1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hilfe Afghanistan

6 Dhjetor 2011

Bashkësia ndërkombëtare ka premtuar ndihmë për Afganistanin deri së paku në vitin 2024. Vendi nuk do të lihet në baltë as pas tërheqjes së trupave të NATO-s, theksuan pjesëmarrësit e konferencës për Afganistanin.

https://p.dw.com/p/13NPO
Konferenca për Afganistanin në BonFotografi: dapd

Konferenca për Afganistanin në Bon ka hapur një tjetër perspektivë për të ardhmen: në fund të tërheqjes së trupave në 2014 do të pasojë një "dekadë transformimi". Në këtë dekadë deri në vitin 2024, bashkësia e shteteve do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Afganistanin. Këtë i premtuan përfaqësuesit e 85 shteteve, delegacionit afgan.

Afganët druanin se pas tërheqjes së trupave të NATO-s mund të zhdukeshin nga fokusi i opinionit ndërkombëtar. Tani morën sinjalin e rëndësishëm psikologjik se nuk do të lihen në baltë. "Kjo ishte një ditë e artë në historinë e Afganistanit", komentoi presidenti Hamid Karzai rezultatin e konsultimeve të konferencës.

Se sa shumë janë të varur nga njëri-tjetri Afganistani dhe Perëndimi, e tregoi shumë qartë konferenca e Bonit. Hamid Karzai i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare para, në mënyrë që shteti i brishtë afgan të mos shkatërrohet. "Ne kemi nevojë për mbështetje financiare deri në vitin 2024", deklaroi ai para ministrave të jashtëm të atyre vendeve të pasura industriale, të cilat kanë derdhur deri tani miliarda në Afganistan.

Siguri në këmbim të ndihmës

Hamid Karsai kërkon ndihmë ndërkombëtare për Afganistanin
Hamid Karsai kërkon ndihmë ndërkombëtare për AfganistaninFotografi: dapd

Në këmbim bashkësia ndërkombëtare merr një minimum sigurie dhe stabiliteti në një rajon, i cili ka qenë dhe mund të bëhet përsëri një fole e terrorizmit. "Ne nuk mund të përsërisim gabimet e së kaluarës dhe të lejojmë që Afganistani të kthehet në një strehë të sigurtë të terrorizmit ndërkombëtar", paralajmëroi ministrja e Jashtme e SHBA-së Hillary Clinton në Bon.

Por paratë e ndihmave nuk do të derdhen pa kufi. Në kohën e krizës financiare blloku i çeqeve nuk përdoret lehtë as nga vendet e pasura. Për më tepër që misioni i rreth 130.000 ushtarëve të NATO-s për stabilizimin e Afganistanit i kushton mjaft vendeve, që vënë trupat në dispozicion. Vetëm misioni i ushtrisë gjermane ka gëlltitur më shumë se pesë miliardë euro që nga viti 2002.

Kështu konferenca në Bon u mjaftua me premtimin e përgjithshëm për t'u angazhuar në periudhë afatgjatë në Afganistan. Mbi shumat konkrete do të vendosë një konferencë donatorësh vitin e ardhshëm në Tokio. Po në formë të përgjithshme qeveria afgane premtoi sërish se do të luftojë me vendosmëri korrupsionin dhe do të bëjë përpjekje për një qeverisje të mirë. "Këtë nuk e bëjmë për miqtë tanë të huaj, por për popullin tonë", deklaroi jo pa patos, ministri i Jashtëm afganas, Zalmay Rassoul.

Problemet nuk u tematizuan

Ministrja e Jashtme e SHBA-së, Hillary Clinton, në Bon.
Ministrja e Jashtme e SHBA-së, Hillary Clinton, në Bon.Fotografi: dapd

Në Bon u fol habitshëm pak për vështirësitë, me të cilat do të përballet Afganistani në tre vjetët e ardhshëm. Tërheqja e ushtarëve të NATO-s nga rajonet e përfshira nga luftimet nuk është pa rrezik. Ministrat e jashtëm të mbledhur në Bon krijuan përshtypjen se përfundimi i suksesshëm i misionit ushtarak është i garantuar. Ndërkohë nuk është aspak e sigurtë, nëse forcat afgane të sigurisë mund t'ia dalin vetë në konfliktin me kryengritësit.

Nota më kritike kishte vlerësimi rreth përparimeve në fushën politike. Në të vërtetë tërheqja e trupave të huaja duhet të shoqërohet me procesin e pajtimit në vend. Por hendeku mes talibanëve dhe qeverisë Karzai duket më i thellë se kurrë.

Kancelarja Angela Merkel theksoi rëndësinë e pajtimit kombëtar dhe ndarjes së pushtetit: "Të gjitha grupet shoqërore dhe etnike duhet të përfshihen. Ne mund të ndihmojmë, por këtë problem mund ta zgjidhin vetëm vetë afganët."

Ministrat e jashtëm dhe delegatët ishin optimistë për të ardhmen e Afganistanit
Ministrat e jashtëm dhe delegatët ishin optimistë për të ardhmen e AfganistanitFotografi: dapd

Tensionet aktuale mes SHBA dhe Pakistanit, të dokumentuara nga mungesa e Pakistanit në konferencë, nuk e bëjnë më të lehtë këtë detyrë. "Suksesi i konferencës së Bonit nuk do të dëmtohet nga mungesa e Pakistanit", theksoi ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle. Qeveria pakistaneze ka premtuar se do t'i mbështesë rezultatet e saj.

Ndërkohë që Westerwelle e cilësoi konferencën si një gur kilometrik, përfaqësues të shoqërisë civile afgane u shprehën të zhgënjyer. Ata dëshironin fjalë të qarta në vend të deklaratave të përgjithshme, për shembull në lidhje me mangësitë në fushën e të drejtave të njeriut.

Autor: Nina Werkhäuser / E. Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica