri thirrje për shqyrtim individual të çdo rasti. Partia CSU njoftoi se do të bëjë rezistencë të fortë ndaj çdo lehtësimi të mundshëm të kushteve për përfitime sociale.

Rregulla strikte

Zëdhëndia e Komisionit tha se në ligjet e BE-së ka rregulla strikte për të penguar të ashtuquajturin "turizëm për përfitimin e ndihmave sociale". "Për të përfituar ndihma sociale në një vend tjetër të BE-së duhet që një qytetar i BE-së ose të jetë apo të ketë qenë i punësuar, të jetë anëtar i drejtpërdrejtë i familjes ose të ketë jetuar për kohë të gjatë në një vend." Po ashtu sipas vendimeve të Gjykatës Evropiane një të huaji nga një vend tjetër i BE-së mund t'i refuzohet dhënia e ndihmave sociale, në rast se këto përbëjnë një ngarkesë jo proporcionale për sistemin social.

Sipas gazetës «Süddeutschen Zeitung» deklarata nga Brukseli lidhet me rastin e një rumuneje, e cila jeton në Gjermani dhe që ka bërë ankesë pranë Gjykatës Evropiane. Sipas Ministrisë Gjermane të Punës në tre muajt e parë të qëndrimit të një qytetari të BE-së në Gjermani këtij nuk i paguhen ndihma sociale (Hartz IV). Pas kësaj periudhe ndihma të tilla atij i paguhen në rast se ai është duke kërkuar punë në Gjermani.

Udhëzime nga Brukseli

Komisioneri i BE-së për Çështjet Sociale Laszlo Andor do të paraqesë të hënën në Bruksel një udhëzues për t'u ndihmuar autoriteteve të shteteve anëtare të BE-së për të identifikuar më lehtë se cilët persona duhen konsideruar si "banorë të përhershëm". Ky udhëzues është një reagim ndaj debateve mbi barrën e sistemeve sociale të disa shteteve anëtare.

Andreas Scheuer CSU

Andreas Scheuer

Rezistencë nga CSU-ja

Partia CSU njoftoi se do të bëjë rezistencë të fortë ndaj çdo lehtësimi të mundshëm të kushteve për përfitime sociale. Sipas sekretarit të përgjithshëm të CSU-së Andreas Scheuer me këto lehtësime Komisioni i BE-së nxit emigrantët që vijnë në Gjermani për shkak të varfërisë dhe për të përfituar nga sistemi social gjerman.

Kryetarja e grupit të CSU-së në Bundestag Gerda Hasselfeldt tha për gazetën «Welt», se "në rast se Komisioni ia del mbanë me përfytyrimet e tij, ne duhet të ndryshojmë ligjet evropiane."